(2L ONLINE) – “Të bësh atë që është e drejtë, nuk përbën problemin. Problemi është të dish se çka është e drejtë”. / Lindon Xhonson/
Çka është qeverisje e mirë?
Është e rëndësishme të pajtohemi me atë se çka quajmë qeverisje të mirë e pastaj të angazhohemi që ajo të ndodh. Bazuar në llojllojshmërinë e qeverisjeve del se qeveritarët madje edhe të qeverisurit, nuk e kuptojnë njësoj qeverisjen.
Derisa në vendet me traditë demokratike, ligjet janë baza mbi të cilën qeveriset, kurse llogaridhënia para zgjedhësve është obligim që nuk mund të tejkalohet. Në vendet në zhvillim qeverisja shpesh përjetohet si rast për përfitime të pa ligjshme.
Qeveritarët zakonisht fillojnë me keqpërdorimin e buxhetit, për të vazhduar me keqpërdorimin e pozitës, me qëllim të plotësimit të nevojave të veta dhe kastave të tyre. Qeveritarët keqpërdorues, ndër ne shpesh konsiderohen njerëz të shkathtë e të gjindshëm, ata rrallë trajtohen si keqpërdorues.
Në vendet me traditë demokratike, pas çdo shkeljeje të ligjit ose keqpërdorimit të pozitës nga qeveritarët, ndodh reagimi qytetar, e që përfundon me dënimin e keqpërdoruesit. Në vendet ku mungon tradita demokratike shkeljet nuk përcillen me reagimin e duhur të qytetarëve. Në vend të reagimit rastet e tilla shpesh përfundojnë me komente, por shkeljet shpesh mbeten të pa dënuara. Shpeshherë shkeljet përjetohen si diçka e zakonshme që e bëjnë qeveritarët.
Prandaj qeverisjet në këto vende zakonisht janë të këqija, si pasojë pushtetarët bëhen gjithnjë e më të pasur dirsa kriza në vend thellohet, kurse qytetarët vazhdojnë të varfërohen.
Në vendet ku mungon tradita demokratike, ku standardi e vetëdija është e ulët dhe nuk ka qytetari aktive, qeveritarët shpesh gjatë fushatave i vjedhin ose i blejnë votat, me paratë e vjedhura, për të vazhduar vjedhjen edhe në mandatin vijues.Qytetarët shpesh nuk merren me programet e as me kandidatët që angazhohen parimisht për të mirën e komunës.
Shumë qytetarë të lodhur nga skamja mashtrohen herë me premtime të rrejshme e herë me ndonjë lekë që në fakt nuk ua zgjidh asnjë problem. Kështu, vazhdon derisa votuesit të mos e kuptojnë rendësinë e qeverisjes së mirë që ata mund ta sigurojnë me votën e tyre, pa u futë në pazare klienteliste me ata që e kërkojnë blerjen e votës që e përcakton ardhmërin e tyre dhe të pasardhësve tanë.
Francezi Pier Mendez pati thënë : “Të qeverisësh do të thotë t’i zgjidhësh drejt problemet”. Është e kuptueshme se ata që insistojnë me çdo kusht, pa i zgjedhur mjetet, të mbeten ose ta marrin pushtetin këtë nuk e bëjnë për të mirën e përgjithshme. Ata blejnë, vjedhin, bëjnë presion, e premtojnë rrejshëm, për të realizuar qëllimet e tyre të pakuptimta që një ditë do t’i ngulfas ata vetë, mu ashtu siç po i ngulfat pushteti i tyre qytetarët.
Nga përvojat dhe praktikat e qeverisjes, në kohë dhe vende të ndryshme, del se qeverisja e ndershme, e bazuar në ligjet jo diskriminuese, që i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, qeveritë që janë të gatshme të japin llogari para atyre që i kanë zgjedhur, qeveritë që janë zgjedhur vërtet në mënyrë demokratike, mund të konsiderohen qeveri të mira.
Për udhëheqje të mirë, përveç vullnetit, kërkohet edhe dije dhe konsultim i gjerë. Prandaj, një qeveritar i mirë duhet patjetër në qeverinë e tij të angazhojë eksperte të fushave të ndryshme.Transparenca dhe konsultimi me qytetarë është po ashtu një nga kushtet elementare për udhëheqje të mirë.
Edhe delegimi i kompetencave në nivele më të ulëta të qeverisë është njëri nga elementet shumë të rëndësishme të udhëheqjes së drejt. Në lidhje me këtë, Duajt Morro ka thënë: “Ndërsa plakem… bindem gjithnjë e më shumë që, një qeveri e mirë, nuk mund të zëvendësojë vetëqeverisjen”.
Kush mund të qeverisë mirë?
Si përfundim mund të nxjerrim këtë konkludim se, kusht për qeverisje të mirë është vullneti për të punuar për interesat e përgjithshme, e mirë është qeverisja e bazuar në ligjet ekzistuese, që i trajtonë qytetarët në mënyrë të barabartë, marrja e vendimeve bashkë me qytetarët që ndikohen nga ato vendime, transparenca e plotë, dhe luftimi i dukurive negative.
“Jetë e vërtet është ajo në të cilën braktisim dëshirat tona private dhe jetojmë për të mirën publike”.
Reverent Sun Myung Moon
Vetëm njerëzit me bindje të tilla mund të qeverisin mirë. Është evidente se qeveritarët aktual nuk kanë as gjë të përbashkët me ata që jetojnë e punojnë për të mirën publike. Si do të qeveriset pas zgjedhjeve të 8 qershorit, varet nga përzgjedhja e qytetarëve ditën e zgjedhjeve, atë ditë do të vendoset për vazhdimin e keqqeverisjes, ndërrimin e pushtetit që nuk ofron ndryshim apo për ndryshim të mirëfilltë.
Kjo e fundit mund të arrihet vetëm me ata që jetojnë dhe punojnë për të mirën e përgjithshme si që është rasti me Prishtinën pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 kur Prishtina ju kthye qytetarëve. Tash është e mundur që edhe Kosovën t’ia kthejmë qytetarëve të saj.
/Ismajl Kurteshi/