Rahimaj: Fillon asfaltimi i rrugës Feriqevë–Gjyrishec, investim prej 1.5 milion eurosh
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë me dije se ka filluar asfaltimi i rrugës që lidh fshatrat Feriqevë dhe Gjyrishec, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor në Malësinë e Kamenicës, me vlerë investimi prej rreth 1.5 milion eurosh.
Kjo rrugë ka një gjatësi prej 7.5 kilometrash dhe gjerësi prej 5.50 metrash, ndërsa asfaltimi realizohet në dy shtresa, me trashësi 7 dhe 5 centimetra.
Rahimaj, ka bërë të ditur se ky investim paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore, duke mundësuar qarkullim më të lehtë, lidhje më të mirë ndërmjet vendbanimeve dhe kushte më të favorshme për banorët e kësaj zone.
Ai po ashtu ka falënderuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për kontributin dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti.
“Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar në realizimin e investimeve infrastrukturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, zhvillimin e qëndrueshëm të vendbanimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për të gjithë banorët e komunës”, ka thënë i pari i Komunës së Kamenicës, /2LONLINE/
