DYLON

Qeveria e re të përmbahet nga vendimet që janë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese për ekonomi të tregut

Qeveria e re të përmbahet nga vendimet që janë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese për ekonomi të tregut
Avatar photo Redaksia

Mjedisi i parashikueshëm legjislativ dhe rregullativ, funksionalizimi i ekonomisë së tregut, trajtimi i barabartë i të gjitha bizneseve si dhe luftimi i ekonomisë joformale duhet të jenë prioritetet kyçe të Qeverisë së re.

Këto konkluzione u nxorën nga tryeza e sotme e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, ku bizneset patën mundësi të prezantojnë rekomandimet e tyre për Qeverinë e re. Gjatë tryezës, u diskutuan edhe shqetësimet lidhur me vendimet e kaluara të marra pa koordinim paraprak me komunitetit e biznesit, të cilat kanë ndikuar në çrregullim të operacioneve të bizneseve.

Avni Krasniqi, Kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave në Odën Amerikane si dhe përfaqësues i kompanisë Delfin LTD, përmendi se kushtetuta e vendit parasheh për një ekonomi të tregut të lirë, duke theksuar se institucionet duhet që rrjedhimisht të angazhohen për përmbushjen e këtyre dispozitave kushtetuese dhe të përmbahen nga vendimet e njëanshme dhe ndryshimet ligjore që cenojnë tregtinë e lirë. Si shembull për këtë u morr, projektligji i tregtisë i propozuar nga Ministria e Tregtisë në mandatin e fundit qeverisës, i cili parashihte dispozita rënduese në sektorin e tregtisë.

EkoHigjiena

Hakif Gashi, zëvendëspresident i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, si dhe përfaqësues i kompanisë Meridian Corporation, u shpreh se tregtia në efekt ndërlidh të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe prodhimin dhe shërbimet, prandaj duhet vlerësuar rëndësia e saj në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ai tha më tej, se Qeveria e re, duhet të marrë në konsideratë rekomandimet e Odës Amerikane, si dhe të organizatave të tjera të sektorit privat, meqë do të ndihmojnë në ruajtjen e një mjedisi të shëndoshë të të bërit biznes.

Përparim Tushaj, përfaqësues i Japan Tobacco International, foli për nevojën e parashikueshmërisë në operime të industrive përkatëse, duke theksuar se vendimet e atypëratyshme cenojnë planifikimin e bizneseve dhe vështirësojnë operimin e tyre. Ai tha se Kosova megjithatë ka pasur një mjedis më të mirë të të bërit biznes krahasuar me vendet e tjera fqinje dhe kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Tushaj e konsideroi si të nevojshme që Kosova të nisë me atë që njihet si Vlerësim i Ndikimit Rregullativ, i cili për shembull zbatohet në Shqipëri, e i cili merr në konsideratë ndikimin që politikat e caktuara mund të kenë në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Bizneset e tjera të pranishme shprehën po ashtu shqetësimet e tyre lidhur me tentimet e politikës për ndërhyrje edhe në ekonominë e tregut, por edhe në operimet e bizneseve private, duke theksuar si të nevojshme mes tjerash edhe përdorimin më efikas të parasë publike, si dhe luftimin e korrupsionit dhe informalitetit.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.