(2L ONLINE) – Drejtues të Drejtorisë Komunale të Bujqësisë në Gjilan thanë se janë të kënaqur me atë që po shohin në nismë të regjistrimit të bujqësisë që parashihet të bëhet në tërë territorin e Gjilanit, projekt ky që po vlerësohet tejet i rëndësishëm.
Ramiz Ramadani, drejtor i Drejtorisë Komunale për Bujqësi ka thënë për Portalin 2L ONLINE se ky proces ka nis më 1 nëntor dhe zyrtarisht pritet të përfundojë me 20 nëntor, ndonëse po që se është nevoja mund edhe të zgjatet deri në kryerjen e regjistrimit të plotë.
Ramadani e vlerësoi si tejet të rëndësishëm këtë proces që ka nis edhe në territorin e Gjilanit, duke thënë se është një ngjarje më e madhe në Bujqësi, në 50-60 vitet e fundit. Sipas tij, qëllimi i këtij regjistrimi është krijimi i një databaze të saktë që do të shërbejë pastaj për planifikime të duhura për këtë sektor tejet të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës
Ai tha se janë angazhuar të gjithë kontrroluesit, mbikëqyrësit e regjistruesit dhe se po punohet në terren që të regjistrohen që të gjitha ekonomitë bujqësore. “Në këto ditë të para, po shihet se është një nismë e mbarë, ky proces është duke u zhvilluar normalisht, qytetarët po i përgjigjen mirë dhe se nuk asnjë problem në të cilën kanë hasur regjistruesit në terren”, tha ai.
Ramadani tha se janë 97 regjistrues aktiv dhe 7 rezervë që po punojnë në terren dhe se bashkëpunim i qytetarëve me ta është i shkëlqyeshëm. Do të regjistrohet toka bujqësore, bagëtitë, mekanizmi, pemët, bletët…
Megjithatë Ramadani kërkoi nga të gjithë që të përkrahin këtë proces, që ato ekonomi familjare bujqësore dhe ato subjektet juridike bujqësore, të bashkëpunojnë plotësisht, të japin përgjigje të sakta e të plota regjistruesve, në mënyrë që të nxjerrin informacione të duhura sepse vetëm me këto informacione të sakta e të plota mund t’u ndihmohet autoriteteve për planifikimin e regjistrimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Regjistrimi i bujqësisë, pritet të jap të dhëna të detajuara për shfrytëzimin e tokës, numrin e blegtorisë sipas llojeve, kulturat bujqësore, ujitjen, përdorimin e plehrave minerale dhe organike, pesticideve, makinat dhe pajisjet bujqësore, objektet bujqësore, fuqinë punëtore në bujqësi dhe të dhëna të tjera.
Përndryshe, Regjistrimi i Bujqësisë, për herë të fundit në Kosovë është kryer në vitin 1960. Nuk ka pasur regjistrim tjetër të bujqësisë në Kosovë. Janë mbledhur disa informacione për bujqësi, përmes regjistrimit të popullsisë të kryer në vitin 1970-1981 dhe në vitin 2011. Këto informacione kanë qenë rreth shfrytëzimit të tokës, rreth blegtorisë dhe disa lloje të makinave bujqësore. Por, regjistrim të bujqësisë të mirëfilltë sipas standardeve ndërkombëtare në Kosovë nuk ka pasur, andaj edhe vlerësohet tani ky projekt si i një rëndëie tejet të madhe. /2L ONLINE/