Ramadan Kurti, aktori që i shërbeu skenës me përkushtim të madh
Ramadan Kurti, aktori që i shërbeu skenës me përkushtim të madh
Krijimtaria e artistit që i dha roleve frymë patriotike
Nga Isak N.Bilalli
Një emër tjetër nga plejada e artisteve të vjetër që shërbeu me devotshmëri, përkushtim e dedikim të jashtëzakonshëm në teatrin e qytetit të Gjilanit është padyshim Ramadan Kurti i cili shquhet për punën e tij pasionante në skenë.
Aktiviteti i tij i zhvilluar ndër dekada në skenë e bën emrin e tij të jetë i gravuar në historikun e këtij teatri si një nga kontributorët e këtij institucioni. Puna e tij e realizuar me dashuri e respekt ndaj institucionit ku ai shërbeu deri në pension njihet si një shërbim i veçantë sepse çdo rol që ky aktor ka marrë përsipër e ka realizuar me një përkushtim e dedikim shembullor. Me këtë lloj serioziteti ai kreu punën deri në pensionimin e tij por pavarësisht këtij statusi formal , Kurti vazhdon të jetë aktiv sepse mendon që puna dhe aktiviteti i aktorit është e pakufizuar për aq sa njeriut i punon mendja dhe trupi, aktori e ka vendin në skenë për ato role që i besohen për interpretim.
Aktori ushtron një detyre aspak të lehte dhe me shumë përgjegjësi
Zeja e aktorit për Kurtin është profesioni më i shenjtë dhe më i shtrenjtë pa te cilin një shoqëri nuk ka se si të funksionojë kur është në pyetje artikulimi i vlerave që një komb mëton t’i artikulojë. Përfaqësimi i këtyre vlerave në arenën e madhe që quhet skene, për Danin (siç e quajnë pjesa dërmuese e kolegëve) është gjithçka dhe është mision njerëzor nga i cili kërkohet sa më shumë pasurimi i njeriut me këto vlera.
Skena respektivisht teatri për te është frymim pa të cilin nuk mund të jetohet, apo më mire të themi është vetë jeta. Ne linja të përgjithshme sipas tij teatri paraqet edukatën, kulturën që ne kemi dhe përcakton orientimin se në çmasë a nivel duhet të përmirësohet respektivisht cilat aspekte edukative e kulturore duhet të ri-zhvillohen apo të avancohen. Për të i dhënë shpjegim me adekuat apo më mire te themi për te hedhur drite mbi nuancat e ndjesisë që të ofron skena, ai përgjigjet menjëherazi me fjalët: “ Teatri është frymëmarrja ime, skena është oksigjeni pa te cilin nuk mund te jetoj” citat R. Kurti.
Për më shumë, ky artist teatrin e percepton si transmetuesin më të përkryer për të përçuar mesazh tek populli që asnjë mjet i sofistikuar teknologjik nuk arrin ta realizoj më mire sepse përmes mesazheve direkte dhe te tërthorta te shpërndarë nga skena ndikohet në ngritjen e vetëdijes, traditës e kulturës se kombit.
Si u gjet Ramadan Kurti, në vorbullën e sfidave që kaloi teatri?!
Njësoj siç edhe karriera e tij ka qenë e përplasur në dallgët e zhvillimeve të forta politiko kulturore edhe rolin e teatrit ai e ndan në dy etapa zhvillimore respektivisht në periudhën e robërisë dhe pasluftën. Robëria, sipas aktorit Kurti është koha kur roli i këtij institucioni ishte mbijetesë nacionale sepse deri në arritjen e çlirimit nga okupatori serb, arti ka qenë fronti i parë i luftës me armikun respektivisht një nga armët më të forta që ka patur rezistenca intelektuale.
Sipas tij, puna për teatrin dhe në shërbim të tij është e barabartë me kontributin që kemi ndaj atdheut dhe se çfarëdo që bëjmë dhe sa bëjmë për të dyja është e pamjaftueshme. Me pak fjalë, teatri është atdheu për te cilin nuk duhet të pyesim se çfarë kemi bërë dhe a është realizuar mjaftueshëm për te, sepse asnjëherë nuk është boll. Kurti, mendon që shërbimi për teatrin është i pamjaftueshëm dhe për rrjedhoje nuk ndjehet i plotësuar. Pamjaftueshmërinë për profesionin e tij të shenjtë, thotë se e ndjeu thellë në shfaqjen e fundit “Parfumeria” të Haqif Mulliqit ku performoi para një viti si pensionist në të cilin rast thotë se për një moment ndalova dhe mendova, a kam bërë mjaftueshëm gjatë gjithë krijimtarisë jetësore në skenë?
Përgjigja është jo, nuk kam dhënë aq sa duhet përkundër përpjekjeve për te dhënë maksimumin, sepse sado që jep për teatrin gjithmonë mbetet një sasi e lënë pa e plotësuar sepse teatri është burim i pashtershëm.
Ne reflektim e sipër, me shume si një analize kronologjike të krijimtarisë jetësore që Kurti pati në skenë është e rrugës të shpalosim fillet e angazhimit të tij respektivisht si e filloi angazhimin e tij në teater.
Zyrtarisht, Ramadan Kurti bëhet pjesë e teatrit me insistimin e Fetah Mehmetit në vitet ’80-ta në shfaqjen e Drenusha te autorit Nebil Duraku në të cilin projekt ai fiton besimin për rol kryesor të cilin rol e realizon me shumë dashuri e përkushtim rinor. Në të vërtetë, para se të dilte në skenë në Gjilan, Dani, kishte një bagazh jo të vogël artistik dhe një histori suksesi në skenë që e kishte arritur në vendlindjen e tij në Bresalc me shoqërinë kulturore artistike “Afërdita” ku kishte vënë në skenë disa shfaqje.
Por, projekti i cili i dha emër të riut Kurti ishte shfaqja “Hajdin Zeka” te autorit Ahmet Pozhari. Kjo shfaqje e realizuar gjatë fund viteve ‘70ta ku ai shpalosi potencialin artistik të tij, gjë që beri atë të jetë i kërkuar nga regjisoret ndaj dhe shohim ngulmimin e regjisorit Mehmeti i cili kërkonte që Kurti të i bashkohej me merite ekipit të aktoreve të rinj premtues që shumë shpejt provuan të ishin gjenerata e artë e artisteve të Tetarit të Gjilanit.
Por historia e aktorit Kurti në raport me skenën daton më herët se kjo kohë sepse mendohet që shkëndijat e para i mori nga kontakti i rastësishëm me regjisorin, Tefo Beto Krasniqi kur ishte vetëm 14 vjeç, nga i cili filloi të marrë inspirim dhe udhëzim për të ndjekur karriere në artin dramaturgjik. Regjisori Prizrenas, kishte vlerësuar se Dani ishte një recitator me fuqi interpretimi të veçante dhe për rrjedhoje ai sa herë vizitonte Gjilanin ndiqte nga afër interpretimet dhe deklamimet e tij respektivisht nxiste atë për të ndjekur rrugën e artit e të kulturës. Kurti konfirmon me krenari që regjisori Tefo ishte inspirimi dhe ylli ndriçues që motivoi atë te ndiqte këtë karriere të pasur që sot ndjehet i respektuar nga i gjithë rrethi shoqëror dhe nga publiku i gjerë artdashës. Falë këtij inspirimi, Dani nuk ngurronte të merrej me recitime, skeçe, programe artistike të ndryshme kudo dhe kurdo që kërkohej nga ai të ngjiste shkallët në skenë. Ishte dashuria për artin dhe vullneti i tij i hekurt që të merrej me skenën që e shtyri atë te hedh hapat e parë në këtë drejtim duke u vetë aktivizuar me një grup të rinjsh nga vendlindja në përgatitjen e copëzave artistike në shtëpinë e kulturës në Bresalc.
Ai si i ri e filloi me sukses të jashtëzakonshëm si amator në vitin 1975 e filloi si bashkë regjisor me të ndjerin Fetah Muja dhe aktor me rol kryesor në shfaqjen « Hakmarrja » e cila shfaqje kishte korrur suksese të mëdha duke arritur të shfaqet edhe në shtëpinë e kulturës Ivo Cankar në Shkup. Publiku shkupjan e kishte pritur me admirim dhe me ovacione këtë shfaqje e cila vinte nga një trupë amatore dhe me një kastë aktorësh që nuk kishin përvojë në skenë.
Aktori Kurti, i piketuar nga regjimi Jugosllav si i padëshiruar
Që para kohës së angazhimit të tij zyrtar në Teater, Ramadan Kurti për shume arsye ishte target i regjimit të kohës për qasjen e tij revolucionare e separatiste për vijëzim të qartë nacionalist të cilën qasje e kishte reflektuar në çdo segment të zhvillimit profesional.
Ai, jo rastësisht kishte përzgjedhur të trajtonte shfaqjen Hakmarrja në prizmin e ndaljes së fenomenit të gjakmarrjes, si fenomen në prizmin e ngritjes së vetëdijes qytetare për të nxitur pajtim ndër shqiptarë. Pothuajse në të njëjtat linja trajtimi ishte edhe shfaqja “Zeke Hajdini” që po ashtu trajtonte gjakmarrjen, shfaqje e cila me direktivë nga pushteti i kohës u ndalua të shfaqej edhe pse gjithçka ishte gati për t’u shfaqur. Por këtu nuk përfundon e tëra, Ramadan Kurti vazhdonte të ishte i survejuar nën llupën e regjimit për qasje anti-Jugosllave edhe pasi filloi punë si aktor me kohë të plotë.
Për të ilustruar ndjekjen dhe intimidimin e vazhduar që i bëhej këtij aktori dëshmon shfaqja « Shtrëngata » e autorit Sinan Hasani, (shfaqje e socrealizmit Jugosllav) e cila u realizua në vitin 1984 në të cilin projekt Ramadan Kurti ishte përzgjedhur për te luajtur rolin e ballistit. Si pasojë i të qenit i survejuar UDB-ja përmes agjentëve në terren i kërkohej që në këtë rol Kurti të paraqitej si qurravec e lajkatar të cilën ndërhyrje Kurti nuk e pranonte sepse kishte vendosur të i jepte këtij roli ngjyrime vendosmërie, qoftë edhe nëse rrezikohej karriera e tij artistike. Çështja përfundoi deri në biseda informative të shumta, kërcënime për humbjen e vendit të punës dhe diskriminime tjera shtesë, por aktori Kurti nuk u zmbraps nga e drejta e tij për të paraqitur rolin ashtu si i kërkohet një profesionisti e një atdhetari.
Normalisht që ai fare lehtë mund të përfundonte prapa grilave por fatmirësisht një nga punonjësit shqiptarë në strukturat udhëheqëse të kohës, Halit Rexhepi i del në ndihmë duke arsyetuar qasjen e tij brenda për brenda realizimit të rolit dhe e shpëton nga burgu i sigurt.
Edhe viti 1986 vazhdoi me të njëjtin presion nga regjimi serbo sllav, agjentet e UDB vazhdonin ta ndiqnin në çdo hap të krijimtarisë artistike Kurtin për ta futur me çdo kusht nën thundrën e tyre. Në atë kohë po realizonte diadramën « Emigrantët » bashkë me aktorin Adem Muji, nën regji të Muharrem Sylejmanit, tekst universal për këtë fenomen global, por përshtatja që ishte bërë kontekstit kohor ishte halë në sy për regjimin okupues sepse ata donin që të zbrazej Kosova ndërsa mesazhi jepej krejt i kundërt. Edhe për këtë shfaqje treshes ‘Sylejmani, Kurti, Muja’ i duhej të përballej me initimidimet e presionet e vazhdueshme që vinin nga zyrat e policisë së regjimit serbo sllav vetëm e vetëm se në shfaqje kishin prekur thellë fenomenin e emigrimit duke vendosur në plan të dytë dëshirën për t’u pasuruar ndërsa parësore trajtohej liria njerëzore respektivisht dashuria për atdheun.
Në të njëjtat linja represioni e dhune psikologjike, vjen shfaqja nën regji të Muharrem Sylejmanit Catharsis -Thyerja në vitin 1988 në të cilën luante edhe Kurti, për te cilën shfaqje pasoi urdhëresa nga zyrat e Policisë Serbe dhe te UDB që të ndërpriten provat dhe të ndiqen për vepër armiqësore të regjimit pjesëtarët e këtij projekti me justifikimin se këto lloj projekte nxisin rritjen e nacionalizmit shqiptarë në Kosovë.
Presioni i regjimit okupues nxitje e frymëzim për Kurtin dhe aktorët e tjerë
Vëzhgimin dhe presionin e vazhdueshëm që e përjetonte ky artist ishte një lloj frymëzimi për të ngulmuar më shumë drejt realizimit të misionit dhe objektivit që Kurti i kishte vënë vetes, të jetë në shërbim të frymimit të lirshëm kombëtar.
Periudhën pas largimit të punonjësve të Teatrit nga godina ekzistuese, Ramadan Kurti e quan epoka e robërisë së madhe në të cilën aktorët kishin ngelur edhe pa kulm mbi kokë dhe u detyruan te funksionojnë nën kushte ekstreme. Ai e kishte paksa më të lehtë sepse filloi te rigjallërojë skenën e shtëpisë së Kulturës në fshatin e lindjes duke e shndërruar në një nga pikat referuese të zhvillimit të jetës kulturore të qytetit.
Aty dhe vazhdoi krijimtarinë duke bashkëpunuar ngushtë me kolegun e mikun e tij të pandarë Adem Mujin të realizonin shfaqje teatrale dhe çdo lloj aktiviteti kulturorë që kërkohej të realizohej nën ato rrethana të vështira. Gjatë asaj kohe, ai ushtronte edhe detyrën e anëtarit të Komisionit Komunal për Kulture dhe pothuajse merrej me çdo aktivitet si në fazën e planifikimit deri në realizim të plotë, gjithmonë duke shmangur policinë dhe pushtetin që ishin ne kërkim te bllokimit të jetës kulturore. Kurti ishte një nga organizatoret dhe themeluesit e aktivitetit letrar e kulturorë « Flaka e Janarit » i cili aktivitet epiqendrën e kishte në Bresalc. Teatri i Bresalcit, ishte pothuajse me aktivi në nivel Komunal, fal përkushtimit dhe punës së palodhshme që aktori Kurti nuk hezitonte ta ofronte për te mirën e publikut.
Me shumë mallëngjim ai rikujton tre shfaqje te realizuara në këtë Teater, nga një mori prej tyre për faktin se luajti ne këto shfaqje bashkë me një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, mikun e tij të ndjerë Adem Mujin me të cilin ndan kujtime të paharruara aq sa ndjen mallëngjim për bashkëpunimin me të ndjerin Muharrem Sylejmani që bashkëvepruan gjatë kësaj periudhe tejet të vështirë. Diadrama, « Logu i gjarpërinjve » i autorit Ramadan Rexhepi është shfaqja ku bashke me kolegun Muji ai ndjehet i plotësuar në skenë si kurrë më parë, si dhe në shfaqjen « Kufij qe s’preken » dhe « Shkendija nuk i kishte sytë e mbyllur » të autorit Hysen Këqiku në të cilat projekte ai ndjehet i privilegjuar që ka kontribuar në kohet më të vështira që kalonte kombi.
Periudha e pasluftës realizim i roleve të shumta
Arkiva personale e Kurtit numëron mbi 70 role të ndryshme të realizuara ne skene dhe me mijëra dalje publike në organizime te ndryshme artistike e kulturore te cilat I realizoi me përkushtim të jashtëzakonshëm. Ai cilësohet si një artist i palodhshëm dhe i gatshëm gjithmonë të marr përgjegjësira të ndryshme në të mirë të zhvillimit artistik e kulturorë pavarësisht kostos apo rrezikut që mund të ekzistojë. Këtë e vërteton rrugëtimi i tij profesional sepse ai nuk ngurroi asnjëherë të ndërmerrte hapa të guximshëm në shërbim të së mirës publike.
Kurti ishte një nga luftëtarët e denjë që dha kontributin e tij që teatri i Gjilanit të fitojë titullin meritor profesionist të cilin angazhim e realizoi duke ndërmarrë nisma në përafrimin dhe nxitjen e bashkëpunimit me teatrot e Shqipërisë apo me regjisorë e artdashës shqiptarë.
Ai, jeton në Gjilan dhe destinacioni i tij vazhdon të jetë Teatri si në aspektin figurativ por edhe praktik si epiqendra prej nga nisen, zhvillohen dhe shfaqen idetë e avancimit kulturorë të shoqërisë sonë. Ai vazhdon të frymoje ashtu si vazhdon të frymojë teatri si tempull i kulturës së vendit ku edukata dhe kultura duhen të përmirësohen deri në perfeksion për te cilën punë janë të ngarkuar të realizojnë ata që punojnë në teatër.
Kurti vazhdon të jetë në shërbim të këtij misioni të shenjtë. /2LONLINE/
