Raporti skandaloz i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Gjilan

Raporti skandaloz i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Gjilan

Raporti 6 mujor i cili mbulon periudhën janar-qershor të aktiviteteve (pasivitetit) në Zyrën për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për vitin 2019-të, është skandaloz, është më shumë se skandaloz. Mund të jetë gjithçka veç raport jo. Nuk e di me çfarë (pa) përgjegjësie dikush pranon të angazhohet në një punë të cilën nuk e njeh as 0.01 %!.

Shkruan: Fikri Mehmeti

Normale do të ishte nëse je pjesë e qytetarëve Luginas në Kosovë, e njeh pjesën dërmuese të problemeve me të cilat ballafaqohet ky komunitet, dhe i plotëson kriteret e pranohesh në menaxhimin e Zyrës për Preshevë,Bujanoc dhe Medvegjë por, kur nuk njeh asgjë, je krejt në teren të panjohur, padyshim se nuk mund të arrish kurfarë suksesi siç edhe është prezentuar në “raport”.

Nëse e lexoni “raportin” do të zhgënjeheni për nga përmbajtja. Veç tjerash, “raporti” fillon me “angazhimin” për tu informuar se deri ku ka arritur procesi (puna e angazhimi i tjetër kujt në vend që Koordinatori i ZPMB ti printe këtij procesi) lidhur me Udhëzimin Administrativ për lejeqëndrim në Kosovë, dhe nuk jep asnjë informacion lidhur me kriteret e reja sepse nuk din, është në terr informativ sepse nuk ka kontribuar asgjë në këtë drejtim por, jep informacione vetëm aq sa qytetarët mund të informohen në sportelin e “Zyrës për të huaj”, ose nga sigurimi që përkujdeset për mbarëvajtje, dhe rroga e të cilit nuk është sa e Koordinatorit të Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në komunën e Gjilanit.

“Raporti” i tillë është skandaloz edhe për një fakt tjetër interesant, Lutfi Haziri “nuk ka mundur” të e gjeje asnjë luginas që do ti përfaqësonte me dinjitet por, e ka vendosur dikë që nuk e njeh aspak kauzën e luginasve, nuk është nga lugina dhe nuk ka kurfarë lidhje me luginë, edhe pse kjo Zyrë është hapur vetëm për luginas, nuk e di me çfarë të drejte një qytetarë nga Gjilani vendoset aty?

Ky “raport” askund nuk përmend evidentim të problemeve, dalje në teren e takim me qytetarë luginas prej afër, për ti dëgjuar hallet e problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë. Nuk përmendet asnjë vetëiniciativë për të bashkëpunuar si institucion i luginasëve me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, dhe të njoftohet për gjendjen dhe kushtet ekonomike, sociale, arsimore në të cilat jetojnë komuniteti luginas në Gjilan, dhe kërkesat e tyre ti delegoje në zyrën e kryetarit të komunës, i cili ka shumë fjalë e aspak punë për Luginë.

Nuk përmendet ndonjë takim me policinë për ti njoftuar e rifreskuar me shifra se sa qytetarë mund ti hasin pa dokumente identifikimi në Gjilan. Nuk përmendet se është takuar me Drejtorin e Spitalit Rajonal në Gjilan dhe QKMF-të e lagjeve ku jetojnë qytetarët luginas, për të gjetur mirëkuptim për ata të cilët nuk kanë dokumente identifikimi të mos detyrohen ti nënshtrohen pagesave nga të cilat lirohen qytetarët e Kosovës. Askund nuk u përmend ndonjë takim me Ministrin e Punëve të Brendshme, apo takim me Koordinatorin e Divizionit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Por as ndonjë takim me përfaqësuesit politik të luginasëve. Në të ashtuquajturin ‘raport’ nuk ka prezentuar ndonjë takim me kryetarin e komunës së Gjilanit për të kërkuar vëmendje dhe investime konkrete në lagjet ku jetojnë komuniteti luginas në Gjilan, të cilat tani e 19 vite nuk kanë kanalizim, ujësjellës, ndriçim, transport për nxënësit dhe të moshuarit, maltretohen verë e dimër, si dhe nuk janë interesuar as për familje të cilat nuk mund të përgaditen për sezonën e dimrit, e as nuk mund ti nënshtrohen ndonjë skeme sociale për të përfituar ndonjë ndihmë nga komuna. Nuk është përmendur ndonjë marrëveshje e arritur me drejtorin e Bibliotekës për ti mundësuar regjistrim të lehtë në bibliotekën e qytetit studentëve nga lugina, të cilët nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës. E as ndonjë marrëveshje me Drejtorinë e Arsimit, atë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dhe të Shërbimeve Publike.

Neve jemi të njohur me veprimtarinë dhe arsyen e hapjes së ZPMB-së, i kemi parasysh kompetencat dhe mundësitë të cilat i posedon kjo zyre por, duke u bazuar gjithnjë në “raport”, shihet se Koordinatori aktual të cilit pritet ti vazhdohet edhe për 6 muaj kontrata në vlerë 400 €, nuk ka qenë në gjendje të e arsyetoje pagën e tij as 0.01 %!.

Për të mos thënë se është skandal në vete emrimi i tij në këtë pozitë, ky person mund të e përfaqësoje ndoshta Lutfi Hazirin dhe ekipën e tij, por jo luginasit në asnjë mënyrë sepse nuk ka asgjë të përbashkët me Luginë. Ne si luginas nuk kemi mbetur në atë gjendje sa ndonjë militant partiak i Lutfi Hazirit të na përfaqësoje në institucione. Kemi kuadro dhe kapacitete të cilët do të ishin më meritorë dhe më të përgaditur në krye të ZPMB-së.

Raporti

ZYRA PËR PRESHEVË BUJANOCË DHE MEDVEGJË

Raporti i punës për periudhën janar-qershor 2019

Në pika të shkurta do t’iu paraqes raportin gjashtëmujorë 2019, të zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë 2019, lidhur me punën dhe aktivitetet që do t’i kem si zyre e që si zyre funksionojmë në kuadër të zyrës së Kryetarit të Komunës.

Gjatë kësaj periudhe gjashtëmujorë kemi mbajtur takime të rregullta me Zyrën për Azil dhe Migracion, MPB- Prishtinë, ku kemi diskutuar për qytetaret e Kosovës Lindore dhe jam njoftuar se së shpejti do të hyn në fuqi një Udhëzim Administrativ i cili udhëzim do t’ua mundësojë këtyre qytetarëve pajisjen me dokumente identifikimi të përhershëm ose të përkohshëm deri në plotësimin e kushteve për marrjen e Shtetësisë së Kosovës.

Ky udhëzim Administrativ është i gatshëm tani sipas informatave që kemi është nënshkruar nga ministri i MPB-së, dhe ka kaluar dëgjimet publike, po sipas zv.ministrit z. Zeka, tani janë duke kompletuar stafin dhe zyrat për shkak se pritet një fluks i madhe i qytetarëve për t’u pajisur me dokument identifikimi.

Gjatë kësaj periudhe në vazhdimësi kam pasur takim me qytetarët e Kosovës Lindore dhe të Maqedonisë së Veriut, i kam njoftuar lidhur me përmbajtjen e këtij udhëzimi administrativ i cili udhëzim ia lehtëson procedurat e nxjerrjes se letërnjoftimit të përkohshëm dhe të përhershëm edhe pse këta qytetar nuk kanë asnjë dokument identifikimi qoftë edhe nga shteti që vinë.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe e deri më tani në zyre kanë qenë rreth 650 qytetar nga Kosova Lindore, Maqedonia Veriore që jetojnë në Gjilan, ku i kam pritur dhe të gjithë këta i kam njoftuar rreth këtij udhëzimi administrativ, i cili udhëzim siç e ceka më lart bënë lehtësirën e procedurave për t’u pajisur me letërnjoftim të përkohshëm apo të përhershëm.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE