Rrugët e qytetit të Gjilanit duket se kanë vetëm një destinacion, stadiumin e qytetit. Gjithçka ka filluar furishëm që në mëngjes dhe tifozët e të dyja skuadrave Dritës e Gjilanit, Intelektualët dhe Skifterat, kishin bërë përgatitjet maksimale.
Ajo që ra në sy për këtë derbi është se tifozët nuk po grumbullohen në një vend, që pastaj të marshojnë rrugëve të qytetit.
Këtë vendim e kanë marrë nga Stacioni i Policisë në Gjilan, kështu që ata grupe-grupe po bëhen bashkë në lokalet dhe sheshet e qytetit.
Jetmiri dhe Egzoni, shok nga kopshti po e pinë bashkë kafenë, ndonëse kanë të veshur ngjyra të ndryshme.
E për derbin Egzon Ajvazi-intelektual, u shpreh : “Kemi vetëm një synim dhe ai dihet, fitorja. Nuk kemi pas kurrë zënka as me Florentin dhe me asnjë skifter, kjo është më interesantja”.
Kurse, Jetmir Demi- skifter tha: “Jemi shok nga parashkollorja dhe në çdo derbi vishemi kështu, bile jo vetëm sot po shumë herë gjatë javës. Sot fitorja është e jona dhe këtë e din mirë ai” (duke iu referuar Egzonit)
Edhe në një lokal tjetër kishte laramani ngjyrash, ndërsa Gjemush Zylfiu dhe Arian Hamidi, tifozë besnikë të klubeve të tyre të zemrës, thanë se janë gati edhe për këtë derbi.
Duket se festën e kanë filluar më herët, edhe pse nuk dihet akoma fituesi, pa u ndier fishkëllima e fundit e gjyqtarit të kësaj ndeshjes.
Gjemushi, skifter, u shpreh “Kemi me i shkoq”, kurse Ariani, intelektual ia kthen: “Kanë qejf, por dihet qyteti është i yni”.
E, atmosferë të tillë të mirë ka në çdo skaj të qytetit ku ka tifozë të këtyre dy skuadrave që shpejtë pritet t’i mbushin tribunat e stadiumit për t’i përkrahur skuadrat e tyre.
Përndryshe, derbi lokal në futboll mes të KF Drita dhe KF. Gjilani zhvillohet sot me fillim nga ora 15:30, ndërsa aktualisht dy klubet gjilanase kanë pikë të barabarta nga 10 sosh.
/Elife Sherifi/