Janë disa qen endacakë, (si këta në foto) që tani më janë bërë të njohur për të gjithë qytetarët që gravitojnë, në përditshmërinë e tyre, në qendër të qytetit të Gjilanit.
Janë një tufë qensh, që si duket e kanë përcaktuar territorin e tyre, pasi janë kryesisht të njëjtit, që mund t’i hasësh në qendërn e qytetit, në park, para zyrës së kryetarit, para shkollës fillore, duke lëvizur poshtë e përpjetë qendrës….
Ata mund të jenë të trajtuar dhe mund të mos paraqesin rrezik, megjithatë shumë prej kalimtarëve ndihen të shqetësuar, e sidomos kur tufa e qenve është në lëvizje dhe kur dëgjohen të lehurat e tyre.
Për disa, ata më, janë pjesë e përditshmërisë dhe sikur janë mësuar me ta, andaj edhe nuk shqetësohen, për më tepër kërkojnë që të kemi sjellje të mirë dhe t’i trajtojmë mirë, megjithatë ka ankesa prej qytetarëve që ndihen të pasigurt, pasi për ta vlen më shumë shprehja: “hiqma tutën!”, sesa arsyetimi se: “nuk janë të rrezikshëm!”.
“Ndërkohë, shqetësime më së shumti vijnë edhe për shkak se në qendër ndodhet shkolla fillore “Thimi Mitko”, dhe se ata që kanë fëmijë në këtë shkollë, shqetësohen për sigurinë e tyre, apo thjesht nuk duan që fëmijët e tyre të frikësohen edhe nëse këta qen janë të trajtuar dhe nuk përbëjnë rrezik, transmeton Portali 2LONLINE.com.
E kur jemi te institucionet, duket se asnjëra qeverisje lokale deri më tani nuk ka pasur dhe nuk po ka zgjidhje për t’i larguar nga rruga qentë endacakë, për t’i strehuar gjetiu, që qytetarët jo vetëm të ndihen të sigurt, por thjesht edhe të mos bezdisen.
Me vite të tëra, qentë endacak janë bërë problem i “pazgjidhur” për institucione, edhe në Gjilan ata vazhdojnë ta sundojnë qendrën e qytetit, pa përjashtuar edhe pjesë të tjera, por se këtu bije më tepër në sy, sepse përveç çështjes së sigurisë, bezdisë, sikur i japin edhe një pamje të shëmtuar, pasi dinë të zënë trotuare, dinë të vrapojnë pas kalimtarëve, pas veturave në qarkullim, biçikletave…
Përndryshe, për institucionet përgjegjëse, nuk mund të themi se kjo çështje është e padukshme, sepse sikurse në çdo qeverisje, edhe në të tanishmen, qentë endacak, dinë të pozicionohen para institucioneve të ndryshme, bile në rastin e Gjilanit edhe para zyrës së kryetarit, sikurse të ishte një ekip që po kujdeset për sigurinë e këtij institucioni, transmeton Portali 2LONLINE.com
Gjithsesi, institucionet përkatëse duhet të merren me këtë problematikë, nëse thirrën se janë në shërbim të qytetarëve. Dikur, ka pasur aksione të eliminimit të qenve, por pastaj ka pasur reagime të OJQ-ve, është kërkuar që qentë endacakë të trajtohen në mënyrë humane duke i sterilizuar, vaksinuar, kastruar…, që të jenë të parrezikshëm. Megjithatë, kemi raste të regjistruara kur qytetarët, përfshirë fëmijët, pleq e gra, janë sulmuar nga qentë endacakë dhe është dashtë të kërkojnë ndihmë mjekësore, e kemi pasur edhe raste fatale.
Është momenti i fundit që institucionet në përgjithësi, qofshin ato lokale, qofshin qendrore, sepse për një zgjidhje afatgjate duhet koordinim, të ndërmarrin veprime konkrete për menaxhimin e qenve endacakë, duke ofruar zgjidhje, njëherë e mirë, të kësaj problematike, shqetësuese për qytetarë.
Qytetarët, shohin si zgjidhje, përveç trajtimit të qenve endacak edhe krijimin e strehimoreve, adaptimin e tyre nga qytetarët që duan të kenë qen, e forma të tjera.
Përndryshe, Valentina Jashari një qytetare gjilanase ka adresuar përmes Portalit 2LONLINE.com, një kërkesë për drejtuesit e komunës së Gjilanit.
“Të nderuar, kërkojmë nga ju që sa më parë të merren masa për largimin e qenve endacakë të cilët e kanë përfshirë qytetin e Gjilanit! Kur do të merrni masa, a kur te ketë ndonjë viktimë?! Fëmijët kanë frikë të shkojnë në shkollë, punëtorët nëpër puna ose ne qytetarët po bllokohemi gjithë, as në shkolla as në pune, por po duhet me ia lëshua rrugën qenve!”, thotë ajo. /M.H/ 2LONLINE/