Raporti i Isës, komentohet zi e bardhë!
/2L ONLINE/ – Në një debat organizuar nga OJQ “Anamorava”, u bë prezantimi i një raporti për punën e Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe trupave të saj përgjatë vitit 2015, të cilën e bëri Isa Shefkiu, por që për të gjeturat e këtij raporti, përgjatë debatit, nuk u gjet ndonjë mes, në vlerësimet që i dhanë akterët e këtij debati, pasi ato u dhanë, zi e bardh, bazuar nga tabori përkatës, dhe se derisa për pozitën, një raport i tillë është jo profesional, i pasaktë, jo i drejt dhe aspak real, për opozitën, kjo organizatë përkatësisht monitoruesit e saj kanë bërë një punë të mirë dhe se të gjeturat e raportit janë reale, përjashto lëshimet teknike, është një raport profesional që Kuvendi duhet marrë për bazë në punën e mëtutjeshme të tij.
Ndonëse raporti për monitorimin e Kuvendit për vitin 2015 ishte shpërndarë më parë, Isa Shefkiu nga OJQ “Anamorava”, prezantoi shkurtimisht të gjeturat dhe se raporti i monitorimit të Komunës për vitin 2015, në shumicën e sektorëve të ekzekutivit dhe legjislativit përmbante vërejtje, shkelje ligjore të evidentuara, e lëshime tjera të cilat sipas Isa Shefkiut, rekomandimet janë të domosdoshme për t’u marrë parasysh.
Por, me këtë konstatim nuk është pajtuar kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila vlerësoi se raporti i OJQ “Anamorava” është i pasaktë, jo i drejt dhe nuk paraqet gjendjen reale.
“Ky raport është jo i saktë, jo i drejt, jo profesional dhe nuk paraqet gjendjen reale të punës së Kuvendit dhe trupave ndihmës të tij gjatë vitit 2015. Raporti ka shumë gabime teknike e gjuhësore dhe kjo na e bënë shumë të vështirë çka në të vërtetë ka dashur të thotë monitoruesi”, tha Bunjaku Rexhepi.
Ajo tha se në shumicën e pikave të paraqitura, raporti ka kritika të pavenda, gjetje që nuk qëndrojnë fare, nga monitoruesi janë bërë konstatime personale, mendime të tija, hamendësime, dhe analiza politike të tija, që nuk kanë vend në një raport nëse ai do të quhej profesional. Megjithatë ajo ka shfaqur shpresën se në raportin e radhës nuk do të përsëriten ato, por do të bëhet një raport real e profesional sepse ky nuk është i tillë.
Ndërkaq, opozita pati fjalë të mira për raportin. Riad Rashiti nga radhët e PDK-së, e ka mbështetur raportin duke thënë se ai është real dhe në përputhje me realitetin e mënyrës së qeverisjes komunale dhe të gjeturat në këtë raport janë ato të cilat si opozite në vazhdimësi i kanë ngritur gjate vitit 2015.
“Njëra nga çështjet te cilat ne pajtohemi plotësisht me këtë raport, është vërejtja serioze lidhur me mos transparencën e ekzekutivit komunal ne Gjilan. Ne si anëtarë te KK gjate vitit 2015 jemi penguar edhe fizikisht që të qasemi në dokumentet zyrtare edhe pse këtë na ka lejuar ligji VL dhe rregullorja e punës se KK. Frika e pushtetit komunal për te informuar anëtarët e KK dhe qytetarin e Gjilanit dhe komunikimi i ashpër i pushtetit me ne si opozitë dhe me shoqërinë civile, janë shenja se ka parregullsi dhe shkelje te shumta ligjore deri ne keqpërdorime nga ana e qeverisjes komunale”, ka thënë Rashiti.
Rashiti tha se ka shumë shkelje ligjore dhe procedurale që janë konstatuar nga institucione te ndryshme të vendit dhe po ashtu mosrespektimi i vendimeve të KK nga ekzekutivi i komunës. arroganca e votave ka qenë karakteristike negative e Kuvendit Komunal, duke marr vendime të njëanshme dhe të dëmshme, që e kanë përcjellë punën e asamblistëve të koalicionit qeverisës.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Avdyl Aliu, ka qenë shumë i ashpër në fjalën e tij duke ironizuar tejmase dhe se ai këtë raport e ka vlerësuar si kohë e harxhuar, dhe letër e hargjuar, pasi sipas tij, nuk është fare në përputhje me realitetin. E vërteta është krejt ndryshe dhe është një raport që ka mangësi edhe elementare, ka huqje totale, pasaktësi sa të duash, dhe si i tillë nuk është për t’u vlerësuar fare, tha ai.
Madje Aliu shkoi rresht për rresht duke e mohuar çdo të gjetur të raportit, duke ironizuar madje me thënien: “në terr është kërkuar macja e zezë”. Po ashtu ai tha se po ta shohësh këtë raport do të thuash se kemi të bëjmë me një kronik të zezë, e kjo nuk qëndron, por e sakta është se raporti nuk është në harmoni me realitetin. Edhe kolegu i tij i partisë Nevzad Rushiti tha se nuk është krejt zi siç është paraqitur në raport sepse në Kuvendin Komunal është punuar.
Shefi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Nevzad Isufi, ka deklaruar se pajtohen me shumicën e gjetjeve të raportit, të cilat sipas tij, kanë qenë vërejtje të vazhdueshme edhe të subjektit që ai i takon dhe se sipas tij nuk është mirë që pozita qysh në start të pozicionohet kundër këtij raporti, por duhet marrë gjetjet e qëndrueshme dhe reflektuar në bazë të tyre.
Për Ismajl Kurteshin e Vetëvendosjes, raporti nuk duhet parë me tendencë por të gjeturat e saj duhet ta ndihmojnë punën e mëtutjeshme të Kuvendit dhe se kundërshtimet e të gjeturave pa u bazuar në ligj, fakte… por vetëm në vlerësime të lira, nuk janë të qëndrueshme. Edhe kolegu i tij i Vetëvendosjes Fehmi Sylejmani tha se është bërë një punë e mirë në këtë raport dhe nga ajo që ka parë aty ka gjetje të qëndrueshme që pasqyrojnë shkeljet, lëshimet dhe defektet e Kuvendit, të cilat po ashtu i ka bërë të qarta edhe Vetëvendosja në Kuvend. Ai nuk u pajtua me deklaratat e pozitës që mohuan gjetjet për jotransparencë, që deklaruan se ka pas transparencë, sepse siç thotë Sylejmani nuk është transparencë vetëm puna e informatave që dalin nga zyra e informimit, por janë edhe pyetjet dhe kërkesat e opozitës në adresa të caktuara, që nuk po marrin përgjigje akoma. e kjo dëshmon dhe nuk mund të quhet ndryshe përveç mungesë e transparencës.
Nga shoqëria civile Hekuran Aliu tha se nga ky raport kishte veçuar pjesën që flitet për vendime të paligjshme që për të janë shqetësuese, po ashtu ai tha se qëndrojnë edhe gjetjet për mostransparencë por kritika ka ai edhe në qasjen jo të mirë që e kanë anëtarët e kuvendit me publikun, e edhe Shaban Terziu, po nga shoqëria civile, u shpreh se ka mungesë të transparencës në Kuvend dhe Këshilltarët Komunal nuk janë të pavarur, por shohin si veprojnë shefat e tyre, për të vepruar edhe ata ashtu.
Në debat, vlerësimet e tyre i kanë dhënë edhe anëtarë tjerë të partive politike, sikurse edhe nga shoqëria civile, që kryesisht shkonin në dy drejtim, në mohim të të gjeturave si joreale dhe të pasakta, si dhe në mbështetje të të gjeturave dhe kërkesën që ato duhet të pranohen, të përmirësohen si dhe rekomandimet të zbatohen në praktik. /2L ONLINE/
