DYLON

Rashiti: Ky lloj mentaliteti qeverisës po rrezikon investitorët e huaj

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Riad Rashiti, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së ka thënë se ky subjekt shprehë shqetësimet serioze, se si qeverisja komunale e drejtuar nga Lutfi Haziri nuk po krijon klimë të mirë për biznese, për investitor… por ky lloj mentaliteti qeverisës në komunë, po rrezikon edhe investitorët e huaj që kanë ardhur në Gjilan për të bërë biznes, të cilët po tremben nga ky klan diletant, përmes presioneve, ofendimeve e deri te kërcënimet që i bëjnë zyrtarët e zgjedhur nga Kuvendi Komunal. Është e papranueshme që kjo të ndodhë në kohën kur Gjilani dhe Kosova kanë nevoja të jashtëzakonshme për të sjellë sa më shumë investime të jashtme për të zhvilluar vendin.

Rashiti ka thënë se është absurde dhe jo ligjore që një Kuvend Komunal, të emërojë për anëtar të Komisionit Komunal të Aksionarëve në një kompaninë, zyrtar i cili ka të ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Ndaj Muhadin Hazirit është ngritur aktakuzë, për vepër penale dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, të kryera në kompaninë publike “Higjiena” në kohën sa ishte ai në pozitën e drejtorit operativ. Ky zyrtar edhe ishte shkarkuar nga Bordi i kësaj kompanie në vitin 2012 për moszbatim të vendimeve të saj. I njëjti zyrtar njëkohësisht është duke u gjykuar edhe nga Gjykata Themelore si i akuzuar nga Prokuroria Themelore për zhdukjen dhe shitjen e aseteve të kësaj kompanie në vlerë prej 16 mijë euro në rrethinën e Prizrenit.

EkoHigjiena

Sipas tij, ka edhe më shumë se kaq, që institucionet e drejtësisë janë duke u marr hetime të tjera ndaj këtij personi, ku edhe aktualisht Prokuroria Themelore është duke kryer hetimet edhe për një rast tjetër ndaj tij, lidhur me një pagesë që i është bërë një kompanie në vlerë rreth 70 mijë euro, pa përfunduar projekti i kontraktuar nga Higjiena.

“Paramendojeni se si qeverisja e Lutfi Hazirit i trajton investitorët e huaj në Gjilan, duke i emëruar përfaqësues të komunës në Komisionin Komunal të Aksionarëve, zyrtarë të cilët janë nën hetime për tri raste të ndryshme për vepra penale dhe që ka të ngritura aktakuza nga Prokuroria Themelore e Gjilanit. Ndërsa po ky zyrtar tani i kërcënon, fyen e shanë më së rëndi dhe drejtpërdrejtë investitorët austriak dhe zyrtarët e kompanisë “Eco-Higjiena””, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, kjo sjellje e institucioneve komunale është e patolerueshme për PDK-në si opozitë dhe është fyerje e rëndë për të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal dhe qytetarët e Gjilanit, që një person i tillë ti përfaqësojë tri komuna (Gjilan, Viti dhe Kamenicë) në një investim të përbashkët me një kompani të njohur dhe serioze Moser Group nga Austria.

“Është e turpshme se si kjo përbërje e Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompaninë Eco-Higjiena, me anëtarë që kanë aktakuzë të ngritur, të larguar po nga kjo kompani, që tani të shkarkojnë edhe dy anëtarët e Bordit të kësaj kompanie, plotësisht në kundërshtim me ligjin për nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. Kur kjo kompani me këtë bord, për herë të parë arrin bilanc pozitiv në afarizmin e saj, sepse për 15 vite me radhë kjo kompani kishte krijuar humbje afariste financiare në fund të çdo viti kalendarik dhe kështu kishte grumbulluar një milion euro borxhe ndaj operatorëve ekonomik dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si ATK-së dhe KMDK-së etj. E që njëri nga menaxherët kryesore në këtë kompani ishte edhe Muhadin Haziri si drejtor i operativës dhe si zëvendës drejtor për shumë vite në Higjienë”, thotë tutje Rashiti i PDK-së.

Ai tha se PDK si opozitë i është drejtuar me kërkesë kryesueses së Kuvendit Komunal edhe kryetarit të komunës, që të shqyrtojnë këtë gjendje dhe konflikt të interesit që ka ky person në këtë kompani dhe të shkarkohet menjëherë nga anëtari i Komisionit Komunal të Aksionarëve në këtë kompani, sepse është kundërligjore që ky zyrtarë të jetë në këtë pozitë dhe të merr pjesë në vendime jo ligjore.

Si pasojë e këtij presioni dhe mos bashkëpunimit të komunës, kjo kompani është penguar gjatë tërë vitit të kaluar, por edhe sot pengohet në afarizmin e saj gjë që ka shkaktuar ngecje në implementimin e planit të punës dhe investimeve të planifikuara të kësaj kompanie sipas marrëveshjes së PPP.

“Ndërsa edhe dje është shkarkuar Bordi i një kompanie tjetër publike lokale “Kosovatrans” nga Komisioni diletant Komunal i Aksionarëve i emëruar nga kryetari i komunës Lutfi Haziri. Edhe ky vendim i këtij komisioni është në kundërshtim me ligjin për NP sipas nenin 7, i cili sqaron të drejtat e këtij komisioni ndaj bordit të kompanive publike lokale”, ka thënë Riad Rashiti, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/