DYLON

Rashiti: Sikur Prokuroria e Gjilanit të kishte sy dhe vesh!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Eskursionet e nxënësve nëpër shkollat e mesme ka mbetur i vetmi biznes në Gjilan, ku lehtë dhe shumë para të majme po përfitojnë individë dhe klane të caktuara të kësaj qeverisje komunale. Akuzat për keqpërdorime dhe korrupsion, të bëra drejtpërdrejtë ndaj kryetarit të komunës Lutfi Haziri dhe drejtuesve të Arsimit në Gjilan, sikurse edhe në vitin e kaluar, tregon mënyrë e paskrubullt se si kjo qeverisje lejon që nga nxënësit e shkollave të mesme, të pasurohen të afërm të kryetarit të komunës, e disa edhe jabangji që vijnë nga komunat tjera për të marr lekët në Gjilan.

Kështu është shprehur Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit komunal nga radhët e PDK-së, sipas të cilit , heshtja me vite e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ndaj këtyre rasteve dhe rasteve tjera të shumta, ku janë ngritur dyshime të bazuara për shkelje ligjore, keqpërdorime dhe korrupsion, të kryera nga individë, zyrtarë komunal e deri të kryetari i komunës, janë shqetësime serioze për gjendjen dhe mosfunksionimin e rendit dhe ligjit në komunën e Gjilanit.

EkoHigjiena

Rashiti tha se puna selektive e rasteve nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka bërë që qytetarët ta humbin plotësisht besimin në këtë institucion shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me mbikëqyrjen e funksionimit normal dhe respektimin e së drejtës ligjore barabartë për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës. Kjo qasje e Prokurorisë dëshmon se ajo është e kapur dhe në shërbim të politikës qeverisës në komunën e Gjilanit.

Sipas tij, vitin e kaluar, po të njejtat probleme ishin paraqitur me rastin e organizimit të eskursioneve me nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit. Ishin bërë akuza publike për keqpërdorime dhe korrupsion, kishte nisje me dhunë të nxënësve për eskursion me përcjellje të Policisë së Kosovës si pasojë e mosmarrveshjeve të kompanive nga dallaveret e bëra nga pushtetarët e kësaj qeverisje komunale, kishte humbur jetën edhe një nxënës në Durrës.

“Ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilani, ka heshtur për të gjitha këto. Ka heshtur dhe po vazhdon të heshtë edhe për shumë tenderë të tjerë ku komuna e Gjilanit u ka dhënë kompanive të preferuara, duke bërë shkelje të rënda ligjore dhe të cilat janë konstatuara edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, por prokurorët e Gjilanit nuk po shohin e as nuk po lexojnë fare. Andaj nuk pritet as kësaj here që ky institucione përgjegjës të veprojë duke hetuar këto raste dhe dyshime të ngritura për korrupsion. Prokuroria në Gjilan në vend që të bëjë hetime, ajo duhet të hetohet nga institucionet më të larta të vendit. Përderisa Prokuroria nuk vepron ndaj këtyre rasteve, atëherë ekziston dyshimi i plotë se edhe ajo është përgjegjëse për këto keqpërdorime dhe korrupsion, Sepse sikurse ajo të kishte vepruar në vitin e kaluar, nuk do të ishte përsëritur në këtë vit prapë dukuria e njejtë, në dëm të mijëra nxënësve dhe në dëm të kompanive konkurente në këtë organizim”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, ka ardhur koha që të analizohet mirë dhe të shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së këtyre eskursioneve, derisa të rregullohet qartësisht me ligj dhe rregullore forma e organizimit të këtyre eskursioneve, e tenderimit dhe kontraktimit, e deri të mbikqyrja e mirëfillt e këtyre organizimeve të eskursioneve për në Shqipëri.

“Nuk duhet lejuar që edhe më tutje, dikush të pasurohet në kurriz të xhepit të varfër të mijëra prindërve Gjilanas, të cilët mezi i shkollojnë fëmijët e tyre. Poashtu nuk duhet të lejojmë që papërgjegjësia institucionale e komunës së Gjilanit si dhe e Prokurorisë Themelore të vazhdojë më tutje duke shkaktuar humbje dhe dëme të mëdha, duke mos respektuar procedurat ligjore që kërkohen në këtë lloj organizimi”, ka thënë në fund Riad Rashiti, anëtar i KK-së, nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/