QKMF në Viti pranon një donacion nga Shoqata “Iliria” në Lyon, Francë
Komuna e Vitisë, konkretisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ”Nëna Terezë” në Viti ka përfituar një donacion rë rëndësishëm për institucionin dhe pacientët me nevoja të veçanta.
Ky donacion është realizuar si pjesë e një bashkëpunimi të ngushtë në mes të menaxhmentit të QKMF-së në Viti, shoqatës shqiptare “ ILIRIA” në Lyon të Francës, shoqatës Bioport dhe Shoqatës AIMA në Francë dhe përkrahjes financiare të ujit ”Lajthiza” .
Në emër të institucioneve komunale, falënderim i veçantë për qytetarin vitias Avni Bilalli nga Vërbani, i cili ka ndërmjetësuar në këtë aktivitet dhe falënderojmë znj.Elizabeta Shehi dhe Raimond Shehi nga Shqipëria për realizimin e donacionit dhe udhëheqjen e të gjitha procedurave.
Ky donacion më se i nevojshëm për shëndetësinë tonë përfshin: shtretër elektrik, dyshekë, çarçafë, karroca invalidore, shëtitore për pacientë me aftësi të kufizuara, paterica, karrige dhe inventar përcjellës.
Gjithashtu, përpos QKMF-së një pjesë e donacionit do t’i jepet edhe shkollave të komunës së Vitisë, si pjesë e bashkëpunimit edhe me DKA në Viti.
Kryetari i Komunës, Sokol Haliti dhe Drejtori i Shëndetësisë Halil Musliu kanë falënderuar donatorët, duke i shpërblyer edhe me nga një mirënjohje, si shenjë falënderimi për ndihmën e ofruar.
Ndërsa, dr.Vjollca Kadolli Halili, drejtoreshë e QKMF-së në Viti ka falënderuar znj.Elisabeta Shehi, Raimond Shehi , Avni Bilallin si dhe shoqatat e lartpërmendura për bashkëpunimin e ngushtë në këtë projekt të rëndësishëm për QKMF-në, duke theksuar që ky donacion ka domethënie të veçantë, pasi që prekë kryesisht një pjesë të ndjeshme të shoqërisë sonë.
Ajo përmendi kujdesin paliativ dhe shtëpiak, ku gjatë vizitave në teren shihen nevojat e mëdha që kanë qytetarët tanë, ku shumë herë kemi ndihmuar me shtretër dhe karroca pacientët e kësaj komune. /2LONLINE/
