DYLON

Qyteti si këngvajtim, himn dhe akt i rezistencës poetike

Qyteti si këngvajtim, himn dhe akt i rezistencës poetike
Avatar photo Redaksia

Nga: Prend Buzhala
Qyteti si këngvajtim, himn dhe akt i rezistencës poetike
(Ramadan Mehmeti: “77 poezi për qytetin tim”, poezi, 2025)

Libri më i ri poetik i Ramadan Mehmetit ka një titull ë veçane: “77 poezi për qytetin tim (I-XII)”; titull që ka një kuptim të thellë dhe të shumëfishtë Numri 77 është simbolik dhe është referencë për moshën e autorit , që nënkupton një lidhje të ngushtë dhe të gjatë mes poetit dhe qytetit të tij. Duke pasur parasysh se ky vëllim është i lidhur drejtpërdrejt me qytetin dhe është shprehur në forma të ndryshme në poezitë e librit, ai manifeston dhe komunikon ientifikimin e thellë me qytetin. Ciklet e poezive “, “Në hyrje”, “Ura e maskatarit”, “Vargu magjik”, “Vjeshta e trishtë”, “Kujtime në kryeqytet” dhe “Në dalje” paraqesin një përvojë të gjatë dhe të pasur të jetesës në këtë vendndalim, Gjilanin, duke u përqendruar mbi ndryshimet, kontrastet dhe përjetimet që qyteti ngjall në qenien e poetit. Madje, edhe kur qëndron larg tij, në kryeqytet (cikli “Kujtime në kryeqytet”), ai qëndron gjithnjë i lidhur shpirtërisht me qytetin e parë.

EkoHigjiena

1. Qyteti, kërkim i identitetit të humbur

Përvoja e qytetit shndërrohet në metaforë për jetën. Kështu, kjo zonë urbane shënjohet si metaforë për sfidat dhe përjetimet e jetës së përditshme. Duke ia kushtuar 77 poezi qytetit, autori kërkon të na thotë se ai mjedis është një hapësirë shpirtërore dhe mendore domethënëse që bart përjetime, histori, dhimbje, gëzim dhe mospajtime. Së këndejmi, mund të thuhet se numri 77 do të simbolizojë një lidhje të brendshme me qytetin, si një pjesë e identitetit të autorit që është i lidhur ngushtësisht me këtë hapësirë fizike dhe shpirtërore.

Në këtë kontekst, 77 poezi për qytetin shënjojnë disa cikle të pasura poetikisht, por gjithashtu 77 vite të jetës së poetit, që janë të lidhura me të, ku ai ka kaluar kohën dhe ka formuar identitetin e tij. Poetët janë të “vjetruar” dhe të formuar nga qyteti, ku ata përjetojnë e mbajnë kujtimet dhe ndjesitë e tyre. Është si mikrosistem që e paraqet jetën, dështimet, ëndrrat dhe iluzionet e njerëzve.

Gjilani shfaqet si qytet i vjetër, që s’njeh më askënd, as vetë poetin. Ai është planet i panjohur dhe njeriu ndjehet i huaj brenda tij. Poeti është në kërkim të një identiteti të humbur dhe të një kuptimi të përbashkët që është thyer mes qytetit dhe atyre që e banojnë. Kështu, te poezia “Qyteti i vjetër”, ai thotë:

Ika kryq e tërthor qytetit të vjetër

Me vetminë e ndrydhur thellë në zemër

Ai s’më njihte as unë s’e njihja

Që të dy ishim si të huaj

E, pra, është një poezi e hapjes që vendos tonin e largimit emocional dhe fizik. Poeti bredh nëpër atë qytet që më parë ishte i njohur, por tani është i ftohtë, pa emër, pa fytyrë. Tjetërsimi është i skajshëm. Gjilani është “planet i panjohur”, që, në vend të mirëseardhjes, ofron vetmi dhe shi kujtimesh të kalbura. Kjo poezi ngjan si pohim i braktisjes, si nga qyteti ndaj poetit, ashtu edhe nga poeti ndaj qytetit.

Qyteti, nëpër poezi tjera, pothuajse, shndërrohet në një personazh lirik, me të cilin bashkëbisedon poeti. Pothuajse çdo poezi nga ky cikël mund të lexohet si formë dialogu, ku vendi i jetesës nuk është më qenësi emocionale edhe metaforike Kjo ndjenjë e bisedës me një personazh të tillë është e pranishme gjatë gjithë librit, ku rrugët dhe ndërtesat bëhen rrezatim i shpirtit të poetit dhe përvojave të tij të brendshme.

Kur poeti flet me ndërtesat e ngritura, historinë, përjetimet, ngjarjet, kohët, ai gjithashtu flet me vetveten, duke u ballafaquar me të kaluarën, si dhe me sfidat e shoqërisë që e rrethon. Këto hapësira të urbanizuara, të mbërthyera me zhurmën e përditshmërisë, shndërrohen në një pamje të dhimbjeve dhe kujtimeve.

Poezia, në këtë kuptim, merr formën e një refleksioni personal dhe të thellë, ku rrethina urbane bëhet shenjë e brishtësisë dhe vetmisë, por edhe një mundësi për rishkrimin e vetes. Ky vend, ndonëse mund të duket vetëm një bashkësi e ndërtesave dhe rrugëve, është gjithashtu një mjedis i brendshëm, i cili ruan të gjitha ndjeshmëritë e poetit dhe historitë e tij të fshehura. Kur poeti përjeton këtë dialog, ai nuk bisedon vetëm me ndodhitë e jashtme, por me atë që ka mbetur i fshehur brenda tij, me lëndimet e thella që qyteti ia ka lënë pas.

2. Zgjimi i poetit me zgjimin e qytetit:

qyteti si mik dhe tablo e jetës së poetit

Poeti dhe qyteti ecën së bashku, si miq jete në pleqëri. Ai është subjekt që rritet dhe plaket me të, që sheh ndryshimet e tij dhe e ndihmon të reflektojë për ato 77 vite jetë , me 77 poezitë janë edhe përpjekje e poetit që të reflektojë mbi periudhën e kaluar të jetës së tij, mbi jetën e qytetit dhe si ky mjedis ka ndikuar në formimin e tij si individ dhe poet. 77 poezitë lexohen si një lloj “zgjimi” i moshës: këto poezi dëftojnë një proces të vetëdijesimit të poetit ndaj karakterit kalimtar të kohës dhe shuarjes së disa ëndrrave, ndërkohë që mbeten të tjerë ende të ngulitur në shpirti i tij. Ajo mund të jetë një ndihmesë për të përballuar humbjet dhe ndjenjat që vijnë me moshën.

Ky nunër lexohet edhe si simbol i ciklit të jetës: 77 është simbol i një cikli të përfunduar, që e bën këtë vëllim poetik të pasur dhe të plotë, duke e lidhur poetin ngushtësisht me qytetin dhe të kaluarën e tij.

Në ciklin e parë libri na shfaqet si një lament (këngvajtim), himn dhe akt i rezistencës poetike. Autori lëviz përmes kujtesës, dhimbjes dhe shpresës për ta shndërruar qytetin (Gjilanin) në një personazh të gjallë, që flet, vuan, dhe ëndërron. Gjithçka që dikur ishte një vend i dashurisë dhe identitetit, u shndërrua në një hapësirë dhune, por shpresa, shpirti dhe kujtesa mbesin të gjalla.

“Sahat-Kulla e Shpresës” hapet me një imazh metaforik të sahat-kullës, simbol i kohës, kujtesës dhe shpresës së dikurshme që tani duket e humbur. Ajo përfaqëson rrënimin e fizikut dhe shpirtit qytetar, ndërkohë që rrjedha e kohës ecën përpara, pa skenar dhe regjisor, siç thotë vetë autori. “Ding-dongu i mëngjesit të vonuar” është zgjimi i vonë i ndërgjegjes apo i një populli të lodhur. Kënga e Doruntinës është përmendur për ta lidhur motivin lirik me mitin e besës dhe sakrificës.

Kurse poezia “Gjilani” vjen me tone të forta politike dhe morale. Qyteti është kthyer në “teatër të shitblerjes së gjakut”, ku mëkatarët e kanë përdhosur. Theksimet “Vrasësit me ëndrra bosh” dhe “gjarpri i nëndheut” shqiptohen si metafora për tradhtinë dhe krimin që verbojnë dhe deformojnë thelbin e atij mjedisi. Por përfundon me shpresë: “Sot vallëzon liria” e që është një dritë në fund të tunelit.

Mandej na vjen “Buzëqeshja e tharë”, një kritikë ndaj hipokrizisë sociale dhe politike. Në poezinë “Buzëqeshja e tharë” janë gëzimi i rremë, një maskë që iu shitet të huajve. Uniformat që “vidhnin ajrin” dhe e shtronin si astar për sundim është figurë poetike goditëse për abuzimin me pushtetin dhe për dhunën sistematike.

Te “Kontrast” poezia thuret mbi dyzimin dhe bashkëjetesën e të kundërtave e bardha dhe e zeza, e verdha dhe e mykura, simpatia dhe urrejtja. Poezia ligjëron për njerëzit në pushtet, për robërimin modern, për manipulimin e ndjenjave. Kritikon “poezitë me uniforma nate” dhe “policitë në palcë poezie”, pra përdorimin e artit dhe forcës për qëllime kontrolli.

Nga poezia në poezi poeti e thellon më tej vizionin poetik dhe kritik për qytetin e tij, Gjilanin. Ato mbajnë një ton sadopak të errët, ironik dhe melankolik, duke trajtuar tema si shpërfytyrimi moral, humbja e vlerave, deformimi i identitetit dhe zbrazëtia shpirtërore nën petkun e përparimit të rremë.

Te peozia “Shpirti i Dritave” shqiptohen vargjet:

Tashmë yjet kanë rënë

Mbi shpirtin e dritave…

Poeti dëshuron të na thotë se se shpresa, udhëheqja shpirtërore ose drita e idealit është shuar. “Qirinjtë e ironisë”, ka në dritë të vogël, itëdobët, nuk ndriçojnë më; ronia ështëqë gjithçka që ka mbetur. Edhe puthja kafshohet nga etja, ku dashuria është zëvendësuar me instinkt.

Në “Bekimi i njuhës” janë “Profetë… që ngrenë dolli heshtjen tënde…” Poezia ngritet kundër asimilimit kulturor dhe gjuhësor. Është një poezi mbrojtëse dhe identitare, që flet për rrezikun e humbjes së gjuhës dhe përkatësisë shpirtërore që ajo sjell.

Këto poezi i japin një përmasë më të thellë e më politik cikleve. Ato janë satirike ndaj rendit politik, korrupsionit dhe hipokrizisë; melankolike për kohët e humbura dhe idealet e thyera; refleksive, duke ngritur pyetje për identitetin, gjuhën, dhe vlerat; artistikisht të guximshme, me metafora të thella dhe stil eksperimental. Autori nuk kërkon vetëm të qajë qytetin e vet, por edhe ta zgjojë nga gjumi, ta kujtojë se ka shpirt, histori, dhe mision.

Poezia “Mllefi i kohëve” ka në qendër trajtimi mllefin e fshehur historik, një emocion i ndrydhur në ndërgjegjen kolektive që ende rrjedh si plagë. Shfaqet “Mulliri i Arapit”, një simbol historik, që tani rri si kujtesë pezull mbi njerëzit. “Rapsodët memecë” janë figura të shenjta të kujtesës dhe trashëgimisë që tani kanë humbur zërin, dhe mbeten veç hije, pa ndikim, pa rrëfim. “Mllefi i kohëve” është ai pezullimi emocional i një shoqërie që nuk është çliruar ende nga dhimbja historike, që ndjehet por nuk thuhet dot; poezi që paralajmëron rrezikun e harresës dhe fuqinë e dhimbjes së papërpunuar, që mund të rrjedhë pafundësisht si plagë.

“Ju që më doni, ejani me mua në Gjilanin e purpurt të kujtimeve…” thotë folësi lirik te “Legjenda e Gjilanit”; legjenda është një gjakim epik dhe poetik, që e rimerr zërin e rapsodëve të memecëruar nga poezia e parë. Kjo është një ode ndaj qytetit si kujtim, si vend i dashurisë, i artit dhe i historisë së flijimit. “Gjilani i purpurt” është ngjyra e gjakut dhe mbretërisë , është kthyer në metaforë të kujtimeve të ndritshme, por të lënduara. Poeti kërkon që ta rikthejë shpirtin e bashkësisë, për ta rindërtuar një identitet të përbashkët përmes krijimit, dashurisë, poezisë dhe përkujtimit. Poezia përmend: “Gjurmët e lashtësisë”, “Kohën e artë”, “Dashurinë për fjalën”, “Ura të larë me gjakun e shekujve”; të gjitha këto janë themelet e një legjende të re, që kërkon të rilindë. Poeti nuk po bën vetëm një retrospektivë nostalgjike; ai e rikoncepton qytetin si mit, si vend ku historia, poezia dhe qëndresa shkrihen në një.

3. Poezia si pelegrinazh shpirtëror:

motivet e përbashkëta si njësi e fortë poetike

Qyteti i Gjilanit është një hapësirë poetike, shpirtërore dhe simbolike në të cilën projektohen dhimbjet, ëndrrat, kujtesa dhe shpresa kolektive e një brezi, e një populli dhe e një njeriu në përballje me historinë dhe identitetin. Këto poezi e shndërrojnë Gjilanin nga një qytet gjeografik në një qenie të gjallë, të plagosur, të mallkuar dhe të dashur njëkohësisht.

Që në poezitë e para, Gjilani paraqitet si hapësirë që mban plagët e së kaluarës, si në poezinë “Sahat-kulla e shpresës”, ku simboli i kullës, që dikur përfaqësonte kohën, besimin dhe identitetin, tani është kthyer në një ornament të rrënuar, i braktisur nga ëndrrat dhe i lagur nga “uji zemzem i pavdekshmërisë”. Kjo kthehet në një metaforë të fuqishme për një qytet që po vdes ngadalë në heshtje, por që në heshtjen e tij mbart një histori të thellë e të përgjakshme.

Poezia “Koha e humbur” e thekson më tej këtë ide, duke treguar se në Gjilan “nuk maten humbjet”, sepse ato janë bërë pjesë e përditshmërisë. Gjithçka është në heshtje dhe gjeli që vajton mbi plehra është një imazh që nënvizon mungesën e zgjimit shoqëror e moral. Idetë poetike kanë disa boshte trajtimi: qyteti si realitet i përçudnuar, qyteti si burim dashurie dhe dhimbjeje, qyteti si legjendë dhe mit,

Nëse i marrim në konsideratë të gjithë ciklet poetike, poezitë kanë disa motive që i lidhin së bashku dhe e bëjnë ato një njësi të fortë artistike dhe filozofike, siç është kërkimi i kuptimit të jetës dhe ekzistencës që shfaqet përmes pyetjes themelore për arsyen e ekzistencës, për fatin e njeriut dhe për kuptimin e vuajtjeve të tij. Shpesh ka një ndjenjë të thellë dyshimi, konfuzioni dhe përpjekje për të kuptuar rolin e vet në botë. Mandej një tjetër bosht i tillë trajtimesh e përsiatjesh lirike, është vetmia, një nga motivet më të shpeshta dhe më domethënëse, duke u paraqitur si gjendje që përshkon çdo njeri në njëfarë momenti, sidomos në qytet dhe në botën moderne, ku njerëzit ndihen të shkëputur nga vetja dhe nga të tjerët. Konflikti mes dritës dhe errësirës, shpresës dhe dëshpërimit është një tjetër punkt motivor. Shumë poezi kritikojnë shoqërinë, hipokrizinë, padrejtësitë, dhe mungesën e drejtësisë. Ka një përqendrim të veçantë tek qyteti si ambient ku kjo krizë shpirtërore dhe sociale bëhet më e dukshme. Dhimbja emocionale, plagët shpirtërore dhe humbjet janë pjesë integrale e jetës njerëzore në këto poezi. Ka një ndjenjë të thellë të vuajtjes, por edhe përpjekje për t’i përballuar dhe për ta mbajtur gjallë shpresën. Poezitë përqendrohen jo vetëm në ngjarjet e jashtme, por shumë më tepër në përjetimet e brendshme, në hallin dhe gëzimin shpirtëror, duke e bërë librin një studim lirik të thellë mbi natyrën njerëzore. Poezitë formojnë një pelegrinazh shpirtëror dhe emocional të njeriut në botën bashkëkohore, ku përballen me vetminë, errësirën dhe dhimbjen, por edhe me një nevojë të madhe për kuptim, dritë dhe shpresë.

Në shumë poezi, qyteti shfaqet si një vend i gjallë dhe shpresëdhënës, por më shumë si një hapësirë e ftohtë, e errët dhe me izolim shpirtëror. Njerëzit në qytet janë të vetmuar, edhe pse janë mes shumë njerëzve — një vetmi masive që thekson ndarjen dhe largësinë midis individëve.

Në këtë qytet

Rrënjë ka lëshuar trishtimi

Si një re e zezë

Kjo na dëfton se trishtimi është thellësisht i rrënjosur në jetën urbane, si një gjendje që e kaplon qytetin dhe banorët e tij. Qyteti është vendi ku takohen drita dhe errësira, shpresa dhe dëshpërimi, jeta dhe vdekja. Ai është një udhëkryq i fatit, ku njerëzit ecin të hutuar dhe të humbur në rrugët e tij. Ai paraqitet edhe si skenë e padrejtësive sociale, ku njerëzit vuajnë nën peshën e hipokrizisë, mungesës së drejtësisë dhe të shpresës:

Në qytetin e ëndrrave

Kush gënjen për vlerën zyrtare të mëkatit

Djajtë e hipokrizisë para pasqyrës e nxjerrin

Këtu qyteti është figurë poetike për shoqërinë e sëmurë ku maska dhe gënjeshtra mbizotërojnë.

Qyteti është një sfond për betejën për jetën. Është skena ku zhvillohet beteja e përditshme për mbijetesë, për kuptim, për dashuri dhe për liri. Ai është një ambient që përforcon luftën e brendshme të individit:

“Nëse e shuaj edhe shpresën e fundit, mund ta dish se beteja për jetën time nuk merr fund.”

Kjo hapësirë shpirtërore është metaforë e gjendjes së brendshme dhe e situatave sociale të njeriut modern. Ai paraqitet si ambient i errët, ku njerëzit përballen me vetminë, dhimbjen, padrejtësinë dhe humbjen e shpresës, por ku lufta për kuptim dhe jetë vazhdon.

Një aspekt tjetër që mund të vërehet është se qyteti shfaqet si labirint shpirtëror, një hapësirë ku individi humbet dhe kërkon të gjejë rrugën e tij. Qyteti, në këtë kuptim, është si një udhëkryq ku individi ndodhet i ngujuar në kërkimin e një rruge për shpëtim, por ku gjithçka është e mjegullt dhe pa orientim të qartë. Ky labirint shpirtëror krijon një ndjenjë humbjeje, dhe shkatërrimi i ëndrrave dhe ideve të shpresës është një pasqyrë e forcave të errëta që mbizotërojnë në qytet. Është një kacafytje me motet, e vetë poetit :

Në mëngjes ëndërroj parajsën e humbur,

Në mesditë jetoj ferrin e gjetur,

Në mbrëmje përgjërohem në purgator.

(poezia “Kaçafytje me kohën”)

Është beteja e poetit me ekzistencën, është rrëfim i përgjakur, ekzistencialist, ku poeti përpiqet të ikë përtej vetes së lodhur:

Në mëngjes ëndërroj parajsën e humbur,

Në mesditë jetoj ferrin e gjetur,

Në mbrëmje përgjërohem në purgator.

Është gjendja e poetit të përhumbur në një udhëtim që s’ka shteg shpëtimi. Ëndrrat janë të vetmet që mbesin. Poeti endet me gjethe të thara, si simbole të kujtesës që nuk lulëzojnë më, por vetëm rrëzohen.

4. Poezia është një amanet i përzemërt

i poetit për vendlindjen

Mirëpo, poeti, ndryshe nga qyteti i Gjilanit, e ka edhe një kikë të qenies së tij ku të mbështetet: Livoçin, vendlindjen e tij: “Livoçi im, më kujto”, në të cilën shpreh dhimbjen e thellë të largimit nga vendlindja, nga Livoçi, me ndjenjën e copëtuar që i ka shkaktuar kjo ndarje. Ajo tregon për ndarjen e thellë midis vetes dhe vendit të origjinës, ku “qielli u nda dysh, toka u ça” e që simbolizon shpërbërjen e një bote të njohur dhe të dashur. Vargu “Qielli i ndarë dysh dhe toka që çahet ” kumton tronditjen e brendshme dhe copëzimi