Qeveria që neglizhon arsimin, këput rrënjët e dijes

Qeveria që neglizhon arsimin, këput rrënjët e dijes

Nga 14 janari i gjithë sistemi arsimor në vend është në grevë të përgjithshme, pasi po kërkojnë rritjen e koeficientit për mësimdhënësit në projektligjin për pagat.

Shkruan: Imran THAQI

Asaj i janë bashkuar të gjithë arsimtarët e profesorët e shkollave fillore dhe të mesme, për një kërkesë që përveç e nevojshme edhe plotësisht e dinjitetshme.

Ne, kemi ngritur zërin disa herë individualisht dhe në grup, edhe vet Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kishte bërë paralajmërime, por nuk u dha asnjëherë një përgjigje meritore nga Ministria e Arsimit dhe nga Qeveria.

Ne nuk kërkojmë më shumë se që e meritojmë, mësuesi kudo në botë është më i vlerësuari dhe jo vetëm puna e tij dhe pagesa, por i tërë sistemi në përgjithësi. Përderisa, kemi dëgjuar të përmendin arsimin si ndër shtyllat e shoqërisë së sotme dhe të ardhmes, si mund të nënvlerësohet kaq shumë në Kosovë?!

Jo vetëm paraja e bënë mësuesin të fortë, ne nuk jemi materialist që ngopemi vetëm duke shpenzuar paranë publike të qytetarëve tanë. Por, duke investuar në arsim, në kuadro të kualifikuara, në shkolla me laboratorë, kënde leximi, ambiente të hulumtimit, shkencës e teknologjisë e ngrisim vlerën e nxënësit, punën e mësuesit dhe korrim suksesin e dëshiruar.

Nuk është investim në arsim vetëm të ndërtosh godina, por të investosh në dije, në njohuri, në praktika të zhvillimit mësimor, mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Nuk bënë gjë duke organizuar provime të maturës shtetërore e të shpenzosh për letër të bardhë, ujë e lapsa. Të ndërtojmë një sistem të duhur, teknika të mira mësimi e studimi, pastaj organizojmë teste serioze dhe vërtet pasqyruese të punës sonë.

Ne si mësues, si Ministri dhe si Qeveri, të mendojmë për disa vite më vonë, për orientimin e të rinjve tanë në karrierë dhe për tregun e punës, Asnjëra nga këto nuk po bëhet e tani sikur kërkojnë llogari në kërkesën tonë për paga dhe nuk shohin se ky profesion po nëpërkëmbet çdo ditë.

Paga meritore para së gjithash ngrit vlerën dhe rrit reputacionin e një punëtori të arsimit, krahas gjithave sfidave të tjera të kaluara ndër vite.

Nuk është fortë e hijshme të krahasojmë pagën e mësuesit kosovar me pagesat e shteteve tjera, sepse e dimë zhvillimin dhe mundësitë tona. Por, kur ngrisim rroga në pothuajse të gjithë sektorët publik si në shëndetësi, siguri e qeveri, më të nënçmuarit në këtë mes jemi ne, arsimtarët.

Paga vjetore e një mësuesi në Luksenburg është 79 mijë dollarë, ndërsa e atyre me përvojë shkon deri në 137 mijë. Një vend me më tepër se gjysmë milioni popullsi më të vogël se Kosova e me më pak taksapagues ia del të ndajë pagesa të tilla për mësuesit. Kjo tregon se si vlerësohet profesioni hyjnor mësimdhënia. Dhe, jo vetëm në Luksenburg, por edhe në Zvicër(69.865 dollarë), dhe Gjermania (61.589)…

Për më tepër, profesionet tjera si infermieri apo tekniku medicional që në Kosovë propozohet të paguhen më shumë se mësuesi, në këto vende paguhen më pak se mësimdhënesitë.

Paga vjetore e një mësuesi në Kosovë mezi arrin shifrën prej 6 mijë eurosh, ndërsa dikush në Kosovë paguhet mbi 1 mijë e 2 mijë euro në muaj dhe me fare pak shkollim profesional.

Sakrifica jonë gjatë studimeve, por edhe gjatë luftës e pas luftës në ushtrim të profesionit dëshmojnë për kontributin thelbësor në arsimin shqip. Prandaj, sot kur pagesa e shoferëve dhe rojeve në qeveri e gjetiu është më e madhe se e mësuesit nuk kemi sesi të heshtim.

Secili nga ne kemi kaluar në duar të mësuesit dhe sot unë që po shkruaj këtë shkrim, ju po e lexoni falë një mësuesi dhe udhërrëfyesi të mirë që na mësoi shkrim-lexim.

Sado të ndryshojnë prioritetet e një qeverisje apo tjetrës, arsimi duhet të jetë gjithmonë aty qoftë edhe në vendet më të zhvilluara të botës. Nuk është e rëndësishme se cila qeveri, por ajo që neglizhon arsimin ka këputur me rrënjë dijen, emancipimin dhe zhvillimin e shtetit të tij. Askush nuk mund ta fundos veten më shumë se vet ne, duke dëmtuar hallkën më të rëndësishme të shtetndërtimit tonë, arsimin, andaj duhet të kemi mësimdhënës të dinjitetshëm që të kemi arsim të dinjitetshëm dhe këtë duhet ta dijë qeveria.

Edukimi dhe arsimimi i brezave të rinj është jetik në mbijetesën e një populli dhe në rritjen e mirëqenies së tij.

KOMENTE