/2L ONLINE/ – Komiteti për Shërbime Publike, Banim, Mbrojtje dhe Shpëtim (KSHPBMSH) ka miratuar të mërkurën raportet e punës së Drejtorisë për Shërbime Publike si dhe të asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Sokol Haziri, drejtor i Shërbimeve Publike, pasi përmendi punët e kryera në këtë periudhë, tha se është pjesërisht i kënaqur me të arriturat, ndërkohë që u shpreh i pa kënaqur me kompanitë e kontraktuara, duke thënë se nuk po i kryejnë punët siç duhet.
Në qytet janë riparuar shumica e rrugëve dhe një pjesë e tyre janë shtresuar në tërësi me asfalt, ndërkohë do të vazhodhet në rrugët e fshatrave. Sa u përket rrugëve të rendit të tretë në zonat kodrinore-malore, Haziri ka thënë se pjesa më e madhe e tyre janë rregulluar dhe aktualisht po punohet në zonën mbi Zhegër.
Në fshatra po vazhdohet me rregullimin e ndriçimit publik dhe rreth 99 për qind e këtyre zonave janë mbuluar me drita, atje ku ka pasur mundësi teknike, ka thënë Haziri.
Kurse Hazir Mustafa, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se aktualisht janë duke u ballafaquar me zjarre. Vetëm gjatë këtij muaji kanë ndodhur 101 zjarre, ku janë përfshirë 4 shtëpi, 2 automjete, ndërsa shumica e rasteve tjera kanë qenë zjarre fushore.
Mustafa ka thënë se Shërbimi i Zjarrëfikjes qëndron mirë me pajisje, por ka mungesë të stafit.
Anëtarët e Komitetit kanë ngritur si shqetësime zhurmën në qytet, parkimin e veturave në rrugën “Elez Agushi”, të cilat pengojnë lëvizjen, deponitë e egra në “Abdulla Presheva”, sigurinë rrugore në lagjen “Iliria” dhe të tjera, ku kanë marrë përgjigje nga drejtorët Haziri e Mustafa.
Isa Agushi, kryesues i Komitetit, ka thënë se nuk i lejohet askujt në qytet që të lëshojë muzikë deri pasmesnate, kurse nga punëkryesit në rrugë ka kërkuar që të vendosin shenjat paralajmëruese dhe të mos rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.
Kurse sa i përket punës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Agushi tha se kjo është ndër dikasterët më të rëndësishëm, prandaj duhet të ketë buxhetin e saj për raste emergjencash dhe të mos jetë e detyruar të kërkojë ndihmë nga një drejtori tjetër.
Komiteti u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm sa u përket zjarreve, në këtë kohë kur temperaturat janë të larta dhe favorizojnë përhapjen e flakëve, sepse pos që mund të shkaktojnë dëme të mëdha në pronat private, apo publike, mund të rrezikojnë edhe jetë njerëzish.
Komiteti i ka rikujtuar qytetarët dhe zjarrëvënia është vepër e dënueshme sipas ligjit, prandaj duhet të llogarisin edhe në pasoja personale. /2L ONLINE/
/fotoilustrim/