Kryeministri Edi Rama ka theksuar në Preshevë se ia ka bërë me dije kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq se shqiptarët nuk janë për Shqipërinë e Madhe por për një Evropë ku do të përfshihen gjithë shqiptarët, si dhe të gjithë të tjerët se bashku me shqiptarët.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në shtëpinë e kulturës në Preshevë tha mes tjerash se faktori politik shqiptar duhet të jetë unik për t’i adresuar problemet në vendin e duhur.
Ai ka folur edhe për pozitën e shqiptarëve në Serbi duke shtuar se nuk të lejohen sjelljet diskriminuese ndaj pakicave, por do te përpiqet për të drejtat e lirive të çdo kujt në Evropë.
“Unë besoj te projekti i paqes dhe programi i tij. Kërkoj bashkimin e gjithë faktorit shqiptar këtu, rreth problemeve në Luginë të Preshevës, të cilat ia adresova edhe kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, probleme që kanë të bëjnë me spitalet, prosperitetin ekonomik dhe kulturën.
“Pakicat nuk duhet të jenë burime të ndarjes, por të bashkimit për rrugën tonë evropiane. Shqiptarët në Luginë nuk duhet të kenë më pak të drejta se serbët në Kosovë”, ka thënë Rama me rastin e vizitës në Luginë të Preshevës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke iu drejtuar qytetarëve të Luginës së Preshevës, ka thënë se ndihet plotësisht i privilegjuar që si kryeministër i Shqipërisë t’i sigurojë ata se Qeveria shqiptare nuk do të rresht së punuari për të rilindur Shqipërinë por edhe për të rilindur shpresat edhe besimin e çdo shqiptari kudo ai jeton.
“U jam thellësisht mirënjohës për këtë mikpritje të paharrueshme dhe për këtë organizim kaq dinjitozë që iu sigurojë që do të mbetet i pa shlyer në kujtesën time dhe pa dyshim do të diktojë përkushtimin e jashtëzakonshëm, timin dhe të gjithë neve në Tiranë për të qenë pranë jush dhe për të punuar së bashku në mënyrë që secili prej jush, çdo vajzë dhe çdo djalë këtu të kenë një rrugë të hapur për të realizuar ambiciet e tyre dhe të kenë një derë të hapur në Shqipëri për të kryer studimet e tyre dhe me diplomën e tyre për të mundur të punojnë edhe këtu”, ka thënë fillimisht Rama.
Në këtë kontekst ai ka shtuar se pavarësisht vështirësive të kuptueshëm dhe pavarësisht mosdakordësive të njohura është shumë besimplotë që është hapur një faqe e re ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
“Kemi marrë përsipër përgjegjësinë që na takon, që mos të lejojmë që gjeneratat e reja të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të një konflikti jashtëzakonisht të gjatë që fëmijët shqiptarë dhe ata serbë nuk e meritojnë. Kjo është një përgjegjësi që e kemi marrë të plotë si qeveri dhe me këtë përgjegjësi do të bëjmë çmos që t’i japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari dhe shqiptareje, pavarësisht se ku jeton dhe se ku punon”, ka shtuar kryeministri shqiptar, transmeton Titulli.com.