Ramadan Rexhepi – prozator që duhet ta njohim mirëfilliAnton Nikë Berisha

Ramadan Rexhepi – prozator që duhet ta njohim mirëfilli

(Fjalë e mbajtur në Gjilan më 6 tetor 2018, në hapje të veprimtarive të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”)

Nga: Anton Nikë Berisha

Para vitit 1963, kur edicioni i revistës letrare “Jeta e re” nxori në dritë “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit, në ish Jugosllavinë, pra në Kosovë, qenë botuar pak vepra letrare në prozë e krejt pak me tregime. Më 1953 u botua përmbledhja me tregime e Sitki Imamit “Drejt ditëve të reja ”, më 1957 romani i Sinan Hasanit “Rrushi ka nisë me u pjekë”, më 1958 romani i Adem Demaçit “Gjarpijt e gjakut”, më 1958 “Vija e vërragë” e Ramiz Kelmendit, më 1959 romani i Rexhai Surroit “Besniku” dhe romani i Rexhep Hoxhës “Lugjet e verdha” (për fëmijë), më 1960 përmbledhja me tregime e Hivzi Sulejmanit “Era dhe kolona”, më 1961 përmbledhja “Tregime” e Anton Pashkut, “Dashnija dhe urrejtja” e Rexhai Surroit dhe romani “Karvani i bardhë” i Azem Shkrelit (versioni i parë, i dyti më 1996), më 1962 “Dy rrëfime” të Ramiz Kelmendit dhe proza “Rrethimi” i Tajar Hatipit.

Nga veprat me tregime në gjuhën shqipe të botuara në fillim të viteve ’60 në Jugosllavi , përkatësisht në Kosovë, veçohen sidomos “Tregimet” e Anton Pashkut dhe “Kumbonaret” e Ramadan Rexhepit (pa mohuar në asnjë mënyrë vlerën e vëllimit me tregime “Era dhe kolona” të Hivzi Sulejmanit, sidomos tregimet e qenësishme “Hijet në kuvertë” dhe “Miku im Xho ”).

Ramadan Rexhepi qysh si normalist ishte dhënë pas leximeve të veprave të prozatorëve të shquar botërorë. Nga një e dhënë e vetë autorit mësojmë se tregimin “Letra e vajzës bonjare” e shkroi në moshën njëzet vjeçare: “[…] isha i ri dhe zieja si lëndina e veshur me lulegjiza e lulebrigje ”.
Në tregimet e veta Ramadan Rexhepi përmbushi synimin ku dukuritë dhe idetë e ndryshme, dramat që e cilësonin jetën e tij dhe jetën e njerëzve të gjuhës dhe të gjakut të tij, shqiptohen përmes një gjuhe figurative, një sistemi shprehës të pasur dhe të mëvetësishëm poetik dhe teksti të jetë sa më komunikues: “Unë kujtoj që shkrimtari ka këtë rol. Të japë mesazh. Unë, gjithnjë mundohem të jem fjalë pakët. E thashë edhe më herët, ëndrra njeriun e ka ushqyer që të lëvizë ” ose siç do të thoshte Lasgush Poradeci: “Qëndro një nëpër ndryshime”. Kjo e përligj atë që thoshte Claude Simon (Klod Simon) se shkrimtari duhet të synojë të krijojë diçka tjetër përballë asaj që është shkruar më parë: “[…]

Ai që rekomandon sot si mo¬del Stendalin, Balzakun ose Tolstoin, nuk kupton se ata janë të mëdhenj për shkak se në kohën e vet kanë shkruar si asnjë tjetër më parë. Ata kanë lënë porosinë e pakënaqësisë së përhershme ndaj formave të vjetra letrare, të cilave u janë shman¬gur, duke zbuluar forma të reja, sepse, shkrimtari që përdor forma të vjetruara, përkundër orvatjeve për përmbajtje revolucionare, është krijues i cili nuk ka të thotë asgjë të re, dhe aq më pak të shprehë diçka revolucionare […]”.

Aftësinë e rrëfimtarit të mirëfilltë Ramadan Rexhepi e dëshmoi në tregimet dhe në romanet që i botoi deri më tani.

Po ndalëm përmbledhtas në tri veprat e tij: “Kumbonaret”, “Udhëkryqi” – “Stina e emrave të bukur” dhe “Dilemat e Emrush Dokos”.

Përmbledhja me tregime dhe novela “Kumbonaret” (Prishtinë 1963)e Ramadan Rexhepit, veçohet me një perceptim dhe shqiptim thellësor të botës sonë e të fatit të njeriut tonë, shprehur nëpërmjet një rrëfimi poetik të lartësuar e cilësor, të mbrujtur më tablo poetikisht të pasura, herë – herë të jashtëzakonshme, që me artin e madh e pushtuan lexuesin e kohës, po mbesin të tilla edhe për kohën tonë e për kohët që do të vinë.

Synimi kryesor i Ramadan Rexhepit qe ta krijonte tekstin sa më artistik që ishte e mundur, një strukturë tekstore që thotë më shumë se një kuptim dhe e cila do të ndikonte në lexuesin. Ai ishte i vetëdijshëm se kufizimi i mendimit në një tekst letrar jo vetëm do ta ngushtonte vlerën e tekstit të përftuar, po edhe përfilljen dhe ndikimin e tij.

Ky përcaktim vërehet jo vetëm në shqiptimin e kontrasteve të jetës konkrete e të botës së brendshme të personazheve, të tablove të pasura e të përshkrimeve të rralla poetike, po dhe të zbulimit të veçantive shpirtërore kur një person ballafaqohet me veten ose me të tjerët në rrethana të rënda të gjallimit.

Dy gjëra kushtëzuan veçantinë dhe pasurinë e tregimeve dhe të novelave të Ramadan Rexhepit të përfshira në vëllimin “Kumbonaret”: gjuha dhe mënyrat e shtjellimit të tekstit. Pa një gjuhë të pasur nuk mund të shkruhet një vepër e madhe e artit të fjalës, po as kjo nuk mjafton; shtjellimi gjuhësor shprehës është vendimtar dhe përcakton qenësinë e çdo krijese letrare poetike. Të shprehurit gjuhësor dhe imagjinata e pasur i kanë ndihmuar autorit të kësaj vepre t’i shqiptojë dukuritë në veçantinë e tyre, të kapë “vogëlsirat”, ato që shpëtojnë nga një vrojtim i rëndomtë, nga syri që nuk synon të depërtojë përtej asaj që sheh në të parë.

Romani “Dilemat e Emrush Dokos” (Malmö 2004)e Ramadan Rexhepit është një vepër satirike tragjike, që në krahasim me përmbledhjen me tregime e novela “Kumbonaret” dhe me romanin “Udhëkryqi” – “Stina e emrave të bukur” ka një gjuhë e stil tjetër. Në të autori shqipton pësimet, kundërthëniet dhe synimet e fshehta e të dëmshme të veprimeve politike të shqiptarëve në shtetet e Perëndimit, me përqendrim të veçantë në Suedi, qofshin ata individë ose grupe jo formale; përplasjet midis tyre, shprishjen shpirtërore, smirën, xhelozitë, paturpësinë dhe veset e tjera të shfaqura si rrjedhojë e përçarjeve dhe e interesave politike që ata përfaqësonin, si dëshmi e përçarjes dhe qëndrimit politik në Shqipëri dhe në Kosovë, ku komunizmi dhe enverizmi vazhdonin të rrënonin shpirtin dhe botën shqiptare në rrënjë.

Në mënyrë të veçantë Ramadan Rexhepi i qartëson dukuritë përmes shembujve dhe përbërësve të ndryshëm të veprimit të individëve ose të grupeve, sidomos patriotizmin e shpifur, që ishte bërë shumë i rrezikshëm. Nevoja që kundërthëniet, prapësitë dhe tragjikat, pra interesat e ndryshme, të ndriçohen në mënyrë sa më të plotë dhe thellësore, autori përdor një ligjërim ironik, po më pak figurativ. Me fjalë të tjera, rrëfimi në roman është konkret dhe përcaktues.

Nga dukuritë e vështruara në vepër dhe nga mënyra e ndriçimit të tyre dëshmohet një tragjikë e shumëfishtë që e cilësonte veprimin e shqiptarëve të ndarë e të përçarë në Suedi, po dhe në shtetet e Perëndimit, siç ndodhte kryesisht në vetë rrjedhën e jetës politike në Shqipëri dhe në Kosovë.

Romani “Udhëkryqi” – “Stina e emrave të bukur” (Prishtinë 2010), që u botua në Prishtinë me titullin “Stina e emrave të bukur” pa asnjë dyshim është kryevepra letrare poetike e Ramadan Rexhepit. Autori nisi ta shkruajë atë që në vitin 1957 dhe vazhdoi me vite të tëra, duke e rimarrë e përpunuar disa herë – për t’iu kthyer edhe në kohën e fundit. Në të ai përligji aftësinë dhe shkathtësinë e një rrëfimtari cilësor, gjë që vërehet sidomos në gjuhën poetike dhe në stilin që përdor, duke përftuar një botë sa të pasur aq dhe të mëvetësishme poetike, që nxit një komunikim të mirëfilltë.

Me mënyrën si u qaset dukurive të jetës konkrete, me gërmimin dhe me shpalimin e botës së brendshme të personazheve, të shqiptimit të pësimeve dhe të tragjikave të njeriut tonë në një kontekst konkret shoqëror e politik, sidomos të dhunës që u është bërë shqiptarëve nga pushtuesit e nënshtruesit sllavë,

Ramadan Rexhepi afrohet me prozatorët e mëdhenj si Balzaku, Shollohovi, Jakov Xoxe, Martin Camaj (me romanin “Rrathë”) etj. Ramadan Rexhepi niset nga realiteti konkret, po atë e ndërton përmes rrëfimit poetik sa të natyrshëm aq dhe të lartësuar. Ai gjakon të zbulojë dhe të shqiptojë kundërthëniet shoqërore dhe politike të mjedisit përkatës, tundimet shpirtërore, kundërthëniet e brendshme, shkakun e sjelljeve të tilla dhe pasojat në vetë shpirtin e njeriut. Personazhi kryesor, Ilir Kelmendi, ngërthen në vete shumësinë e intelektualëve që vuanin dhe pësonin, që përballoheshin me dhunën shtetërore dhe jetonin brenda marrëdhënieve të përmbysura, ku dëshmohej absurdi i veprimeve të organeve të shtetit e të pushtetit ndaj tij dhe ndaj bashkëkombësve.

Rrëfimi i Ramadan Rexhepit në këtë roman është i larmishëm dhe mirëfilli poetik, larg çdo retorike e patetike. Nga teksti dalin mendime të qenësishme e shumëngjyrëshe, që cilësohen me një drejtpeshim të madh; në secilin përshkrim dhe në secilën tablo poetike autori synon të jetë sa më i veçantë dhe në rrafshin sa më të lartë.

Me një fjalë romani “Udhëkryqi” dëshmon pasurinë dhe pjekurinë e prozës së autorit po dhe të prozës sonë në përgjithësi.

Ajo që thashë më lart përligj faktin se Ramadan Rexhepi është prozator që duhet ta njohim mirëflli. Kjo është në të mirën tonë si lexues dhe në të mirën e letërsisë sonë.

KOMENTE