Me miliona euro janë harxhuar nga buxheti i vendit për ta finalizuar shitjen e aksioneve të PTK-së. Mirëpo kjo ndërmarrje përkundër përpjekjeve të mëdha nuk arriti të shitet. Edhe pse të premten Ministria e Zhvillimit Ekonomik pret të marrë një përgjigje nga konsorciumi Axos dhe Najafi, procesi ka shumë gjasa të dështojë i tëri.
Burime të KTV-së të lidhura me procesin e shitjes së 75% të aksioneve të PTK-së kanë thënë se qeveria tashmë është pajtuar me dështimin e shitjes së kësaj ndërmarrjeje. Ky burim ka bërë me dije se qeveria tash frikësohet se konsorciumi mund të kërkojë dëmshpërblim për prishje të imazhit, pavarësisht se këta të fundit asnjëherë nuk kanë arritur të mbledhin 277 milionët e ofruar për t’i blerë aksionet.
Nga kjo nuk pritet të shpëtojë as menaxhmenti i PTK-së, të cilit i është bërë me dije se në rast të dështimit të procesit, atëherë ata i pret shkarkimi. Pasiguria në përfundimin e procesit të privatizimit ka lënë pezull emërimin e anëtarëve të rinj të Bordit të PTK-së, lista e cila është finalizuar që një kohë. Ekspertë të ekonomisë dhe shoqëria civile kanë kërkuar që të stopohet privatizimi dhe rikthimi i këtij procesi të ndodhë vetëm atëherë kur të forcohet ndërmarrja./koha.net/