Qëndrimi i pavarur i tyre i bënë nder PDK-së!

Qëndrimi i pavarur i tyre i bënë nder PDK-së!

Tani më ka kaluar ca kohë që nga shtatë këshilltarë sa ka PDK-ja në Kuvendin Komunal të Gjilanit, (në fakt, gjashtë për mua!) katër prej tyre kanë ndarë mendimin kundrejt tre të tjerëve lidhur me qëndrimin rreth lokacionit të varrezave të reja të qytetit.

Shkruan: Gani Neziri

Kjo, vjen si rrjedhojë e moskonsultimit të Kryetarit të degës (në kohën e duhur) edhe me këta katër këshilltarë për të analizuar anët pozitive, ose ato negative (të mundshme) për lokacionin e ri të varrezave.

Në fakt, ky projekt (i varrezave) që ndau në dy tabore këshilltarët e PDK-së, fillimisht ishte si projekt-ide e vet PDK-së në kohën kur qeverisnim me Komunën e Gjilanit.

Zbatimi i këtij projekti nuk u realizua edhe në terren nga shkaku i pengesave tash më të ditura, të krijuara nga AKP, (Agjencioni Kosovar i Privatizimit). Me që nuk u zbatua në kohën e duhur ky projekt shumë i nevojshëm për qytetarët gjilanas (në kohën sa qeveriste PDK) tani, jo veçse është i nevojshëm por, është shumë i domosdoshëm dhe shumë i ngutshëm që të bëhet një orë e më parë.

Është për keqardhje që vonesa e zbatimit të projektit për varrezat e reja, në lokacion të ri, ka deformuar keq planifikimin human hapësinor në qytet, me çka, “ka fyer” rëndë hapësirën gjelbëruese në verilindje të varrezave, gjë që nuk do të duhej të ndodhte në asnjë vend edhe me vetëdije të paktë qytetare.

Kjo gjendje e dhembshme që ka të bëjë me varrezat aktuale, ku nuk ka më vend për hapje të varreve për rast vdekjesh të reja, e madje, as nuk ka vend ku të shkelet lirisht pa cenuar nën këmbë varrin e atyre që tashmë janë nën dhe, u krijua nga mungesa e dijes dhe padisiplinës qytetare e fetare, edhe atë pas kaq vitesh në liri!

Hapja e varreve pa asnjë planifikim të kujdesshëm, shpjegon faktin, jo vetëm për mungesë të kulturës fetare e qytetare, por edhe mungesën e dijes e të guximit politik për organizim më të mirë e më të shpejtë nga ana e qeveritarëve që nga paslufta e deri sot.

Për gjëra të rëndësisë së veçantë të interesit të përgjithshëm publik, (si rasti tepër urgjent i varrezave) jo gjithmonë duhet pyetur e pritur pëlqimin nga oponentët politik të papërgjegjshëm, që bëhen pengesë e interesit të përgjithshëm publik. Qoftë nga padijenia e përgjegjësisë politike, qoftë nga qëllime të tjera të llogarive të ulëta personale.

Madje, në këtë rast është për tu habitur, që disa këshilltarë bëhen pengesë edhe e asaj që vet e kishim planifikuar dikur! Veprim i ultë kjo; “Meqenëse ne nuk arritëm ta bëjmë, nuk u lejojmë që ta bëni as ju!”, ndërkohë që, në varrezat aktuale nuk ka më vend për varrime të reja!

E si mund të kuptohet ndryshe kur thuhet se nuk ka më vend për varrime të reja, përveçse si nevojë tepër urgjente, apo jo?!

Për më keq, përpjekja pozitive e katër këshilltarëve të PDK-së për të zgjidhur nyjën e nevojës urgjente publike për lokacion të varrezave, ka “tarashkatur” edhe organizimin e brendshëm të partisë. Na ka ndarë në dy tabore; në Ata që me fanatizëm mbrojnë “interesin e partisë” dhe Ata që dinjitetshëm mbrojnë interesin e përgjithshëm publik.

Tani, për fatin e keq të edukatës politike-qytetare, ende mbizotëron logjika primitive se; për tu dukur më i besuar brenda partisë sate, duhet që patjetër të sillesh si militant, pra, të refuzosh çdo propozim që vjen nga rivali politik (në këtë rast, LDK), madje, duke mos bërë asnjë analizë, për të mirën ose të keqen që mund të sjellë propozimi!

Ilustrimi konkret është pikërisht rasti i katër këshilltarëve të PDK-së që u vënë në shërbim të interesit publik të nevojës tepër urgjente për lokacion të ri të varrezave.

Imagjinoni, Kryetari i degës së PDK-së (edhe pse i suspenduar përkohësisht – rrjedhimisht, pa fuqi të plotë) kërkon distancimin partiak nga qëndrimi pozitiv i katër këshilltarëve, që realisht, ishin në nivel të lartë të detyrës politike.

Këta katër këshilltarë të PDK-së, bënë të kuptohet se dinë të çmojnë interesin e përgjithshëm publik dhe e ndihmojnë atë pavarësisht se nga cila parti vjen propozimi.

Pra, qëndrimi i pavarur i tyre i bënë nder PDK-së!

/Autori është anëtar i Këshillit Drejtues në degën e PDK-së në Gjilan dhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së në Qendër/

KOMENTE