Deklarimet publike që dalin nga Zyra për Informim, propaganda e komunës së Gjilanit me qëllim të mashtrimit të qytetarëve, tani po demantohen edhe nga institucionet relevante dhe jo vetëm nga ne si opozitë në komunë. Ky demantim i KDI është shumë serioze, një tregues se si dështimet e qeverisjes komunale, shkeljet ligjore, keqpërdorimet dhe korrupsionit po maskohen me vlerësimet e trilluara që po i bënë vet komuna e Gjilanit, duke u thirrur në bazë të raporteve fiktive.
Kështu thotë Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan dhe anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në Gjilan, sipas të cilit Komuna e Gjilanit ka keqpërdorur po ashtu edhe raportin e Auditorit Gjeneral për vitin 2014, me qëllim të mashtrimit të qytetarëve dhe opinionit të Kosovës, duke thenë se ka qenë një raport pozitiv për qeverisjen komunale. Ndërsa i njejti raport i auditorit Gjeneral ka paraqitur shkelje të rënda ligjore, humbje të mëdha buxhetore ndaj të cilave raste auditori ka kërkuar nisjen e hetimeve, për të cilat tani veçse është konfirmuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, se kanë nisur hetimet për një kontratë të paligjshme që ka bërë drejtëpërdrejtë kryetari i Gjilanit.
Rashiti ka thënë se Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka quajtur të pabaza deklarimet e Komunës së Gjilanit se ka radhitur Zyrën e Prokurimit të kësaj komune si më të mirën në nivel vendi për korrektësi dhe zbatim ligji, në kuadër të monitorimit që ata i bëjnë komunave të vendit. KDI-ja vlerëson se Komuna e Gjilanit ka shfaqur tendenca për të devijuar nga gjendja aktuale dhe nga raporti i indeksit të transparencës, i cili është publikuar vitin e kaluar për komunat. Duke theksuar se ka mjaft probleme me menaxhimin e publikimit të kontratave, të paraqitura edhe në raportin e Auditorit Gjeneral.
“Sipas KDI-së puna e Zyrës së prokurimit në Gjilan ka probleme serioze dhe se për KDI-ja i ka të evidencuar në raportet e saj. Ka numër të madh të tenderëve me procedurë të mbyllur si edhe numrin e lartë të tenderëve të anuluar. KDI në demantimin e saj ka deklaruar se në asnjë formë nuk kemi thënë që Gjilani radhitet në komunat me prokurimin më të mirë, thotë se ka pasur 30 kontrata që janë dhënë pa njoftim të dhënies së kontratës, de facto me procedura 100 % të mbyllura”, ka thenë Rashiti.
Sipas tij, gjatë këtyre dy viteve janë dhënë nga komuna 32 tenderë kompanive jashtë Gjilanit, në vlerë prej një milion e 830 mijë euro, ndërsa dikur këta akuzonin se jabanxhia po marrin punë në Gjilan. Ndërsa vetëm dy kompanive (mirëpo i njejti pronar) i janë dhënë 14 tenderë në vlerë prej mbi 2,6 milion euro.
“Ky monopol i plotë në dhënie-marrjen e tenderëve nga komuna e Gjilanit, ka dëmtuar buxhetin komunal, cilësinë e punëve të kryera, dështimin e plotë në mbikqyrjen e punimeve-shërbimeve nga kompanitë e preferuara, të pushtetit që po i rrënon të arriturat në komunën e Gjilanit”, ka thenë në fund Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan dhe anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/