Akademik Rexhep Qosja ka thënë se është kundër themelimit të Gjykatës Speciale e cila do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së. Ai ka bërë me dije se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet një gjykatë e tillë.
Akademik Rexhep Qosja ka thënë se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet një Gjykatë e quajtur Speciale për hetimin e krimeve të supozuara të luftëtarëve që kanë bërë luftë të drejtë.
“Njohuritë e mia historike dhe politike më bëjnë të mundshme të them se në historinë politike të Evropës për herë të parë po bëhen përpjekje të themelohet Gjykatë e quajtur Speciale për hetimin e krimeve të supozuara të asaj ushtrie, të atyre luftëtarëve që kanë bërë luftë të drejtë e kjo, luftë e drejtë, domethënë luftë për mbrojtjen e vetes, për mbrojtjen e popullit të vet prej pushtuesit, prej pushtuesit që ushtron dhunë e terror për asgjësimin e këtij populli”, ka thënë Qosja në këtë intervistë për “Epokën e re”.
Ai është shprehur kundër themelimit të një gjykatë të tillë duke thënë se gjykatat e tilla edhe dinë të shpikin rezultate.
“Unë jam me zemër e me mendje kundër themelimit të kësaj Gjykate të quajtur Speciale që do të merret me krimet e supozuara të ushtarëve që kanë bërë luftë të drejtë çlirimtare. Mendoj se Gjykata Speciale që do të formohet nuk është e liruar prej përbërësish (komponentësh) politikë. E gjykatat e tilla dinë edhe të krijojnë, domethënë të shpikin rezultate”, ka deklaruar Qosja.
Në këtë kontekst, Qosja ka thënë se në qoftë se gjykatësit e Gjykatës Speciale do të jenë të interesuar ta cenojnë sadopak imazhin e luftës sonë çlirimtare që bëri UÇK-ja ata do të bëjnë çka kanë bërë prokurorët e EULEX-it gjatë disa muajve të fundit.