(2LONLINE) – Rajoni i Gjilanit që përfshinë komunat: Kamenicë, Gjilan, Viti dhe Novobërdë përfaqëson një territor kompakt që posedon resurse të mëdha dhe të pashfrytëzuara humane. Nga ky Rajon rrjedh një numër I madh doktorësh të shkencës, magjistrash, intelektualësh të tjerë dhe atdhetarësh e patriotësh që e bëjnë atë krenar dhe të dinjitetshëm në të gjitha rrjedhat e zhvillimit historik. Ky Rajon me këtë fuqi humane i ka dhënë shumë Kosovës dhe shqiptarisë në tërësi. Ky brez personalitetesh ka dëshmuar të jetë sakrifikues në çdo situatë kur e kërkon nevoja.
Kjo forcë intelektuale e kishte bërë këtë Rajon për dekada të tëra të viteve të tetëdhjeta të jetë Rajoni me perspektivën më të mirë në Kosovë. Megjithatë, periudha e pasluftës, dhe sidomos tetë vitet e fundit fuqia intelektuale e këtij Rajoni,duket të jetë lënë anash dhe të jetë injoruar skajshmërisht. Ata, përkundër faktit se janë vënë në dispozicion, gjatë këtyre viteve të fundit fare pak, për të mos thënë aspak nuk janë përfshirë në proceset shtetndërtuese të vendit. Si pasojë kemi një Rajon, jo vetëm të lënë anash, por edhe të përjashtuar thuaja tërësisht nga investimet kapitale të Qeverisë. Ai tashmë përbën Rajonin më të prapambetur ekonomikisht të vendit dhe me perspektivën më të zymtë për të ardhmen.
Kjo gjendje shtron nevojën që Rajoni I Gjilanit, një herë e mirë, t’i kthehet vetvetes. Ky kthim vetvetes duhet të ketë synim që ky Rajon të zë vendin që tamam i takon në hartën gjeografike të Kosovës. Është koha e fundit që përmes fuqisë politike ky Rajon të imponoj në vend politika kadrovike e zhvillimore jo-diskriminuese. Tashmë është i njohur fakti se asnjë dikaster qeveritar nuk i është besuar në udhëheqje personaliteteve politike e intelektuale të këtij Rajoni. Ky injorim duhet të shërbej si një mesazh që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partitë politike dhe qytetarët e këtij Rajoni të vetëdijesohen në kuptimin që vota e tyre të ndërlidhet e kushtëzohet në drejtim të forcimit të dinjitetit të këtij Rajoni dhe të qytetarisë së tij. /2LONLINE/
Prof.dr. Azem Hajdari