Rashiti: Gjilani mundet dhe meriton shumë më shumë se kaq!
Pas miratimit të buxhetit të Komunës së Gjilanit për vitin 2025 nga ana e kuvendarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, kreu i PDK-së së Gjilanit, Riad Rashiti, edhe njëherë ka treguar se cilat ishin ato gjashtë prioritetet e PDK-së, për ta miratuar buxhetin komunal 2025, projekte në vlerë prej mbi 1.35 milion euro.
Ai i ka listuar ato.
– 1 milion euro – Projekti për varrezat e reja të qytetit të Gjilanit
– 126 mijë euro – Projekti për ndërtimin e strehimores për kujdesin e qenëve endacak
– 17 mijë euro – Projekti “Shtëpia Muze” për fotografi të dëshmorit Pajazit Ahmeti
– 138 mijë euro – Funksionalizimi i shkollës së mesme të bujqësisë, e cila është paaftësuar dhe mbyllur nga qeverisja e VV-së
– 30 mijë euro – Subvencionimi për nxënësit e shkollës së mesme të bujqësisë, për praktikën e tyre për aftësim profesional në infrastrukturën e kësaj shkolle
– 42 mijë euro – Nivelizimi i pagave me rritjen prej 250 euro mujore, prej muajit janar për 14 zjarrëfikësit vullnetarë të Gjilanit
“Asnjëri nga këto projekte nuk ishin të planifikuar fare në buxhetin e propozuar nga kryetari i Gjilanit. Kur është e arsyeshme dhe e rëndësishme për qytetarët e Gjilanit, ia vlen të humbet kohë edhe gjashtë muaj se sa të votosh një buxhet të imponuar nga një mendësi e largët politike”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, vetëm me konstruktivitet, komunikim të mirë dhe bashkëpunim, ecin punët mirë e mbarë dhe me kohë për komunën tonë, sepse jemi dhe jetojmë në sistemin demokracisë, jo të monizmit.
“Gjilani mundet dhe meriton shumë më shumë se kaq. Vetëm së bashku dhe pa inate politike mund të ecim më shpejtë”, thotë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së së Gjilanit. /2LONLINE/
