QKUK: Klinika e Pulmologjisë ka pranuar një donacion të rëndësishëm
Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pranuar një donacion të rëndësishëm, i cili mundëson funksionalizimin e shërbimit të ri për diagnostikimin e çrregullimeve të gjumit, për herë të parë në kuadër të QKUK-së.
QKUK bënë me dije se ky shërbim përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve pulmologjike, veçanërisht në diagnostikimin e apnesë obstruktive të gjumit, një çrregullim gjithnjë e më i shpeshtë, i cili lidhet ngushtë me sëmundjet kardiovaskulare, respiratore e metabolike, si dhe ndikon në cilësinë e jetës së pacientëve.
“Funksionalizimi i këtij shërbimi shënon një etapë të re për Klinikën e Pulmologjisë dhe për shërbimet shëndetësore në QKUK, duke krijuar mundësi të reja që pacientët të kenë qasje në diagnostikim dhe trajtim të specializuar brenda sistemit publik shëndetësor.
Ky zhvillim pritet të kontribuojë në diagnostikimin më të hershëm të çrregullimeve të gjumit dhe në ofrimin e trajtimit adekuat për pacientët, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe të cilësisë së jetës së tyre”, thuhet tutje në njoftim.
QKUK shpreh mirënjohje të veçantë për donatorin Atom Med. /2LONLINE/
