/2L ONLINE/ – “Komuna e Gjilanit vetëm në tri projekte krijoi suficit dhe humbi mbi 500 mijë euro nga Buxheti i Kosovës, që ishin planifikuara për vitin 2015 si grante për investime në projekte kapitale. Qeverisja komunale e Gjilanit nuk mundi t’i shfrytëzojë dhe investojë mjetet e planifikuara financiare të këtij viti, në disa projekte të financuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT-i). Dallaveret dhe keqpërdorimet me tenderët, janë arsyet kryesore që kanë humbur këto mjete financiare, për këto tre projekte”.
Kështu shprehet Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së, për të shtuar më tutje se sipas planifikimit buxhetor për vitin 2015, nga MASHT-i Gjilanit ju ishin ndarë; 200 mijë euro për projektin (me kod 14346) “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike për shkollën e fshatit Pograxhë”, 200 mijë euro për projektin (me kod 10572) “Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme të muzikës”, si dhe 200 mijë euro për projektin (me kod 14360) “Ndërtimi i aneksit të shf.Abaz Ajeti” (salla sportive).
“Në Pograxhë fare nuk ka filluar ndërtimi i sallës sportive ( edhe pse kanë qenë mjetet e ndara nga Buxheti i Kosovës, poashtu projekti i ndërtimit të Shkollës së Mesme të Muzikës nuk ka vazhduar fare edhe pse është kontraktuar operatori ekonomik në muajin nëntor të vitit 2014. Ndërsa salla e edukatës fizike në shf.”Abaz Ajeti” ka nisur të realizohet por jashtë standarteve të projektuara, por që shuma prej 200 mijë euro nuk është shfrytëzuar ashtu siç ishte planifikuar për këtë vit”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri nga angazhimi i tepërt që e ka pasur gjatë këtij viti, në vizitat turistike jashtë vendit, ka lejuar humbjen e madhe të këtij buxheti që i ka takuar Gjilanit. Përveç suficitit, humbjes së mbi 500 mijë euro investime për projekte me buxhet të planifikuar nga Buxheti i Kosovës, ai dhe zyrtarët tjerë komunal gjatë këtij viti kanë shpenzuar mbi 50 mijë euro, në emër të shpenzimeve për udhëtime zyrtare, meditje dhe akomodim jashtë vendit.
“Po del i drejtë vendimi i qeverisë së Isa Mustafës, për zvogëlimin e madh që ia bëri buxhetit të komunës së Gjilanit për investime kapitale për vitin 2016, sepse po shihet që Gjilanit po i teprojnë paratë e ndara nga Buxheti i Kosovës. Pra, për derisa Luta aktualisht po bënë “Qejf” nëpër Kanada me tre zyrtarë e tjerë komunal dhe me paratë e shpenzuara nga xhepi i qytetarëve të Gjilanit, komunës po humbin miliona euro buxhet që i takojnë Gjilanasve”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/