Rahimaj: Vazhdon investimet në Topanicë dhe Karaçevë të Epërme
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Investimeve Kapitale, Blerim Murina, Kryesuesen e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, drejtorin Zotrim Kastrati dhe stafin komunal, ka përcjellë nga afër punimet që po zhvillohen në Topanicë dhe Karaçevë të Epërme.
Në Topanicë, ka vazhduar asfaltimi i rrugëve, si vazhdimësi e projektit të mëparshëm.
Rrugët e asfaltuara janë: “Rruga e Lugit të Demës”, “Rruga Mulla Rexhepi” dhe “Rruga Jakup Jakupi”.
Sipas të parit të Komunës, këto punime janë pjesë e investimeve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të përshtatshme për banorët.
Sipas Rahimajt, në Karaçevë të Epërme, janë realizuar punime për rregullimin e trotuarit me vlerë prej 203,000 eurosh, si dhe të varrezave, me vlerë prej 113,996.00 euro.
“Ky investim ka për qëllim sistemimin dhe përmirësimin e kësaj hapësire me rëndësi për komunitetin”, thekson Rahimaj.
Ai, gjatë bashkëbisedimit me qytetarë, është shprehur i lumtur për realizimin e këtyre projekteve dhe ka premtuar se Komuna e Kamenicës do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë dhe në përmirësimin e hapësirave publike, me synim krijimin e kushteve më të mira dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët në të gjitha lokalitetet e komunës. /2LONLINE/
