/2L ONLINE/ – Riad Rashiti, anëtar i Kuvnedit Komunal nga radhët e PDk-së ka thënë se qeverisja komunale e drejtuar nga Lutfi Haziri ka ndërtuar partneritet me krimin e organizuar urbanistik nga ndërtimet pa leje dhe financiar me tenderët milionësh në Gjilan. Sipas tij, ky partneritet është bërë kancer që po shkatërron jetën institucionale të komunës, po falimenton bizneset e Gjilanit, po plaçkitë buxhetin komunal nga taksat e qytetarëve, po i keqpërdorin donacionet ndërkombëtare që po i ofrohen qytetarit të Gjilanit, po i pengon dhe largon investitorët e huaj të ardhur për të investuar në Gjilan.
Rashiti ka thënë për gjendjen e rëndë dhe për veprimet joligjore të institucioneve komunale të Gjilanit po flasin raportet, vlerësimet dhe vendimet e shumë institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës, Organizatave Joqeveritare të cilat po e monitorojnë dhe e vlerësojnë punën e qeverisjes komunale, po flasin përfaqësuesit e bizneseve dhe qytetarët Gjilanas, për këtë sistem totalisht të inkriminuar e të korruptuar dhe që është instaluar në qeverisjen komunale.
“Agjensioni Kundër Korrupsionit përmes vendimit numër 01/604/16 të datës 15 shkurt 2016 dhe të vendimit tjetër numër 01/622/16 të datës 18 shkurt 2016, i ka anuluar edhe dy tenderë të tjerë komunës së Gjilanit, njërin për ndërtimin e çerdhes (institucionit parashkollor) në lagjen Dardania I (donacion nga fondet e USAID-it amerikan dhe me participim të komunës) dhe tjetrin tender për furnizim me 50 copë të IPAD-ave po ashtu të kërkuar nga prodhuesi amerikan. Ky është tenderi i gjashtë që AKK ia anulon komunës së Gjilanit për arsye të shkeljeve ligjore dhe parregullsive të konstatuara për diskriminim dhe favorizim që po u bëhen kompanive të caktuara”, thotë Rashiti.
Sipas tij, këto veprime joligjore të institucioneve komunale dhe shpenzimi pakontrolluar i parasë publike përmes dallavereve me tenderë të miliona eurove, po lejohet të ndodhë me dijeni të plotë të kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri, i cili po heshtë para kësaj dukurie të hajnisë. Dukuri e cila është ri-shfaqur në komunë me ardhjen e tij në pushtet, ku për këto dy vite rreth 30 tenderë joligjor në vlerë prej rreth 5 milion euro janë anuluar nga AKK, AP, KRPP dhe OSHP.
Rashiti ka thënë se fakti që edhe vet kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi është konstatuar nga Auditori Gjeneral(AP) se ai personalisht me vendimin e tij joligjor e ka dëmtuar buxhetin komunal në vlerë mbi 160 mijë euro vetëm për një tender, është dëshmi se qeverisja komunale e Lutës është vë në shërbim të pasurimit të shpejtë dhe krijimit të milionerëve të rinj në Gjilan.
“Planifikimi vjetor i shpenzimit të buxhetit komunal është në mos përputhshmëri të plotë me aktivitetet e prokurimit në Gjilan. Është absurde që për një projekt të planifikohet shuma 180 mijë euro, ndërsa tenderi jepet në vlerë prej mbi 1 milion e 130 mijë euro. E këtë e bënë vetëm komuna e Gjilanit, e cila ka filluar të rrit vlerat e tenderëve për 10 herë më shumë (jo 10% por 1,000%) se sa planifikohet dhe ndahet, kur buxheti miratohet në Kuvendin Komunal”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/
http://www.akk-ks.org/sq/lajmet/AKK-i-rekomandon-Komunes-se-Gjilanit-anulimin-e-nje-Tenderi-896