Qeveria e Kosovës duket se ka planifikuar që borxhet t’i lajë me borxhe. Premtimet për rritje të pagave dhe obligimet tjera me kosto të lartë buxhetore, sipas letrës që i kanë dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtare (FMN), shihet se ekzekutivi do t’i realizojë kryesisht me para të bankave komerciale në vend.
Edhe në buxhetin e 2014-ës, parashihet që arkës së shtetit t’i shtohen 120 milionë euro hua nga emetimi i letrave me vlerë, me afat maturimi prej dy vjetësh. Kjo njëherësh do të jetë vlera më e lartë që do të inkasojë buxheti nga emetimi i letrave me vlerë, përderisa vitin që lamë pas ishin planifikuar rreth 80 milionë euro, shkruan Tribuna.
“Nga janari i vitit 2012, Qeveria e Kosovës ka filluar për herë të parë emetimin e letrave me vlerë si formë e re e financimit. Në këtë kontekst parashikimet për huazim të brendshëm gjatë 2014 vlerësohen të jenë 120 milionë euro. Pjesë e rëndësishme e financimit të deficitit buxhetor është bilanci i akumuluar bankar, i cili në fund të vitit 2014 vlerësohet të jetë 426 milionë euro”, thuhet në ligjin për buxhetin e vitit 2014