Lirimi nga akuzat të tetë pjesëtarëve të ish Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj pranë Rozhajës në Mal të Zi, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion.
Verdikti i sjellë nga Gjykata e Lartë e Bjelo Poles , u cilësua si legalizim i krimit dhe i politikës gjenocide, por edhe si një krim kundër njerëzimit ku akterët kryesor mbesin të pandëshkuar dhe në liri.
Avokati i viktimave, Velija Muriq në një deklaratë dhënë ” Zërit të Amerikës”, lirimin e të akuzuarve e cilësoi si shqetësues dhe fajësoi gjyqësorin për politizim të skajshëm.
Muriq tha se “ky fakt sinjalizon që Mali i Zi nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën. Dështimet ligjore dhe pasiviteti i prokurorisë dhe gjykatave vendore kanë bërë që në Mal të Zi të mos ketë asnjë dënim për krime lufte”.
Velija Muriq , i cili njëherësh është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Malit të Zi, paralajmëroi se për qëndrimin e gjyqësorit në rastin e vrasjes së refugjatëve kosovarë do ti njoftojë të gjitha institucionet ndërkombëtare duke apeluar tek ata që të ndikojnë që krimet e luftës në Mal të Zi të trajtohen në mënyrë të drejtë.
Ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Bjelo Poles reagoi Bashkësia Demokratike Boshnjake , e cila në një letër të hapur kritikon gjyqësorin në vend , i cili, sipas tyre, po legalizon krimin dhe po mbështetë politikën gjenocide.
Ndërkaq, partitë politike shqiptare si dhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi nuk reaguan ndaj këtij rasti edhe pse shoqatat e shoqërisë civile disa herë kanë protestuar ndaj zvarritjes së aktgjykimit dhe ndaj pavarësisë së gjyqësorit.
Komandanti Predrag Strugar dhe shtatë oficerë të tjerë të ish Ushtrisë Jugosllave janë paditur për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë nga Kosova dhe për plagosjen e pesë të tjerëve në prill dhe maj të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-së në zonën e Husajt afër kufirit të Malit të Zi me Kosovën.
Gjyqi për rastin e refugjatëve kosovarë ka filluar në vitin 2009 dhe është gjyqi i vetëm për krime lufte në Mal të Zi ku aktgjykimi për lirimin e të akuzuarve u dha këto ditë.(VOA)