(2LONLINE) – Në logjikën e të bërit opozitë në Kosovë, në një situatë si kjo, kur po degradon etika në komunikimin publik, kur çdokush mund të flasë gjithçka e çdokush mund t’i drejtohet çdokujt, pa ditur pozitën e vet apo të tjetrit, do të nënkuptonte apo do të pritej që edhe opozita të mos bënte në asnjë rast analizën konstruktive të një qeverisjeje, për të vënë në dukje edhe vlerat e saj, por vetëm duke pikasur gabimet e zbrazëtitë, e kjo, jo me qëllimin e mirë që këto të shmangen e të ndreqen, por me qëllimin e degradimit të mëtutjeshëm të qeverisjes dhe shfrytëzimit të këtij degradimi në funksion të rritjes së votave kundrejt saj!
Nëse qëllimi i opozitës, tash më në pozitë për të vlerësuar apo mbikëqyrur, është qëllim gjithashtu i njëjtë, i përmirësimit të jetës së qytetarit, duhet të jepet kontribut konstruktiv edhe në përmirësimin e qeverisjes, jo në degradimin e saj – kjo nuk i duhet fillimisht qytetarit, sovranit nga i cili po ashtu i ka mandatet edhe opozita!
Në këtë nivel të të bërit opozitë, nuk do të gjendet PDK-ja në asnjë rast, por as simpatizantët e saj, e madje as militantët më ekstrem nuk do ta kërkojnë këtë!
Ajo që anëtarët, ata më të zëshëm, të cilët me apo pa të drejtë po i quajmë militantë, po na kërkojnë në këtë kohë është të aktivizohemi në rolin e opozitës! Mbase me të drejtë! Por, nëse militantët, me aktivizim të opozitës do të nënkuptonin fillimin e akuzave në drejtim të qeverisjes, jemi të bindur që nuk kanë për të na parë të aktivizuar në këtë drejtim – jo se kemi vendosur t’i amnistojmë gabimet e qeverisjes, por sepse ajo ende nuk ka filluar të punojë! E me këtë trend të Lutës, po besojmë që kjo qeverisje do ta mbyllë mandatin pa bërë asnjë gabim – mbase nga keqkuptimi i shprehjes frazeologjike “kush punon gabon”!
Duhet ditur që, jo rrallë, shprehjet e tilla frazeologjike duken të bukura, por fshehin a shtrembërojnë të vërtetën ose janë të zbrazëta e pa vlerë – sidomos kur keqkuptohen, keqinterpretohen apo keqpërdoren! Shprehja, nuk thotë kushtimisht që çdokush që punon, patjetër edhe gabon, apo se edhe është gabim të punohet, por se duke punuar mund të bëhen gabime, gjë kjo e pranueshme kur qëllimi i punës është i mirë – pra mund të ndodhin edhe qedere – siç ka ndodhur të gabonim edhe ne gjatë qeverisjes, por gjithmonë duke punuar! Gabimin e mospunës nuk e kemi bërë asnjë ditë, pasi këtë shprehje nuk e kemi kuptuar që ka porosinë që të mos punohet fare – për të qenë paq me gabimet!
Andaj, simpatizantët, anëtarët e PDK-së dhe gazetarët e mediumeve lokale, nëse po presin të flasim për analizën e punëve të kësaj qeverisjeje komunale – ato, ende nuk kanë filluar! E nëse po presin të flasim për gabimet – ato nuk bëhen pa punuar! Prandaj, me këtë trend të lëvizjes, jemi të bindur që kjo qeverisje, deri tash e pagabuar, nuk ka për të gabuar deri në fund të mandatit! Rrjedhimisht nga kjo, edhe ne si opozitë pritet të mos gabojmë me akuza në drejtim të saj!
Ilir A. TAHIRI
(Autori është anëtar i kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan)