Qeveria e re zotohet për veprime konkrete në përballje me sfidat që po i kalon vendi

Qeveria e re zotohet për veprime konkrete në përballje me sfidat që po i kalon vendi

Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e parë ceremoniale, në të cilën është zotuar për angazhim dhe veprime konkrete në përballje me sfidat që po kalon vendi ynë dhe qytetarët e Republikë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar kabinetin e tij për marrjen e përgjegjësive në drejtimin e vendit, duke shprehur besimin e tij në kapacitetin e të gjithë anëtarëve të këtij kabineti dhe ka kërkuar angazhim të menjëhershëm të kabinetit për identifikim të masave për përballje me situatën e pandemisë me COVID-19 dhe me recesionin e shkaktuar nga kjo gjendje në ekonominë e vendit.

“Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi”, ka thënë kryeministri Kurti

Andaj, sipas tij, duhet të veprohet me urgjencë që të ulen rastet e dhe të eliminojnë vdekjet e reja si rezutat i Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga ministria e shëndetësisë, e ekonomisë dhe ministrive tjera.

Kryeministri Kurti ka thënë se përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprohet shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimin.

Kurti shtoi se në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të performancës. Aty ku gjejmë shkelje të ligjit dhe performancë të dobët duhet të veprojmë shpejt në kthimin e ligjshmërisë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti i cili ka aftësinë dhe vullnetin që të kthejë ndërmarrjet publike në mbështetës të ekonomisë.

“Pres që në tavolinën time të vij urgjent si plani për menaxhimin të pandemisë po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike”, ka thënë kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë. /2LONLINE.com/

KOMENTE