/2L ONLINE/ – Pjesëmarrja e komunës së Gjilanit në panairin ndërkombëtar “Investment Management Exhibition” në Cyrih të Zvicrës dhe marrja e çmimit “The best City Model Award”, është vetëm një avancim i mashtrimeve “Maestro” të cilat Lutfi Haziri po arrin ti bëjë. Kjo ngjarje mund të cilësohet vetëm si ndërkombëtarizim i mashtrimeve që din të bëjë me aq mjeshtri ky kryetar komune.
Kështu shprehet Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së. Sipas tij, përcaktimi i ndarjes së çmimit për komunën e Gjilanit, është bërë paraprakisht (pa ditur kriteret e përzgjedhjes) ende pa marr pjesë në prezantimin e projekteve në këtë panair (kjo mund të vërtetohet në websajtin zyrtar të këtij panairi: www.ime-europe.eu). Pra, kemi të bëjmë me një “blerje” të këtij çmimi nga ana e Lutës për të bërë një marketing të tij politik, ose kemi të bëjmë me një prezantim e mashtrim që qeverisja komunale me mjeshtri e ka bërë në këtë panair ndërkombëtar.
“Qëllimi strategjik i pjesëmarrësve në këtë panair ka qenë prezantimi i projekteve dhe mundësive për të investuar në këta sektorë; Partneritetin Publiko Privat, Pronës komerciale dhe në fushën e Energjisë dhe të Minierave. Ku komuna e Gjilanit me asnjë projekt serioz nuk ka mundur që ta prezantoj në këtë panair, sepse nuk ka qenë e gatshme dhe e përgatitur për të marr pjesë në këtë ngjarje. Si dhe në dy fusha komunat e Kosovës, nuk kanë asnjë kompetencë dhe të drejtë të merren me investime në këto projekte, sepse është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, është absolut një e pavërtetë e madhe, që komuna e Gjilanit është zgjedhur si model prej shteteve të Evropës Juglindore, që i shërben investitorëve të huaj, sidomos në qeverisjen e Lutfi Hazirit, i cili asnjë investitor të vetëm nuk e ka sjellë në Gjilan, përveç që ka vendos pengesa për ata që janë ekzistues. E nëse ky vlerësim është bërë për vitet e qeverisjes së kaluar, edhe mund të jetë real ky vlerësim (sepse ka sjellë investime të jashtme në Gjilan) dhe mund të cilësohej si njëra ndër komunat model të Kosovës, por assesi të vendeve të Evropës Juglindore.
“Çmimin të cilin e ka pranuar ai në emër të komunës së Gjilan, nuk i takon aspak punës dhe angazhimit të Lutfi Hazirit, ai çmim është i blerë, i manipuluar dhe i marr në emër të mashtrimeve, sepse nuk kemi të bëjmë fare me një realitet të tillë. Pjesëmarrja e qeverisjes komunale në këtë panair, është vetëm një ekskursion turistik që e ka organizuar Lutfi Haziri, me nënkryetarin e tij, kryesuesen e KK Gjilan, drejtorin për Zhvillim Ekonomik dhe të tjerë. Dhe fakti që asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të prezantojë në ndonjërën nga gjuhët e huaja, tregon për seriozitetin e pjesëmarrjes dhe prezantimit të komunës së Gjilanit në këtë panair ndërkombëtar. Ata nuk mund as të komunikojnë me investitorët serioz, e lëre më të pritet më shumë’, thotë tutje Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, deklarata e kryetarit të komunës se komuna e Gjilanit në këtë panair do të shpalos projektet e saja, që përfshijnë gjetjen e investitorëve për ri-planifikimin dhe ri-dizajnimin e objekteve komunale, ndërtimi objekteve banesore afariste dhe projekte rekreative për zhvillimin e turizmit në Komunën e Gjilanit, është një faktor tjetër që tregon se kemi të bëjmë me kërkesa projektesh aspak serioze për investime.
“Të kërkosh investitor në këtë panair për planifikim, projektim dhe dizajnim të projekteve për komunën, shpreh mjerimin qeverisës që e ka kapluar Gjilanin. Nuk janë në gjendje as të kuptojnë se si duhet të merret pjesë në këto ngjarje ndërkombëtare dhe si konkurrohet me projekte dhe si ti ofrohen kushte e siguri investitorëve të huaj. Dhe krejt nga ky organizimi i këtij ekskursioni turistik ka vetëm një efekt, e ai është shpenzime i mijëra eurove nga buxheti komunal i varfër, e që janë para të qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë në fund Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së./2LONLINE/