DYLON

Raporti i kryetarit për punën e vitit 2015, rekomandohet për Kuvend Komunal

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa, në enjten, në takimin e radhës, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës, për vitin 2015 dhe e ka rekomanduar për Kuvend Komunal, sikurse edhe propozim vendimin për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të vitit fiskal 2014 e 2015, në vitin fiskal 2016, propozim vendimin për garancion të qëndrueshmërisë operative dhe financiare për Ndërmarrjen në themelim “Tregu” në Gjilan.

Po ashtu KPF rekomandoi për Kuvend Komunal edhe propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të Shoqatës “Hendikos” dhe Qendrës për kujdesin ditor “Pema” në Gjilan, kurse Planin e punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSBB) e ka shtyrë për takimin e javës së ardhshme, me propozimin e Nevzad Isufit (VV), meqë materiali kishte ardhur me vonesë.

EkoHigjiena

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në raportin e tij të punës për vitin 2015, ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve kryesore, duke nënvizuar progresin e gjithmbarshëm, disiplinën fiskale, subvencionet e shtuara, të hyrat komunale të rritura.

Në vitin 2015 kemi arritur një progres të kënaqshëm, duke i përmbushur kërkesat e qytetarëve të komunës në masë të madhe, si dhe duke qenë në vazhdimësi të gatshëm që të punojmë për të arritura të mëtutjeshme.

“Ne e përmbyllëm një vit fiskal, me disiplinë të ashpër buxhetore dhe me shpenzime minimale. Mjetet e kursyera buxhetore i kemi orientuar në subvencione për kulturë, rini e sport, pastaj në infrastrukturën rrugore, kanalizime dhe ujësjellës, apo në investime të tjera publike”, ka thënë Haziri.

Ai është optimist se këtë vit, do të arrihen rezultate edhe më të mira nga partneriteti me qeverinë dhe donatorët e jashtëm.

Investitori i më madh në Gjilan, aktualisht është Qeveria e Zvicrës e cila pritet ta rehabilitojë rrjetin e ujësjellësit për të gjitha fshatrat. Partneri i dytë i madh është Komisioni Evropian me të cilin kemi projektet e parkut në lagjen Dardania, bibliotekën e qytetit dhe stadiumin e vogël.

Po ashtu në Gjilan është e pranishme me investime edhe Qeveria Amerikane me të cilën në Dardani do të ndërtohet çerdhja për fëmijë, mandej Qeveria Turke, e cila në shkollën “Abaz Ajeti” do të ndërtojë çerdhen tjetër për fëmijë dhe shumë programe të tjera që janë në interes të Gjilanit.

Në shëndetësinë primare kemi arritur që ta rehabilitojmë pjesën më të madhe të infrastrukturës. Në bashkëpunim me KARITAS-in, kemi punësuar një numër të mjekëve të rinj dhe të teknikëve të medicinës, për t`i mbuluar me kuadër edhe punktet në Vërbicë të Zhegocit, Shurdhan dhe të tjera.

Po përfundohen edhe punët e lëna përgjysmë nga qeverisja e kaluar, ku deri tani janë investuar afër 600 mijë euro. “Mirëpo, ne duhet të bëjmë prerjen e punëve, për të parë se çka ka ndodhur me ato projekte”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Komunës ka premtuar se problemi i ujërave të zeza do të zgjidhet njëherë e mirë për Gjilanin, në bashkëpunim më qeverinë e Austrisë dhe Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës. Projekti përfshin 54 km kanalizime, rregullimin e shtratit të lumit Stanishor dhe përfundimin e shtratit të lumit Mirusha. Në këtë projekt nuk hyn vetëm pjesa urbane, por edhe të gjitha fshatrat e Komunës së Gjilanit.

Po punojmë me qeverinë që në fazën e dytë të ndërtojmë një impianti dhe përfundimisht të mbyllet problemi i ujërave të zeza. Lajmi më i madh është se punimet fillojnë sivjet dhe duhet të realizohen brenda kalendarit të paraparë në afat prej një viti.

“Përfundimisht, me asfaltim të rrugëve në qytet dhe fshatra si dhe me fillimin e punimeve në autostradë, Gjilanin po e nxjerrim nga balta dhe po e lidhim me korridoret ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.

Në raport, ai ka përmendur edhe ndërtimin e trotuareve dhe rrugëve hyrëse-dalëse me katër krosi, investimet në bujqësi, ndërtimin e 25 shtëpive për rastet sociale, projekt ky që do të vazhdojë dhe të tjera.

Nevzad Isufi (VV) ka thënë se materialet e drejtorive, të cilat janë të përfshira në raportin e punës së kryetarit të Komunës, do të duhej të kishin edhe të dhënat financiare, për të qenë më bindës.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se ky është një raport pune i kryetarit të Komunës, ndërkaq shpenzimet e drejtorive do të pasqyrohen në raportin financiar, i cili do të vijë para këshilltarëve në muajin mars.

Sa i përket propozim-vendimit për bartjen e mjeteve të pa shpenzuara, Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka sqaruar se bëhet fjalë për në shumë prej një milion e dy mijë euro, mjete këto që kryesisht kanë ardhur në fund të dhjetorit dhe janar, pas mbylljes së vitit fiskal, nga gjobat në trafik, gjobat nga gjykatat dhe Agjensioni Pyjor i Kosovës.

Valentina Bunjaku Rexhepi ka kërkuar që të shikohet mundësia që një pjesë e këtyre mjeteve të barten te Kuvendi Komunal, të paktën 10 mijë euro, meqë buxheti vjetor prej 15 mijë euro, nuk është i mjaftueshëm për aktivitetet e Kuvendit dhe të Komiteteve.

Bujar Nevzati (PDK) ka kritikuar Komunën për mbetjen e këtyre mjeteve pa i shfrytëzuar dhe ka kërkuar informatë për ndarjen e subvencioneve të vitit 2015 nga zyra e kryetarit, kurse Zijadin Maliqi, në përgjigjen e tij, ka thënë se shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së e ka marrë informatën me shkrim në këtë pyetje.

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se bartje të mjeteve të mbetura, nga një vit fiskal në një vitin tjetër, ka pasur gjithmonë dhe përse ndodh kjo, përgjigjen e dha drejtori i financave, ka thënë ai.

Po ashtu, KPF rekomandoi për Kuvend Komunal edhe kërkesat e Shoqatës “Handikos” dhe Qendrës ”Pema” për subvencionim të aktiviteteve, me vërejtjen që t`i bashkëngjitet edhe arsyetimi i shpenzimit të mjeteve të vitit paraprak. /2L ONLINE/