/2L ONLINE/ – “Tendenca për ti ikur përgjegjësisë (ndoshta edhe penale të organizatorëve) nuk mund të mbulohet me arsyetime aspak të qëndrueshme. Sepse nuk mund të jenë dy të vërteta për të njëjtën çështje dhe në të njëjtin vend. Ishte vet komuna e Gjilanit, ajo që gjatë muajit shkurt të këtij viti, ka informuar opinionin përmes mediave se janë të pashfrytëzuara mbi 200 mijë euro mjete financiare të Fondit Humanitar për ndërtimin e shtëpive, të bartura që nga viti 2014 dhe 2015. Ndërsa tani drejtori për buxhet dhe financa po e thotë krejt ndryshe, nga ajo që ka deklaruar zyra e kryetarit të komunës së Gjilanit”.
Kështu ka nis reagimin e tij, Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan dhe anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në Gjilan, I pyetur nga Portali 2LONLINE, se si e sheh sqarimin që dha sot për këtë çështje, drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi.
Shih shkrimin: “Maliqi: Fondi Humanitar i Gjilanit nuk është sekret, është pasqyruar në raportin financiar 2015”
“Fakti që asnjëherë ne si opozitë nuk kemi marr përgjigje në kërkesat e drejtuara me shkrim ndaj zyrës së kryetarit, vërtetohet se ky fond është duke u keqpërdorur dhe nuk ka aspak transparencë për këto mjete financiare të donatorëve. Asnjëherë nuk jemi njoftuar se në emër të cilës llogari po mbahen këto mjete financiare, sa është shuma e saktë, sa janë shpenzuar, si janë shpenzuar, cilat janë kriteret për të përfituar nga ky fond, nuk na është ofruar lista me prioritet dhe kush i ka përzgjedhur familjet të cilat do të përfitojnë nga ky fond humanitar. Gjithçka është sekrete dhe aspak nuk ka transparencë nga komuna e Gjilanit”, ka thënë Rashiti.
Sipas itj, këto mjete prej 200 mijë euro, po mbahen nëpër llogari private bankare, e nuk po menaxhohen përmes llogarive bankare zyrtare të komunës së Gjilanit, nën të cilën është bërë edhe organizimi i këtij aktiviteti humanitar. Të gjithë ne e kujtojmë shumë mirë kohën, kur edhe në qeverisjen e mëparshme të LDK-së (deri në vitin 2007) mbaheshin paratë e qytetarëve të Gjilanit nëpër llogarit private të zyrtarëve komunal, e kjo praktikë po aplikohet edhe sot nga kjo qeverisje anarkike.
Sipas Rashitit të PDk-së, në raportin financiar të komunës së Gjilanit, janë pasqyruar të hyrat në buxhet komunal, ku në drejtorinë përkatëse nuk figuron asnjë cent si e hyrë nga Fondi Humanitar. Andaj sikur të ishte ashtu siç drejtori për buxhet dhe financa po tenton që ta sqarojë opinionin, atëherë në raportin e tij, do të kishte pasur mundësi të shkruante vetëm dy fjalë shqipe, transferi (ose ty hyrat apo shpenzimet) nga Fondi Humanitar, por kjo fjali askund nuk ekziston në prezantimin e tij të raportit financiar për vitin 2015.
“I kërkojmë drejtorit për buxhet dhe financa (pasi që po e merr përgjegjësinë për mjetet financiare të këtij fondi humanitar), që të na përgjigjet me fakte dhe dëshmi neve si anëtar të Kuvendit Komunal (sepse e ka obligim ligjor), në kërkesat e adresuara me shkrim lidhur me këtë çështje, pse jo që ato fakte t’ia ofrojë edhe opinionit. Në të kundërtën, sigurisht që ne si të zgjedhurit e qytetarëve të Gjilanit, do të denoncojmë këtë rast së shpejti në organet e drejtësisë, duke kërkuar inicimin e hetimeve dhe llogaridhënien për mënyrën e keqmenaxhimit të mjeteve financiare nga donatorët për fondin humanitar, të destinuara për ndërtimin e shtëpive për skamnorë”, ka thënë Riad Rashiti, Anëtar i KK Gjilan dhe anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/