Qeveria e Kosovës miraton formimin e Fondit Zhvillimor
Qeveria e ka miratuar propozimin e vendimit për themelimin e Komisionit qeveritar për hartimin e koncept –dokumentit për Fondin për Investime dhe Punësim –Fondi Zhvillimor.
Në komision do të jenë të angazhuar përfaqësues të ministrive që merren me zhvillim ekonomik po ashtu ky komision do të ftojë edhe përfaqësues nga komuniteti i bizneseve. Këtë e ka prezantuar në mbledhje të qeverisë , zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Rinisë dhe Sporteve Kujtim Shala, i cili ka prezantuar përbërjen e komisionit qeveritar dhe funksionimin e tij.
“Fondi për investim dhe punësim do t’i ndihmojë rritjes ekonomike të Kosovës, krijimit të vendeve të reja të punës , përmirësimit të qasjes në financa dhe me kushte të volitshme për sipërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe korporatat”, ka thënë Shala.
Ndërsa ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi, ka kërkuar që ky Fond të mos quhet Fond me koncept-dokument.Madje ai ka thënë se është me rëndësi të ketë bazë edhe juridike jo vetëm brenda Qeverisë por edhe në Kuvend.
“I kemi tri çështje që do t’i definojmë sot , e para do ta quajmë komisioni për themelimin e fondit dhe jo për koncept dokument… E dyta mendoj që ky niveli i përfaqësimit duhet të përfaqësohet dhe udhëhiqet nga kryeministri se është fondi shumë me rëndësi… pastaj komisionin e udhëheq kryeministri…dhe ky fond pastaj do të ketë bazën e nevojshme juridike jo vetëm brenda Qeverisë por edhe në Kuvend me ndryshimin e ligjeve që besojmë që do t’i shohim janë të domosdoshme sikur që ky fond do të jetë në mënyrë permanente jo vetëm për themelimin e tij por për menaxhimin e tij i cili me siguri do t’ i kërkojë disa vite”, ka thënë Kuçi.
Po ashtu me kërkesë të ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies , Arban Abrashi, Qeveria vendosi që në përbërje të këtij komisioni të kenë edhe këto dy ministri përfaqësues në komision.
