DYLON

QKUK: Është realizuar me sukses seanca e parë e imunoadsorbimit

QKUK: Është realizuar me sukses seanca e parë e imunoadsorbimit
Avatar photo Redaksia

Ekipi i mjekëve nefrolog në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar me sukses seancën e parë të imunoadsorbimit (IA), duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve nefrologjike dhe të kujdesit intensiv në vend.

Kjo procedurë e avancuar dhe shumë specifike plotëson gamën e modaliteteve më bashkëkohore të hemodializës akute dhe trajtimeve ekstrakorporale që ofrohen në ShSKUK, në funksion të trajtimit të patologjive komplekse dhe kërcënuese për jetën.

EkoHigjiena

“Seanca e parë e imunoadsorbimit është aplikuar tek pacienti Xh. K. (1979), i diagnostikuar me vaskulit cANCA, një sëmundje e rëndë akute e enëve të gjakut me përfshirje të veshkave dhe mushkërive. Qëllimi i trajtimit ka qenë eliminimi sa më i shpejtë i citokinave dhe antitrupave inflamatorë nga qarkullimi i gjakut, me synim kontrollimin e procesit inflamator dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejme të organeve vitale”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Procedura është realizuar nga ekipi profesionist i përbërë nga Dr. Siada Selmani, Dr. Vjollca Godanci Kelmendi, infermierja Njomza Maliqi Qirezi, me mbështetjen e stafit të Mjekimit Intensiv Qendror (MIQ) dhe teknikëve të aparaturës përkatëse.

Seanca ka kaluar pa komplikime dhe është shoqëruar me rezultate inkurajuese klinike, me ulje të shpejtë dhe të konsiderueshme të markerëve inflamatorë, me reduktim deri në 75 %. Imunoadsorbimi është përdorur si terapi plotësuese krahas plazmaferezës dhe trajtimeve të tjera imunosupresive, në përpjekje për të përshpejtuar kontrollin e procesit inflamator dhe për të përmirësuar prognozën e pacientit.

Zhvillimi dhe aplikimi i terapive moderne të pastrimit ekstrakorporal të gjakut, përfshirë plazmaferezën, imunoadsorbimin dhe terapitë e vazhdueshme të zëvendësimit të funksionit renal (CRRT), kanë zgjeruar ndjeshëm mundësitë terapeutike për pacientët me sëmundje të rënda dhe gjendje kritike.

Implementimi i imunoadsorbimit në QKUK përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe një dëshmi të përkushtimit për ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale dhe teknologjike në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore. Kjo teknologji moderne pritet të kontribuojë në përmirësimin e mbijetesës së pacientëve, uljen e morbiditetit dhe ofrimin e trajtimeve të avancuara për rastet komplekse dhe kërcënuese për jetën. Drejt një nefrologjie modern me terapi të avancuar ekstrakorporale për pastrimin e gjakut, thuhet në fund të njoftimit të QKUK-së.  /2LONLINE/