Raportet NATO-Kosovë, integrimi në këtë Organizatë, cila është rruga që duhet ndjekur dhe sfidat?!

Raportet NATO-Kosovë, integrimi në këtë Organizatë, cila është rruga që duhet ndjekur dhe sfidat?!

Aleanca Veri-Atlantike promovon politikën e dyerve të hapura për të gjitha vendet që aspirojnë të anëtarësohen në këtë organizatë, në këtë proces çdo shtet duhet t’i plotësojë pesë kriteret bazike e që janë:

Shkruan: Sabedin Sinani

-Vendet aspiruese duhet të jenë vende demokratike, me sundim të ligjit dhe duke respektuar të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

-Të kenë një ekonomi të qëndruar të tregut të lirë.

-Forcat e tyre ushtarake duhet të jenë nën kontroll të fortë civil.

-Të kenë politikë për fqinjësi të mirë dhe të respektojnë sovranitetin e vendeve të tjera.

-Vendet duhet të punojnë drejt arritjes së standardeve dhe të integrohen me forcat e NATO-s.

Procesi i integrimit në këtë Aleancë nuk është vetëm proces i transformimit të ushtrisë, por duhet që të ndodhë një transformim i gjithë shoqërisë, për të qenë aleat i besueshëm dhe i fuqishëm duhet të jemi shtet me vlera të përbashkëta me NATO-n, e të cilat janë:

Shoqëri demokratike me sundim të ligjit dhe ndarje të pushteteve, stabilitet ekonomik dhe politik(qeverisje stabile) dhe orientim i pastër Euro-Atlantik.

PSE KOSOVËS I DUHET INTEGRIMI NË NATO

Në zbatimin e prioriteteve të Politikës së jashtme dhe të Sigurisë, Republika e Kosovës ndjek vlerat, interesat dhe qëllimet të cilat janë bazë dhe në të njëjtën kohë forca lëvizëse e progresit të shoqërisë  tonë dhe shtetit në përgjithësi, i cili përcakton pozitën e sajë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Zhvillimi i Raporteve mes Kosovës dhe NATO-s.

Republika e Kosovës dhe NATO në nivelin politik të tyre nuk kanë asnjë raport bilateral, për shkak të mos njohjes nga katër vendet anëtare, e që janë Greqia, Slovakia, Spanja dhe Rumania.

I vetmja marrëdhënie është Zyra e NATO-s në FSK e cila monitorin dhe këshillon Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në vitin 2016 kryeministri i atëhershëm i Kosovës z.Isa Mustafa i kishte dërguar një letër Sekretarit Gjeneral të NATO-s, për të nisur bashkëpunimin dhe bashkëveprimin mes RKS dhe NATO-s, që të fillon raporte zyrtare dhe të fillojet me hapat e integrimit.

Sekratari Gjeneral z.Jens Stoltenberg në përgjigjen e tij dërguar kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, kishte identifikuar fushat e bashkëpunimit të përparuar në të cilën thuhej se Institucionet e Kosovës mund të fillojnë bashkëpunimin me NATO-n në këto fusha:

-Programi i sigurisë kibernetike, trajnime, edukim dhe logjistikë.

-Programi i ndërtimit të integritetit dhe besueshmërisë institucionale.

-Programi për shkencë, paqe dhe siguri.

-Programi për Qendrën Euro-Atlantike për përgjigje nga fatkeqësitë natyrore dhe

-Programin në Diplomacinë Publike.

Pas ofrimit të kësaj mundësie nga Sekretari gjeneral i NATO-s, Qeveria e Kosovës do të duhej ta ndërtojë një Këshill Kombëtar për Integrim në NATO, dhe të intensifikohej procesi i Integrimit në këtë Aleancë, pasi që një derë sado e vogël ishte hapur dhe ka rol fillestar për ndërtimin e besimit mes palëve.

Në vitin 2018, Zyrtarët e lartë të NATO-s për Ballkanin Perëndimor, kane dërguar shpeshherë porosi qofte përmes deklarimeve te tyre dhe kanaleve tjera diplomatike për Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës qe udhëhiqej nga  z. Behxhet Pacolli, që të ndërrohet orientimi i angazhimeve nga MPJ e  Kosovës. Nga orientimi drejtë Afrikës dhe vendeve të largëta, pa interes afatshkurtër dhe afatmesëm, por  të orientohet dhe fokusohet në procesin e shtetndërtimit dhe imazhit në Evropë, respektivisht në shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-s.

Qeveritë e deritanishme, nuk kane patur një  strategji konkrete të bashkëpunimit me NATO-n, duke vënë në prioritet, institucionet, fushat dhe ekspertizën që i janë të nevojshme për të vazhduar procesin e Integrimeve në NATO.

Qeveria e tanishme dhe kushdo qofte në qeveri duhet që me urgjence ta fusë në top agjendë  këtë çështje dhe ta ketë prioritet Integrimin në NATO.

Kosova duhet të ndërtojë një strategji të integrimit dhe bashkëpunimit me NATO-n, duke angazhuar të gjitha institucionet relevante në procesin e integrimit dhe të mendoje se cila është vlera e shtuar që mundet të ofron NATO-s! /2LONLINE.com/

/Sabedin Sinani, KYATA (Kosovo Youth Atlantic Treaty Association) Njohës i Integrimeve Euro-Atlantike/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE