Pas dorëzimit të raportit vlerësues për demarkacionin te presidentja nga Komisioni Ndërkombëtar, ku tha se gjatë këtij procesi nuk janë bërë shkelje, Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate thotë se është ndarë e kënaqur me faktin se ekspertët e këtij Komisioni thanë se çdo gjë është në rregull me demarkacionin.
Qeveria thotë se që në fillim ka përshëndetur iniciativën e presidentes.
“Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës qysh në fillim kemi përshëndetur iniciativën e Presidentes z. Atifete Jahjaga për krijimin e ‘Komisionit për Demarkacion’ i cili do të vlerësoj gjithë procesin e shënimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. E kemi bërë këtë të vetëdijshëm se kështu po i marrim parasysh dhe nuk po i anashkalojmë shqetësimet e ngritura rreth këtij procesi, gjithsesi të ndjeshëm”, thuhet në komunikatë.
Qeveria gjithashtu vlerëson se ky Komision, konkretisht ekspertët e tij, kanë mundësi dhe kushte për të bërë një punë të mirë profesionale dhe hulumtuese në këtë drejtim, qoftë duke biseduar me të gjithë akterët politik dhe institucional, qoftë duke shqyrtuar dokumentacionin e nevojshëm, qoftë duke zhvilluar vizita në terren.
“Thënë përmbledhtazi ne jemi të kënaqur me faktin se ekspertët e këtij Komisioni, nuk kanë gjetur shkelje në demarkacion. Kështu ky Komision rikonfirmon atë që është konfirmuar edhe më herët se, me shënimin e vijës kufitare, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, Kosova, as nuk ka humbur as nuk ka falur tokë”, thuhet tutje.
Qeveria përshëndet gjithashtu gjetjet e ‘Komisionit për Demarkacion’ sepse ajo duke qenë edhe në përputhje me përfundimet e mëhershme të Departamentit të Shtetit Amerikan heq të gjitha dilemat rreth kësaj çështje.
“Vlerësojmë se kjo është një arritje e qëndrueshme në drejtim të plotësimit të një kushti shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave dhe si e tillë do të paraqet një hap të rëndësishëm e kualitativ në rrugëtimin tonë drejtë integrimeve evropiane”, thuhet në fund.