/2L ONLINE/ – Njëra ndër pikat e rendit të ditës së seancës së fundit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, rreth të cilës u diskutua shumë, ishte edhe Raporti i punës i Kryetarit të Komunës së Gjilanit për periudhën Janar- Qershor 2015, por që një raport i tillë nuk ia mbushi syrin Nevzad isufit, shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Më poshtë po e japim fjalën e tij të plotë rreth raportit gjashtë mujor të punës së Kryetarit të komunës, që Isufi e paraqiti para kuvendarëve në emër të Grupimit të Këshilltarëve Komunal të Vetëvendosjes”
“Çështja e raportit të punës së Kryetarit dhe të qeverisë së tij, shqyrtimi i tij, do të duhej të ishte mjaft me rëndësi, për të parë sa është punuar për një gjysmë viti, cilat kanë qenë çështjet prioritare, cilat janë realizuar më mirë, cilat janë përfunduar me afat e cilat kanë ndikuar në përmirësimin, lehtësimin a rregullimin e jetës së qytetarëve. Zakonisht kur kryhen shumë punë të mira s`ka nevojë për shumë përgjithësime, por vetëm numëron ato-punët e kryera dhe kështu ato flasin vet dhe kështu i iket përgjithësimit e mbajtjes së ligjëratës. Prandaj me të drejtë quhet raport i punës së Kryetarit e jo informatë e punës së Kryetarit, e as ligjëratë e kryetarit. Nga shqyrtimi i deri tashëm i disa raporteve mua më ngjanë se janë tepër njëformëshe dhe në vazhdën e tyre është edhe ky, mbase atë e përgatisin të njëjtit njerëz, apo kanë krijuan modelin, nga i cili e kanë vështirë të dalin dhe si të tillë ia servojnë kryetarit. Në raporte mjaftë domethënëse janë shifrat, por për ne është me rëndësi të dihet edhe si kemi arritur te këto shifra, për t`u bindur se çdo gjë ka shkuar mirë dhe në rrugën e duhur.
Pra, do të duhej të kemi të bëjmë me raportim të shkurtë, të çartë dhe konkret, prandaj, raportimi si në pjesën për buxhetin, me shifra përqindje, po të ndiqej edhe për resorët tjerë do të ishte shumë më mirë.
Por te raporti për ekonominë menjëherë kalohet në teoritizime, si p.sh. kur fillohet me bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar etj., thua se bëhet fjalë për qeverinë qendrore të Republikës. Të mos harrojmë se jemi duke folur për një qeveri komunale para se gjithash. Në pjesën tjetër më shumë flitet për synime, se për punët e realizuara e të kryera. Përmenden projekte me organizma ndërkombëtar, por nga ta vetëm një është konkretizuar, pra ai për organizimin e panairit “Gjilani 2015”. Natyrisht, se këtu përmenden edhe projekte me rëndësi që kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturën, që kapin shumë prej 24.420.472€, që do të ishin tejet me vlerë për komunën tonë, por ato vetëm është mbajtur konferencë e donatorëve, por s’ka asnjë shenjë për to, se kur fillojnë e as kur realizohen, pra tash për tash mbeten projekte të fantazuara që i referohen një të ardhmeje të pa përcaktuar. Njëjtë qëndron puna edhe me programet për bashkëpunim ndërkufitar, Programin BE-EURED dhe “programin Kosova e bukur”, ta zëmë për ndërtimin e parkut “ Dardania”, përkundër përmbylljes së fazë së tenderimit që në qershor, ende nuk është bërë as vlerësimi e lëre më fillimi i punimeve. Edhe dy projektet tashmë kaherë të filluara edhe nga qeveria komunale e kaluar, donacione evropiane, Biblioteka e qytetit, aq shumë e nevojshme edhe për faktin se jemi bërë qytet universitar dhe kemi shumë mungesë të hapësirës për lexim për studentët, por edhe tereni sportiv mbi hallën e sporteve qenkan në proces sipas jush, por mos harroni se disa procese zgjasin pafundësisht.
Te raporti për administratën, po thuhet se ka rritje të efikasitetit në rritjen e shërbimeve, po nuk është paraqitur asnjë e dhënë as me përqindje as me ndonjë tabelë krahasuese, për ta bërë me konkret këtë efikasitet.
Te pika 4 e raportit të Kryetarit, janë përmbledhur në një vend shëndetësia, arsimi dhe kultura, që zënë vend pak më shumë se një gjysmë faqeje, ku në dy fjali përmblidhen çështjet sociale por s’ka asgjë për shëndetësinë, pak fjalë për arsimin, infrastrukturën apo për disa projekte të posa filluara e për disa që pritet të përfundojnë, nëse përfundojnë, ca fjalë për manifestimet kulturore, ku teatri as që figuron diku, sikur të ishte një fjalë ogurzie, ashtu siç nuk është përmendur as në raportet e mëhershme e për gjendjen e tij tashmë e dimë të gjithë pasi e kemi diskutuar edhe në kuvend.
Në pikëm 5 të raportit të kryetarit është përmbledhur shkurtimisht infrastruktura dhe urbanizmi, ku theksi vihet te mirëmbajta verore e rrugëve, i cili siç e dimë dhe e shohim të gjithë bëhet në kohë të papërshtatshme dhe me vonesë, madje jo me cilësi të duhur.
Në urbanizëm përmenden disa plane rregulluese të hollsishme si “Fidanishte 2”, Qendra 2”, “Qarku 3” etj., dhe për ne është e çuditshme, sepse edhe më tutje harxhohet kohë, mund e para për projekte të tilla, të cilat nuk gjejnë zbatim, madje edhe ato të bëra më herët janë të pazbatueshme, sepse janë prishur nga ndërtimet pa leje e pa përfillur kriteret e planeve rregullative. Pra, tash në vend se ndërtimeve t`u paraprijnë planet e projektet, tash u prijnë ndërtimet pa plan e pa leje e kritere ndërtimi.
Për transparencën, mund të flitet gjatë por ajo është aq e madhe sa ata 6-7 rreshtat që ju ia keni kushtuar asaj.
Te puna e drejtorive, do të veçoja se përgjithësisht po thuhet se janë kryer shumë aktivitete e projekte, por mbetet mangësi realizimi i tyre, kemi projekte e pilot projekte, të cilat ende nuk kanë gjetur zbatim por që referohen më shumë si realizime në të ardhmen. Veçanërisht qëndron dobët sektori i inspeksionit e posaçërisht ai i ndërtimit, por edhe sektorët tjerë të tij nuk qëndrojnë më mirë, shikoni shifrat, ato flasin vet, ose shikoni realizimin e të hyrave te raporti i buxhetit, ka vetëm shpenzime në paga dhe asgjë tjetër.
Pra, thënë përgjithësisht raportit i mungon një çasje, e cila do të ishte qenësore, punët e kryera deri më tash e jo referimi në masë kaq të madhe së ardhmes, për ndryshe titullit do të duhej shtuar edhe këtë, pra planet e punës në të ardhmen”
Nevzad Isufi