DYLON

Qeveria me Task-Forcë për marrjen e masave të veçanta në mbrojtje të ajrit

Qeveria me Task-Forcë për marrjen e masave të veçanta në mbrojtje të ajrit
Avatar photo Redaksia

Shqyrtimi i programit për reformat në ekonomi, që rezulton me 20 reforma strukturore dhe të cilat të mund përshpejtojnë trendin e rritjes ekonomike, Shqyrtimi i nismës për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë për Furnizim me ujë për Komunën e Ferizajt, që nënkupton një investim mbi 5 milionë euro në këtë fushë dhe Nisma për negocimin e Grantit me Bankën Gjermane për Zhvillim për përmirësimin e Ngrohtores së Qytetit, që nënkupton investim prej 10 milionë eurosh dhe ndikim të drejtpërdrejt në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, janë vetëm disa nga vendimet që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë sot, në mbledhjen e saj të 26-të.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit. Nga ana tjetër është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Marrëveshja rregullon mbështetjen e projektit “Heras – Arsimi i lartë, hulumtimi dhe shkenca të aplikuara në Kosovë”.

Në mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Administratës Publike. Rregullorja përcakton strukturën, organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Ministrisë së Administratës Publike dhe organeve në mbikëqyrje të kësaj ministrie. Rregullorja fuzionon Departamentin e Reformës se Administratës Publike me Departamentin e Koordinimit të Politikave dhe Integrimit Evropian në një departament.

EkoHigjiena

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Koncept-dokumenti për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore. Koncept dokumenti ka për qëllim të caktojë qartë të drejtën pronësore, titullarët dhe përmbajtjen e tyre si dhe rregullimin e kësaj të drejtë në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian

Ka marr miratimin nga Qeveria edhe Koncept-dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.

Vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë për Themelimin e Këshillit Nacional për siguri dhe Shëndetin në Punë, është miratuar në mbledhjen e sotme. Vendimi plotëson vendet e zbrazëta nga zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Qeveria ka emëruar Burim Rrecin në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për mandat tre vjeçar.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, ministri i Financave është i autorizuar që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzimet e paparashikuara” në nën programe tjera për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën 40 mijë euro, në ndarjet buxhetore për vitin 2018.

Kryeministri ka informuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë në Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe nevojën e një koordinimi ndërinstitucional për tejkalimin e gjendjes në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.

Kryeministri ka kërkuar gjithashtu nga kabineti qeveritar që të shqyrtohet edhe kërkesa për gjetjen e zgjidhjes së kërkesës së klubit të “Prishtinës” për një hapësirë ku mund të ushtrojë veprimtarinë e vet sportive.

 

http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7533

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.