Qeveritë shqiptare të punojnë për Luginën e jo ta përdorin atë për marketing politik
/2L ONLINE/ – Lëvizja Vatra, me seli në Gjilan, përgjatë një komunikate, ka bërë të ditur se në prag të mbledhjes së dytë të dy qeverive, shprehim një notë kritike për të dy qeveritë atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, se e kanë harruar Fondin për Luginën dhe nuk kanë zbatuar pika të rëndësishme të dala nga rezoluta e vitit 2013, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Më tej në komunikatë thuhet:
“ Nga miratimi i rezolutës e deri tani ka pasur vetëm një shkëndijë në këtë drejtim, ku qeveria e Kosovës në vitin 2014 ndau vetëm 100 mijë euro për këtë fond zhvillimor që u krijua në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
. Ky fond nuk u bë fond i përhershëm ashtu siç u kërkua në rezolutë por mbeti vetëm ad-hoc dhe kjo shumë aq e vogël sa u dha nga dy qeveritë e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë u përdor dhe si adut tallës nga kryeministri Vuçiq gjatë vizitës në Preshevë. ku tha: ‘ se ata të juajt nuk po ju dëgjojnë fare”.
Nevojat e qytetarëve të Luginës janë shumë të mëdha, duke ditur diskriminim që po i bën regjimi i Serbisë tri komunave, asaj të Bujanocit, Preshevës, dhe Medvegjës, në ndarjet buxhetore duke i ndarë vetëm një shumë simbolike sa për të thëne në sytë e opinionit se ja edhe këtyre komunave ne i ndajmë buxhet.
Kjo ka bërë që nevoja për investime nga Kosova dhe Shqipëria të jetë shumë e mirëseardhur dhe shumë jetike për këta banorë.
Tani shohim znj. Edita Tahiri që fletë se do të diskutohet për Luginën, mirë do ishte të diskutonIt aty ku është vendi e kuvendi, në bisedimet në Bruksel e jo në portale e gazeta të Kosovës, sepse kjo vetëm sa po i irriton luginasit, të cilët nuk po shohin ndonjë sinqeritet nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vatra. /2L ONLINE/
