/2L ONLINE/ – Me që nuk po marrin përgjigje në kërkesën e tyre, që komuna t’u ofrojë kontrata të punës për periudhën janar-dhjetor 2016, Trupa Artistike e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, po proteston para zyrës së kryetarit Lutfi Haziri. Aktorët po kërkojnë kontrata që të munden të vazhdojnë punën normalisht, përndryshe thonë se protestën nuk e ndalin.
E, për Riad Rashitin, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, subjekt opozitar, zgjidhja e problemit të aktorëve të Teatrit të Gjilanit, është shumë e lehtë sikurse të kishte vullnet dhe disponim kryetari i Gjilanit. Por fatkeqësisht ai po vepron sikurse me inat ndaj aktorëve të Gjilanit, të cilët sigurisht që asnjëherë tjetër nuk e kanë merituar të mbesin pa paga, pa kontrata pune dhe pa trajtim meritor, për punën që e bëjnë në Teatër.
“Fakti i shuarjes së drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sportit, tregon injorimin e këtij sektori që po ia bënë i pari i qytetit tonë. Decentralizimi i buxhetit për kulturë sipas Lutës, ka ndodhë, por sot nuk ka paga për aktorët e Teatrit, ndërsa dhjetëra mijëra euro subvencione kryetari i Gjilanit i ka keqpërdorë gjatë vitit 2015. Sepse me buxhetin e subvencioneve të kulturës, kryetari ka financuar me nga 5 mijë e 7 mijë euro, biznese private, për aktivitetet e tyre kulturore. Ka financuar me nga disa mijëra euro organizata joqeveritare që i kanë shërbyer vetëm kryetarit të Gjilanit për t’ia përmirësuar sadopak imazhin e prishur para qytetarit, nga dështimi total dhe nga keq qeverisja e Lutës”, ka thënë Rashiti për Portalin 2L ONLINE.
Sipas tij, po ashtu janë financuar me nga disa mijëra euro organizata rinore, ndërsa ato organizata udhëhiqen nga të moshuarit mbi 50 vite. Kjo mënyrë e shpenzimit të buxhetit, është keqpërdorim i mjeteve financiare, sepse nuk janë shpenzuar sipas planifikimit të buxhetit të miratuar. Sot ndodhin renovime të shumë objekteve komunale, sikurse objekti i Teatrit të Gjilanit, e që për këto investime po ka buxhet, por nuk paska për pagat e aktorëve.
“Vitin e kaluar kishte suficit mbi 1 milion euro vetëm nga të hyrat vetanake në buxhetin e komunës, ndërsa mbi 3 milion në tërësi, por prapë kjo qeverisje nuk ishte e gatshme që për këtë vit të bëjë me kohë planifikimin e buxhetit komunal. Ky problem i aktorëve të Teatrit, është qëllimshëm i pazgjidhur. Atyre duhet përmbushur obligimet ligjore që i ka komuna e Gjilanit, ata duhet trajtuar me dinjitet, nuk duhet të luhet me askënd e as me aktorët e Teatrit të Gjilanit”, ka thënë tutje Riad Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, ata edhe në kohën e okupimit Millosheviqian, kanë pasur trajtim meritor nga qeverisja e institucioneve të asaj kohe të Kosovës. Andaj kryetari i Gjilanit duhet ta ketë parasysh këtë fakt, që jo vetëm aktorëve dhe kulturës ia ka bërë gjendjen edhe me keq se në okupimin serb, por njësojë edhe ne disa sektorë të tjerë, siç është urbanizmi, ambienti dhe degradimi total i qytetit të Gjilanit. /2L ONLINE/