Ramabaja: Blloku ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit
Një ide për tejkalim të ngërçit politik, e pathënë deri tani nga partitë e rreshtuara kundër PDK-së, ka ardhur nga Sadri Ramabaja, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Ai kërkon që koalicioni i VV-së dhe LAN-it ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit.
Duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese i ka njohur të drejtën vetëm PDK-së për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Ramabaja ka propozuar që Blloku opozitar ta votojë kandidatin e PDK-së dhe në këtë formë t’i hapë rrugë formimit të qeverisë.
“Tashti meqë Blloku “kaloi ylberin” dhe nënshkroi marrveshjen me VV, urtësia politike kërkon që, në përputhje me Kushtetutën dhe interpretimet që i bëri Gjykata Kushtetuese çështjes së zgjedhjes së kryeparlamentarit, LAN-i të votojë kandidatin e PDK, duke i hapur kështu rrugë krijimit të institucioneve. Ky veprim do të shmanngte skenarët desastër të H.Th., por njëkohësisht edhe do të dëshmonte maturimin e politikës”, ka shkruar Ramabaja në profilin e tij në Facebook.
Në këtë formë siç propozon anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, LAN dhe VV do të mund ta jetësonin marrëveshjen e koalicionit të tyre, duke pasur parasysh se Gj.Kushtetuese i ka njohur të drejtën e formimit të qeverisë edhe partisë e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, nëse herën e parë këtë nuk mund ta bëjë partia e cila është renditur si e para.
Ky propozim i Ramabajës, nuk është se nuk ka mundur t’u kujtohet liderëve të Bllokut, por ai nxjerrë një problem tjetër.
Në këtë rast, LDK si partia më e madhe e koalicionit LAN dhe VV me 30 deputetë në Kuvend, do të ngelte pa asnjërin prej posteve të larta shtetërore.
Lderi i LDK-së, Isa Mustafa, më e shumta që do të mund të bëhej, do të ishte zëvendës i kryeministrit Ramush Haradinaj, partia e të cilit në zgjedhjet e 8 qershorit u rendit e katërta me vetëm pak më shumë se 8 për qind të votave të fituara në nivel vendi.
