DYLON

Ramadani: Do ta fusim edhe Gjilanin në listën e skuadrave të mposhtura nga ne! – Nuhiu: Le të ja lëmë fushës të flet, kam besim te futbollistët e mi!

Ramadani: Do ta fusim edhe Gjilanin në listën e skuadrave të mposhtura nga ne! – Nuhiu: Le të ja lëmë fushës të flet, kam besim te futbollistët e mi!
Avatar photo Redaksia

Të enjten, në stadiumin me bari sintetik në qytetin e Gjilanit do të zhvillohet derbi lokal, Drita – Gjilani, ndeshje e javës së 26-të e Superligës së Kosovës në futboll.

Është ky një derbi që përherë e ka pasur epitetin e një derbi të zjarrtë, por që ky “zjarr”, ka kohë që mund të thuhet se është “fashitur”, për shumë faktorë, e ndër to, mungesa e stadiumit, që aktualisht nuk e ka qyteti i Gjilanit, e për rrjedhojë edhe mungesa e publikut të zjarrtë në tribina, të mijëra tifozëve, nga të dyja tabore, intelektual” e “skifterë”, transmeton 2LONLINE.com.  

EkoHigjiena

Stadiumi ndihmës nuk i plotëson kushtet dhe edhe në ndeshje ne nesërme do tu lejohet vetëm një pjese të vogël të jetë e pranishme edhe atë, tifozëri e nikoqirit.

Në këtë vazhdë, kontribut në zbehje të derbit, si duket është duke e dhënë edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila, së paku ka mundur që derbin në fjalë ta zhvendos, në njërën nga ditët e vikendit, e jo të enjten (ora 14:00), për t’iu mundësuar që edhe ai pak publik që mund ta ndjekë ndeshjen, ta ketë mundësinë (kohore) të jetë sa më i pranishëm, në ndonjë formë, qoftë brenda tribunës së pakët, qoftë edhe nga hapësirat jashtë stadiumit.

Sido që të jetë, nesër do të kemi ballafaqim të dy skuadrave gjilanase, të Dritës, që aktualisht është e para në tabelë, me synimin për titull kampioni dhe Gjilanit, i katërti në tabelë, në ndjekje të “trenit” që do ta dërgojë në Evropë, transmeton 2LONLINE.com.

“Zjarri” i derbit megjithatë, pritet të mos mungojë brenda vijave të fushës, pasi që të dyja këto skuadra, kanë lojtarë cilësorë, që e ndjejnë peshën e lojës, e derbit lokal, e mbi të gjitha të rivalitetit. Po ashtu “zjarr” mund të ketë edhe në bankina të këtyre dy klubeve, trajnerët e të cilëve i kanë drejtuar këto dy skuadra dhe kanë pasur derbi mes tyre edhe me emblema të dyanshme.

Sidoqoftë, Tani Drita, drejtohet nga Zekirija Ramadani, e Gjilani nga Ardian Nuhiu, dy trajnerë që vlerësohen lartë në Ligën e Kosovës dhe pritet që edhe ata, përkundër profesionalizmit që kanë, ta ndjejnë peshën e rivalitetit mbi supe, ani se rezervohen në deklarime.

Përndryshe, një fakt interesant në ballafaqimin e këtyre dy skuadrave është edhe ajo që, Drita që kryeson tabelën, ka plotë 54 pikë nga këto 25 xhiro, me shijen e 16 fitoreve, ndaj çdo skuadre, përveç ndaj Gjilanit, ku i ka hasur “gozhda në sharrë”.

Pra, në këto fitore të skuadrës liderë nuk përfshihet Gjilani, me të cilin përgjatë këtyre 25 xhirove, Drita është ballafaquar dy herë, ka një barazim dhe një humbje. Pra, skuadra e Gjilanit, nën drejtimin e Ardian Nuhiut, nuk ia ka mundësuar Dritës, që për timonier ka Zekirija Ramadanin, ta shijojë fitoren edhe ndaj kësaj skuadre në këtë kampionat, deri më tani.

Por, trajneri i Dritës, Zekrija Ramadani ka thënë se nesër është dita kur do ta fus edhe skuadrën e Gjilanit në listën e skuadrave që i ka mposhtur deri më tani në këtë edicion.

Se a do ta gjej formulën e fitores, ja çfarë thotë Ramadani.

“Ne e kemi formulën tonë që nga ndeshja e parë. Ne nuk i përshtatemi kundërshtarit, ne e kemi lojën tonë, kemi idetë tona që i punojmë gjatë çdo stërvitje dhe çdo javë dhe ne nuk ndryshojmë as përballë Gjilanit…  E kemi lojën tonë, strategjinë tonë dhe normal e japim maksimumin… Por, ekipi i vetëm që ka mbet pa u fituar nga ne është Gjilani, kështu që nesër futbollistët e kanë momentin e duhur për të treguar që mund ta shtimë në listën e skuadrave që i kemi mposhtur këtë edicion edhe Gjilanin”, transmeton 2LONLINE.com.

Në anën tjetër, trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu tha se nuk do të jep kundërdeklaratë në lidhje me këtë, por do të ja lë fushës të flet për këtë, pasi ka besim të plotë në futbollistët e tij, për ta marr maksimumin.

“Nuk kam kundërdeklaratë. Është sfidë e re dhe e di që ne duhet të bëjmë më shumë se në ndeshjet e kaluara që i kemi luajtur. Le të ja lëmë fushës, le të flet fusha edhe për atë, flasim nesër pas ndeshjes ta shohim se si ka rrjedhë çdo gjë. Besoj fuqishëm tek futbollistët, tek ata që janë akterë në fushë dhe besoj në një performancë të shkëlqyer  për ët marr më të mirën nga kjo ndeshje”, ka thënë Nuhiu, transmeton 2LONLINE.com.

Mbetet të shihet, epilogu i këtij takimi që do të luhet të enjten në ora 14:00, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. /2LONLINE/