/2L ONLINE/ – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, ka kritikuar qeverisjen komunale, por edhe të gjithë qeverisjet e mëparshme se nuk po mund ta kryejnë projektin e Lumit Mirusha dhe se situata aty është veç më e rëndë, pasi këto qeverisje, qoftë LDK tani, e qoftë PDK më parë, po ofrojnë për qytetarët veç minj, gjarpërinj, mushkonja, kundërmim pisllëqe… duke e bërë të padurueshëm jetën e qytetarëve përgjatë këtij lumi.
Aktivistë të shumtë, prirë nga deputeti i Vetëvendosjes Ismajl Kurteshi, anëtarët e Kuvendit, Fehmi Sylejmani e Arjeta Rexhepi dhe drejtues të tjerë të Lëvizjes në Gjilanit, si simbolikë, duke vendosur maska në gojë, janë pozicionuar para lumit Mirusha, në pjesë ne cila ndodhet në qendër të qytetit, nga ku kanë ngritur shqetësimet për këtë çështje.
Me këtë rast, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes Ilir Hoti ka thënë se kundërmimi që vije nga ujërat e zeza që po derdhen në lumin Mirusha tani e tri-katër dekada, po shkon duke u shtuar. Ai tha se për dy mandatet e PDK-së, e tani edhe mandatin e LDK-së, problemi i quajtur lumi Mirusha nuk është zgjidhur. Gjatë qeverisjes së PDK-së qytetarët përreth Mirushës kanë pas probleme me minjtë, e tani në qeverisjen e LDK-së, mungesa e kryerjes së punëve, përveç minjve ka sjellë edhe gjarpërinjtë nga të cilët po rrezikohen qytetarët.
Hoti ka thënë se PDK edhe pse shpenzoi 2-3 milion, kemi shkatërrim të atij investimi dhe nuk u ndalua kundërmimi dhe as nuk e zvogëloi rrezikun e përhapjes së infeksionit nga ndotja e lumit. Hoti tha se tani edhe LDK, përveç fjalëve të mëdha, vitin e kaluar i ka shpenzuar rrethi 150 mijë euro, por problemi ka mbetur i pazgjidhur, kurse sivjet edhe pse ka kaluar gjysmë viti, pushtetarët nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim edhe pse lumi po kundërmon, gjarpërinjtë e mushkonjat po shtohen dhe rreziku për përhapje të infeksionit po rritet.
“Qytetarët e lagjeve që po banojnë përreth Mirushës, po jetojnë në mes të premtimeve për rregullimin e shtrati të lumit dhe kundërmimit të përhershëm. Ata kërkojnë zgjidhje të përhershme dhe jo më arsyetime për mungesë mjetesh sepse jemi të bindur se mungesa e vullnetit për ta zgjidhur këtë problem është pengesë më e madhe se mungesa e mjeteve”, ka thënë ilir Hoti i Vetëvendosje.
Ai tha se edhe sipas banorëve në këtë pjesë, Mirusha duhet të rregullohet tash, sepse ky projekt nuk mund t’ju shërbejë më si mjet për t’i fituar zgjedhjet që do të vijnë, nga asnjë subjekt.
“Ky problem është përtej politikës, ky problem ka të bëjë me jetën e qytetarëve, andaj le të rregullohet shtrati i lumit dhe të eliminohen mushkonjat dhe rreziqet tjera”, përçon kërkesën e qytetarëve të kësaj pjese, aktivisti i Vetëvendosjes ilir Hoti, për të kërkuar nga kryetari i komunës ës Gjilanit që të merret me Gjilanin dhe problemet të Gjilanit.
Qytetari Agron Ibrahimi thotë se që 50 vite jetojnë në këtë pjesë dhe kurrë ma keq nuk ka qenë. Gjendja e keqe veç se është rënduar për gati 10 herë. Ai fajësojë qeverisjet komunale që nuk e zgjidhin këtë çështje dhe se sipas tij, nuk pinë ujë arsyetimet e pushtetarëve, pavarësisht cila parti është në pushtet ne lidhje me pengesat. Edhe Skender Kastrati, qytetar tjetër i kësaj pjese thotë se është e pakuptimtë pse nuk po kryhet ky projekt duke fajësuar pushtetarët për mungesë vullneti për ta përfunduar këtë projekt dhe eliminuar gjithë këto pisllëqe e rreziqe, që siç tha ai, është turp për pushtetarët, edhe po të ishte kjo gjendje e rëndë, në ndonjë pjesë të pabanuar, e lere më në zemër të qytetit.
Përndryshe, projekti i lumit Mirusha në Gjilan identifikohet pikërisht me emrin e ish kryeministrit Hashim Thaçi i cili e kishte nisur këtë projekt dhe pat premtuar se do të kryhej brenda afatit, duke bërë që Gjilani, siç pat thënë ai, të identifikohej me dy epoka. Epoka para Mirushës dhe pas Mirushës. /2L ONLINE/