/2L ONLINE/ – Kjo është ditë “historike” për qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës, dita kur zyrtarisht filloi rrënimi i një gjiganti regjional, që ishte fabrika e bukës “Kualiteti”. Në qytetin e Gjilanit, po vazhdon me hapa gjigant shkatërrimi i ekonomisë lokale dhe rajonale, pas privatizimit të dështuar tani po ndodhë rrënimi i fabrikave, shuarja e qindra vendeve të punës, fundosja e perspektivës për bujqit e Anamoravës. Kjo gjendje e mjerueshme nuk ka qenë në Gjilan, as në kohën e okupimit serbo-sllavë, në pushtetin e Millosheviqit.
Mirëpo tani, këtë kaos në qytet, këtë shkatërrim dhe këto rrënime, i kemi dhuratë nga kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili mashtroi shumë keq, i gënjeu jashtëzakonisht keq qytetarët e Gjilanit, të cilëve u premtoi zhvillim të bujqësisë, u premtoi atyre në fushatën zgjedhore se fabrika e bukës “Kualiteti” në Gjilan do të jetë qendër e grumbullimit të grurit të Anamoravës, ku do te ketë prodhim cilësor të bukës nga kjo fabrikë.
Ndërsa sot, po ndodhë rrënimi i kësaj fabrike në Gjilan, një vepër jashtëzakonisht e dëmshme për ekonominë lokale dhe skandaloze për këtë pushtet kriminal. Kriminal sepse për dy vite në oborrin e kësaj fabrike, komuna lejoi që të ndërtohen 5 ndërtesa kolektive, disa me leje dhe shumë pa leje ndërtimi, pa kritere ndërtimi dhe në kundërshtim të plotë me kushtet urbanistike.
Dhe i pari i Gjilanit mund të ishte i shurdhër dhe plotësisht i verbër para kësaj katrahure urbanistike në qytetin tonë. Por jo, ai ishte organizatori i tërë këtyre zhvillimeve në qytet. Ai fillimisht mori vendim për shuarjen e drejtorisë së inspeksionit, pastaj i largoi të gjithë inspektorët e ndërtimit nga vendi i punës, prishi kontratën me kompaninë për rrënimin e objekteve pa leje.
Dhe sot, pas dy viteve të qeverisjes skandaloze nga Luta, në Gjilan nuk ekziston dhe vepron shteti për të mbrojtur interesin dhe perspektivën e qytetarëve të Gjilanit, sepse pushteti i Lutës po bashkëvepron me milionerët e rinj, në mënyrë që edhe vet ai të jetë në mesin e tyre.
Fatkeqësia më e madhe është se në Gjilan nuk po funksionin as sistemi i drejtësisë, për të parandaluar këto zhvillime rrënuese dhe për ta ndalur këtë pushtet të korruptuar dhe skandaloz.
Në pjesë e sistemit të drejtësisë në Gjilan është vënë i tëri në shërbim të Lutfi Hazirit dhe po bashkëvepron me të. Punën më të madhe që është duke e bërë tani ky sistem aktual i drejtësisë në Gjilan, është ngritja e aktakuzave ndaj neve si anëtar të Kuvendit Komunal, të cilët po e demaskojmë këtë qeverisje komunale të korruptuar deri në fyt, keqpërdorues të buxhetit komunal, keqpërdorues të fondeve dhe grandeve të ndryshme.
Ne si anëtar të Kuvendit Komunal edhe pse në vazhdimësi jemi kërcënuar (përmes formave të ndryshme) nga banditë të afërt me pushtetin komunal, ku edhe jemi sulmuar fizikisht, mirëpo ne, sot po trajtohemi si të akuzuar nga Prokuroria Themelore, e jo ata që na kërcënojnë e sulmojnë. Me një fjalë qyteti i Gjilanit, sot është në anarki të plotë, ku nuk shtrihet dora e shtetit, por vetëm dora e bandës së para politikës së Lutfi Hazirit.
Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së