QKUK: U realizua implantimi i stimuluesit të nervit vagus (VNS) te tetë pacientë me epilepsi rezistente ndaj barnave
“Klinika e Neurologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në bashkëpunim me Klinikën e Neurokirurgjisë, ka realizuar me sukses implantimin e stimuluesit të nervit vagus (VNS) te tetë pacientë të diagnostikuar me epilepsi rezistente ndaj barnave”, thuhet në njoftimi ne QKUK-së.
Ky trajtim paraqet një avancim të rëndësishëm në zgjerimin e mundësive terapeutike në QKUK, veçanërisht për pacientët tek të cilët krizat epileptike vazhdojnë pavarësisht trajtimit medikamentoz.
Stimulimi i nervit vagus (VNS) është një metodë plotësuese e trajtimit, e cila synon të zvogëlojë shpeshtësinë dhe intensitetin e krizave epileptike, si dhe të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
“Në këtë proces, ekipi profesional i Klinikës së Neurologjisë ka realizuar vlerësimin klinik dhe përzgjedhjen e pacientëve që plotësojnë kriteret për këtë trajtim, ndërsa implantimi i pajisjeve është kryer në bashkëpunim me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë”, thuhet tutje në njoftimi ne QKUK-së.
Pas implantimit, trajtimi do të vazhdojë me aktivizimin dhe programimin individual të pajisjeve, përshtatjen graduale të parametrave dhe përcjelljen e rregullt neurologjike të pacientëve.
Realizimi i këtij shërbimi dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet klinikave dhe përkushtimin e profesionistëve shëndetësorë për avancimin e vazhdueshëm të shërbimeve diagnostikuese dhe terapeutike në institucionet publike shëndetësore.
“QKUK do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e shërbimeve të tilla, me synim që trajtimet bashkëkohore të jenë të qasshme dhe të qëndrueshme për pacientët që kanë nevojë për to”, thuhet në fund të njoftimit të QKUK-së. /2LONLINE/
