/2L ONLINE/ – Pavarësisht mendimeve të individëve nga ana e të dy subjekteve politike PDK dhe LDK, se edhe në Gjilan mund të arrihet ndonjë koalicion i mundshëm, kjo gjë në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë për shumë arsye.
Kështu ka thënë Riad Rashiti, anëtar i kryesisë në degën e PDK-së Gjilan, pas shkrimeve të Portali 2LONLINE, që ka mësuar nga burimet e të dyja partive, se është hapur tema e një koalicioni të mundshëm mes LDK-së dhe PDK-së në Gjilan dhe për këtë edhe ka pas takime.
Shih shkrimin: LDK e PDK, bisedojnë tinëz për një koalicion të mundshëm në Gjilan!
E Riad Rashiti në një reagim të tij personal ka thënë se Dega e PDK-së në Gjilan nuk do të lejojë vetes që të jetë pjesë e dështimeve dhe e kolapsit qeverisës që po ndodhë në komunën e Gjilanit, të cilën po e drejton kryetari Lutfi Haziri dhe që e ka humbur rrugën e tij në oborr dhe në pikë të ditës.
“As PDK e as LDK nuk kanë nevojë e as arsye që të bashkëqeverisin me institucionet komunale. LDK ka stabilitet të plotë në Kuvendin Komunal, i ka numrat më se të mjaftueshëm për çdo çështje. Dhe gatishmëria e saj eventuale për ta joshur dhe pranuar PDK në koalicion, do ta kishte vetëm një qëllim, shuarjen e opozitës aktive në Gjilan, në mënyrë që të vazhdojë keq qeverisjen me qetësi dhe pa probleme deri në fund të këtij mandati, si dhe arsyeja tjetër është për ta dëmtuar edhe më shumë PDK-në në Gjilan, duke tentuar që në zgjedhjet e ardhshme lokale ta eliminojë lehtë nga konkurrenca njërin nga rivalitetet politike dhe kështu që luftën e saj zgjedhore e politike ta orientojë ndaj lëvizjes se Vetëvendosjes në komunën tonë”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, interesi i vetëm i një pjese të PDK-së për këtë koalicion në Gjilan, do të ishte rehabilitimi i disa individëve të cilët janë mësuar në vazhdimësi të jenë në pushtet për interesa të ngushta personale dhe familjare. Andaj dega e PDK në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që të ndodhë ky “vllaznillak” apo kjo aventurë politike në Gjilan.
‘PDK në Gjilan ka shumë punë tjera më të rëndësishme se sa të merret me çështjen e koalicionit të mundshëm lokal, sepse dega vazhdon të jetë ende në krizë të thellë dhe duhet të merremi me zgjidhjen e problemeve, organizimin dhe funksionimin e mirëfilltë të të gjitha strukturave të degës, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme t’ia ofrojë qytetarëve të Gjilanit ofertën e saj serioze për një qeverisje serioze”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, LDK-së, PDK-ja nuk mund t’ia zgjidh problemet e saj në qeverisjen komunale, pa i zgjidhur PDK problemet e saja të brendshme.
“Edhe pse Lutfi Haziri ka interes që ta fut nën sqetulla degën e PDK-së në Gjilan, i cili edhe ai disa herë ka deklaruar se Gjilani do të ketë koalicionin e madh, siç e quan ai edhe pse veç ka koalicion stabil. Por koalicionin me PDK-në në Gjilan le ta harron secili që mendon të realizojë interesat e ngushta personale, nga cilido subjekt qoftë”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i kryesisë në degën e PDK-së Gjilan. /2LONLINE/