Rashiti: Kryetari Haziri ta ndalë fushatën e të fillojë të qeverisë

(2LONLINE) – Edhe pse kanë kaluar dy muaj të plotë nga përfundimi i zgjedhjeve lokale, kryetari i komunës Lutfi Haziri i cili ka fituar zgjedhjet, ende po vazhdon me sjellje, angazhim dhe fjalor të fushatës elektorale, thotë Riad Rashiti, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së,  parti kjo që tani është parti opozitare.

Sipas Rashtiit, qeverisjet e reja zakonisht pas 100 ditëshit të saj të qeverisjes me institucione, vlerësohen për angazhimin dhe performancën e tyre në realizimin e programit të tyre zgjedhore me të cilin ka fituar besimin e votuesit,ndërsa Lutfi Haziri ka hyrë në muajin e tretë dhe ende nuk e ka bërë ekipin qeverisës në ekzekutivin e komunës, ende nuk ka emëruar drejtorët, ndërsa si pasojë edhe puna e Kuvendit Komunal ende nuk është në nivelin e duhur, ku ende nuk ka kryer detyrat elementare lidhur me miratimin e rregulloreve që do të duheshin të respektoheshin nga janari si dhe asnjë vendim tjetër i rëndësishëm dhe i domosdoshëm ende nuk është marr nga ana e Kuvendit Komunal.

Rashiti i PDK-së thotë se sjellja dhe angazhimi i Hazirit si kryetari i komunës për këtë periudhë dhe fjalori i tij politik është plotësisht i njëjtë sikurse në fushatën zgjedhore, vetëm se ka ndryshuar selinë e partisë së tij, ku zyrën e kryetarit të komunës e ka shndërruar në seli të LDK-së, ndërsa seancat e Kuvendit Komunal po i organizon sikurse Kuvendet e punës së LDK-së në teatër.

Ai tha se nga pa përgatitja e kryetarit të komunës për të qeverisur me komunën dhe me qëllim të largimit të vëmendjes nga kjo, Haziri për çdo ditë merret me ish qeverisjen e cila për gjashtë vite udhëhoqi me sukses institucionet e komunës së Gjilanit. Organizimi i Flakës së Janarit e tregon më së miri këtë, ku dallimi ishte shumë i madh në krahasim me vitet tjera.

“Ndërhyrja nga ana e kryetarit të komunës Lutfi Haziri për anulimin e vendimit të jurisë për dhënien e çmimit “Fest Flaka” Enkeleda Arifit, është plotësisht veprim politik dhe fushatë politike. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryetarit të komunës në vlerësimin e komisionit profesional të Drejtorisë të cilën vet ai e udhëheq dhe anulimi i vendimit të jurisë është konflikt ligjor i tij dhe është më i madh se sa konflikti i interesit të cilin ai e ka ngritur”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, kryetari i komunës ka mundur ti rekomandoj jurisë shqyrtimin e vendimit të tij, por assesi të ndërhyjë  vet drejtpërdrejtë, sepse ai është larg profesionalizmit të kulturës dhe muzikës. Por Enkeleda Arifi është parë nga kryetari i komunës në këtë rast si aktiviste dhe kandidate për Këshilltare Komunale nga radhët e PDK-së dhe sigurisht i ka penguar që ajo të marr vlerësimin meritor nga juria dhe nga publiku i cili e duartrokit atë përherë, për performancën e saj përmes këngës shqipe.

“Lutfi Haziri nuk po e shmang konfliktin e interesit që e ka në derë të tij, ku ne, në seancë të Kuvendit Komunal i kemi treguar se ku e ka, sepse Këshilltarja Komunale nga radhët e LDK-së Florina Jerliu është plotësisht në konflikt të interesit sipas ligjit nr.04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, sepse në të njetën kohë ajo është edhe zëvendës drejtoresh në shkollën fillore “Thimi MItko”, e me çka bie ndesh me këtë ligj”, ka pohuar Rashti duke  përmendur pastaj nene të caktuara.

Ai tha se edhe n seancë ne fundit të Kuvendit Komunal e ka ngritur këtë çështje të konfliktit të interesit, por kryetari i komunës nuk ka lejuar zyrën ligjore të bëjë interpretimin ligjor dhe të përgjigjet në këtë pyetje, por ka dal vet dhe ka mbrojtur qëndrimin se ajo nuk ka konflikt interesi sepse ajo është certifikuar nga KQZ-ja.

“Haziri  e di mirë se KQZ nuk merret me vlerësimin nëse është apo jo në konflikt të interesit, mirëpo me këtë merret Agjensioni Kundër Korrupsionit, ku ne kërkojmë dhe do të kërkojmë nga ky institucion që të vlerësojë këtë qështje të konfliktit”, thotë Rashiti.

Sipas tij , kryetari i Komunës duhet më në fund të fillojë qeverisjen me institucionet komunale dhe të realizojë programin zgjedhor me të cilin edhe e ka marrë besimin e votuesve në Gjilan dhe e ka edhe obligim të paraqesë edhe para Kuvendit Komunal si program qeverisës të tij me institucionet komunale për katër vitet e ardhshme.

“Haziri duhet të merret edhe me respektimin e ligjit dhe rregulloreve të Kuvendit Komunal, të parandalojë konfliktin e interesit për zyrtarët komunal dhe Këshilltarët Komunal, sepse vetëm në muajin dhjetor 2013 janë dënuar nga Gjykata Themelore tre Këshilltar Komunal nga radhët e LDK-së për mos deklarimin e pasurisë në Agjensionin Kundër Korrupsionit, njëri prej tyre sot udhëheq edhe grupin më të madh politik të këshilltarëve të LDK-sën në Kuvendin e Komunës, ndërsa dy prej tyre kanë përfunduar mandatin”,  ka thënë Riad Rashiti, këshilltar Komunal nga radhët e PDK=së. /2lonline/

KOMENTE