/2L ONLINE/ – “Komuna e Gjilanit e qeverisur nga Lutfi Haziri, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015 shpenzoi mbi 34 mije euro për vizitat turistike të realizuara nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës. Sipas raportit financiar 6 mujor, Lutfi Haziri- Luta ka marr meditje për udhëtimet jashtë vendit 4,064.60 euro, që do të thotë se mesatarisht ka marr nga 677.10 euro pagë shtesë për çdo muaj”.
Kështu shprehet Riad Rashiti, Anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së, sipas të cilit nga buxheti i varfër i komunës së Gjilanit, për këtë periudhë janë shpenzuar për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit 7,601 euro, për meditje të udhëtimit jashtë vendit 9,059 euro, akomodim dhe shpenzime tjera 307 euro. Mirëpo në këtë raport, nuk janë të paraqitura edhe shpenzimet aktuale që është duke i bërë Luta në SHBA, e të cilat kalojnë shumën e 7 mijë eurove si dhe vizitën e mëparshme në Gjermani që kalojnë shumën e mbi 10 mijë eurove.
‘Asnjë vizitë e vetme e kryetarit të komunës, nuk i ka sjellë asnjë ndonjë dobi komunës apo qytetarëve të Gjilanit. Numër i madh i vizitave të Lutës kanë të bëjnë me vizita që nuk kanë të bëjnë fare me qeversijen komunale apo për interesin qytetarë, por ato janë vizita private dhe turistike që ai po i bënë tek miqtë e tij familjarë e shoqëror, por duke shpenzuar taksat që i paguajnë qytetarë në buxhetin komunal të Gjilanit”, thotë Rashiti.
Ai tha se kryetari i Gjilanit po vuan që nuk është pjesë e qeverisë së Republikës së Kosovës. “Por ne me kohë kemi kërkuar nga Thaçi dhe Mustafa, kur është formuar koalicioni PDK-LDK në qendër, që t’ia bëjnë një vend në qeveri Lutfi Hazirit, në mënyrë që të shpëtojë Gjilani dhe mos të falimentojë. Sepse Lutës kurr nuk i ka pëlqyer aspak Gjilani, atij i duket qytet shumë i vogël”, shprehet Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, me “vuajtjen” e Lutës po përballen edhe 90 mijë qytetarë të Gjilanit, një numër i madh i tyre do të vuajnë ende shumë me një qeverisje të drejtuar nga një kryetar i këtillë, çfarë sot e ka qyteti i Gjilanit. /2L ONLINE/